TIRANE- Ditën e djeshme Tirana i është nështruar sërish protestës së rradhës, lajmëruar nga opozita. Klima e tensionuar politike nuk ndikon drejtëpërdrejtë në jetën e banorëve të kryeqytetit me përjashtim të rasteve në të cilat u duhet që të devijojnë rrugë për të mos u përballur me turmat, sado të vogla qofshin ato. Një komunitet që veç përballjes me një institucion në qendër të Tiranës që mban mbishkrimin “Bashkia”, prej kohësh nuk e ndjen prezencën e  kryetarit të zgjedhur prej tyre, apo të funksionarëve të tjerë që të kujtojnë se ky insticion është funksional.

Në një vëzhgim të “Shqiptarja.com”, ditën e djeshme në Tiranë, punonjësit e Bashkisë dhe të çdo strukture tjetër në varësi të këtij institucioni mund t’i numëroje me gishta. Premtimet për të lëvizur me tram, u harruar ndërkohë që për qytetarët nuk ka asnjë WC publike, minimale për një metropol që dëshiron të jetë i njëjtë me ata nëpër botë.

Lumi Lana
Për çdo të huaj që vjen për herë të parë në Tiranë, do të ishte tërheqëse ideja e një lumi që përshkron mes për mes kryeqytetin në pjesën më të rëndësishme të tij. Tërheqëse deri në momentin që do të afrohej të fotografonte apo të bëhej kurioz t’i afrohej një ure, sepse me siguri më pas hezitimi për t’ju afruar sërish do të ishte i madh. Pavarësish projekteve dhe çdo lloj investimi të bërë nga vendorët, Lana mbetet një ndër qefmbetjet më të mëdha të çdo kujt që viziton kryeqytetin.

Një rrjedhje uji në disa tubacione të ndryshkura nga vitet, bashkohet me ujrat e zeza që bashkë me erën e rëndë përshkrojnë çdo ditë mes për mes Tiranën. Dje ashtu si edhe në çdo ditë tjetër, punonjësit e Bashkisë detyrat kryesore i kishin bërë në qendër të kryeqytetit, pasi nëse rruga të çon pranë urave të zonës që njihet si “Pallati me Shigjeta”, e vetmja pamje që mund të shohësh është ajo e disa njerëzve që vrapojnë të fshihen mes pemësh për të kryer nevojat personale. “Nuk kam ç’të bëj, këto kushte janë. Ne jemi njerëz të sëmurë, kemi nevoja personale, por kur Bashkia nuk na i mundëson kushtet, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të përdorim natyrën. E shikuat se çfarë bëri për ata të pushuarit nga puna, që u futën në grevë? Çoi menjëherë banjo pranë çadrave, ndërkohë që për gjithë këtë qytet nuk ka vendosur asnjë të atillë”, shprehet i revoltuar Novruzi një burrë rreth të shtatëdhjetave.
 
Mungesa e punonjësve
Duhet të presësh një protestë në të cilën të jenë të pranishëm edhe punonjësit e institucionit që të kuptosh se Bashkia, edhe pse në dukje një institucion i heshtur ka në përbërje të tij me qindra të punësuar. Një kryetar i deleguar, në mungesë të atij që është zgjedhur, nuk mund të jetë i duhuri dhe i nevojshmi për qytetarë me kërkesa minimale të kryeqytetasve. Një përpjekje e palodhur e punonjësve të gjelbërimit për të rregulluar atë pjesë të kryeqytetit ende të pazaptuar, ndërpritet nga urdhra për të mos qenë në shërbim të qytetarëve, por të krerëve të institucioneve, kushdo qofshin ata.

Sot kryeqyteti ka ngelur peng i shumë premtimeve të pambajtura, ku frika për të vdekur shtohet nga pamundësia për të gjetur një vend për të prehur. Dhe nëse dikush kërkon të jetë qytetar, pamundësia për ta demostruar e kufizon në pemët dhe erë rënda të urave të Lanës.  

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)