Pushkatimi i deputetit të
parë opozitar Kolë Prela

Pushkatimi i deputetit të<br />parë opozitar Kolë Prela
TIRANE - Deputeti historik i Shkodrës, Kolë Prela, u flijua 65 vjet më parë për fjalën e lirë. Ndaj vendosa të bëjë këtë kujtesë historike me rastin e 65-vjetorit të pushkatimit. Profesor Kolë Prela është opozitari i parë që kërkoi hapur pluralizmin politik, në Parlamentin famëkeq të 1946–ës, por ai u dënua me vdekje si tradhtar i popullit. Ai ishte doktor i lauruar në Torino, studiues, publicist dhe kritik arti. Ishte antifashist i vjetër, krijues i Këshillit Krahinor të NÇL të Shkodrës. Ishte organizatori i Lëvizjes Antifashiste në Rrethin e Dukagjinit dhe i ngritjes së Batalionit “Perlat Rexhepi”.

Profesor Prela ishte edhe një arsimtar i shquar, ku ka qenë Drejtor i Normales së Elbasanit dhe Profesor i Liceut të Shtetit Shkodër. Ky idealist i shkëlqyer, u pushkatua për aspiratat tona europiane të parealizuara akoma. Ai u pushkatua në lule të rinisë duke u shuar dhe si familje. Prof. Kolë Prela është antipod i deputetëve të sotëm që shiten e blihen si lopët në treg. Ky emër ia vlen të kujtohet sot me nderimin më të madh si model engjëllor i idealizmit të shqelmuar e baltosur nga demagogët e paskrupullt të pushtetit.

FAMILJA MARTIRE E KOLË PRELËS NË SHEKUJ

Profesor Kolë Prela lindi në Shosh, më 19 tetor 1916 në një trung të vjetër atdhetarësh të martirizuar (Lulash Bala i internuar dhe i pushkatuar nga turqit në Torobullus, Mark Milani, luftarë kundër turqve e malazezëve në vitet 1910, 1911, 1915, u martirizua si Fanolist dhe është një nga matirët e besës shqiptare, pasi shkoi në litar vetëm për të mos shkelë besën që i kishte dhënë shokut të prangave Zef Delia).

Serbo-malazezet gjatë Luftës së Parë Botërore, babait të Kolë Prelës i dogjën shtëpinë, prandaj detyrohet të shpërngulet në qytetin e Shkodrës së bashku me familjen e djalin e mitur. Në vitet 1923-1928 Kol Prela vazhdoi Kolegjin Saverjne, nxënësi i Mjedës e përfundon kolegjin duke marrë pikët maksimale. Nga viti 1929-1936 përfundon shkëlqyeshëm Liceun e Shtetit “28 Nëntori”, pastaj përfiton të drejtë studimi në Itali dhe në vitet 1936-1940, përfundon Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në UT të Torinos duke u lauruar Doktor i Shkencave letrare.

Nga vitin 1940 deri në qershor 1943 ka punuar si profesor i Letërsisë, Latinishtes dhe Greqishtes së Vjetër në Liceun e shtetit “28 Nëntori “Shkodër. Ka qenë koleg dhe mik i Skënder Luarasit, Gaspër Palit, Qemal Draçinit, Ernest Koliqit, Gjergj Kokoshit, Simon Rrotës, Zef Kolombit, Ndue Përlucës, Safet Butkës. U shqua si mësimdhënës, metodist, përkthyes, publicist dhe kritik arti. Ka qenë Drejtor i Normales së Elbasanit, ka bashkëpunuar me revistat “Hylli i Dritës”, Leka, “Zani Shnanout”, “Fryma” Cirka”,”Kumbona e së Dielës”, “Tomorri” etj.

Ka shkruar shumë artikuj studimorë si “Shqypja Ilire”,”Tokë e madhnume”,”Nacionalizma shqiptare” ,”Dom Ndre Mjeda dhe klerikët”, “Çështje filozofike”,”Çështje e të mësuarit”,”Mbi njohjen e botës”,”Rrymat e jetës shoqnore”, “A është Mjeda liriku më i madh i Shqipërisë”, “Gjuha e Fishtës” etj. Artisti i Popullit Çesk Zadeja, Profesorët Shefik Osmani, Çun Jonuzi , Androkli Kostallari , heronjt e popullit Tomë Kola, Nazmi Rushiti, Bardhok Biba, intelektualët Lorenc Shiroka, Luigj Sheldia, Angjelin Zojzi, Caf Jonuzi, Gjovalin Çerkaxhia, Jorgji Sota, Tonin Kiri, Çesk Bazhdari etj, kanë qënë disa nga ish nxënësit e Kolë Prelës.

Profesor Prela ka qenë një nga organizatorët e demonstratës antifashiste të 22 shkurtit të vitit 1942. Ai ishte një nga nacionalistët e parë indipendent që përqafoi platformën politike të Konferencës së Pezës, hyri në FNÇ dhe së bashku me Riza Danin, Dom Luigj Picin, Xhemal Brojën, Rexhep Hakën, Sadik Bekteshin, Shyqyri Hafizin, formuan Këshillin e parë Krahinor Nacionalçlirimtar të Qarkut të Shkodrës me në krye major Sabri Gjonin.

Profesor Kolë Prela në qershor vitit 1943 doli ilegal në malet e Dukagjinit për të organizuar lëvizjen antifashiste, atje ngriti Çetën partizane teritorriale të Dukagjinit, koordinoi veprimtarinë antifashiste mes Shkodrës-Dukagjinit dhe Malësisë së Gjakovës. Në dimrin e vitit 1943 strehoi në Dukagjin dhe siguroi kalimin e Batalionit Perlat Rexhepi në sektorin Bogë-Thethë-Vuthaj. Ishte largpamësia e Profesorit, toleranca dhe dialogu që bëri me grupacionet e tjera politike që gjatë kohës së Luftës nuk pati as një konflikt të përgjakshëm në Dukagjin mes forcave të Fronit nga njëra anë dhe ballistëve e zogistëve nga ana tjetër.

PUSHKATIMI

Deputeti Kolë Prela votoi kundër Kushtetutës së vitit 1946. Arrestohet në ‘46-n, pushkatohet në ‘48-n

Në zgjedhjet e vitit 1945 zgjidhet deputet i zonës nr. 11 në Nënprefekturën e Dukagjinit, Kolë Prela e Riza Dani ishin deputet i vetëm nacionalist dhe nga opozitarët e parë të Shkodrës së bashku më Hysen Pejën dhe Zef Haxhinë në Kuvendin e parë pas Luftës së Dytë Botërore,ku kërkoi ndërprerjen e terrorit politik. Në Asamblenë Kushtetuese kërkoi hapur pluralizmin politik e ideologjik dhe orientimin pro perëndimor të Shqipërisë.

Kundërshtoi projektin e Kushtetutës së vitit 1946 dhe votoi kundër saj, duke e quajtur si një akt plot ngjyra ideologjike si politikisht ashtu edhe nga pikëpamja social politike. Demokracia e lirë që kërkojnë deputetët Riza Dani, Kolë Prela, Hysni Peja, etj, nuk është veçse demokracia borgjeze shkruan gazeta “Bashkimi” me 17 mars 1946. Profesor Kolë Prela u arrestua me 14 shtator 1946. U akuzua se ka qenë anëtarë i Komitetit Qendror të Parisë Demokristiane dhe në bashkëpunim me organizatën terroriste të Klerit Katolik ka luftuar për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri.

Për të gjitha këto dënohet me vdekje si tradhtar i popullit më 13 prill të vitit 1948, pushkatohet në livadhe të Shkodrës, nuk dihet se ku i përfundoi trupi, pasi akoma edhe sot nuk ka varr. Prof Kolë Prela ishte një idealist i shkëlqyer që për aspiratën tonë historike evropiane të parealizuar akoma u pushkatua ne lule te rinisë duke shkimatur si person dhe si familje. Ai është Antipot i deputetve te sotem që shiten e blihen si lopët në treg. Ky emër ia vlen të kujtohet sot me nderimin më të madh si model engjëllor i idealizmit të shqelmuar e baltosur nga demagogët e paskurpullt të pushtetit.

LETRA E DREJTUAR MEHMET SHEHUT MË 1945

Dy deklarata historike të profesor Kolë Prelës, shkëputur nga Dosja 2293 në Arkivin i Ministrisë së Punëve të Brendshme Tiranë.

Fort i nderuemi Gjeneral !
Jam i detyruem t’u informoj në mënyrë të menjëhershme pasi mvartësi juaj Ndrekorino në Rrethin e Dukagjinit, ka fillue një operacion represiv, krejt të panevojshëm dhe ma do mendja i pa autorizuar të përdori dhunë ushtarake pa ditë me ba dallim mes të fajshmit dhe të pafajshmit. Si Përfaqësues i Dekretuem në Asamblenë Kushtetuese i zgjedhur nga zgjedhist e kësaj zone dhe organizator i lëvizjes nacionalçlirimtare nga fillimi e deri sot, deklaroj se lëvizjes sonë askurrkush në Dukagjin nuk ju kundërvu me armë.

Madje as tani nuk paraqitet asnji rrezik për nji gja të të ksaj natyre. Operacioni i Ndrekorinos ka ngjallur tmerr, paknaqësi, e pasiguri, njerzit nga friga po arratisën e marrin malin, jo për t’u bashkuar rraksionarët të cilët nuk e di se ekzistojnë por për hirë të së vertetës duhet thanë se ne po i krijojmë me duart tona. Po të arrestojmë e pushkatojmë për një fishek, për një pushkë , për një allti nuk mbetet njeri pa u vra ose burgosë në gjithë Dukagjinin.

Malsori ma parë pranon vdekjen se sa hunin e pa kursim që po i epet për shpinë. Si deputet i kësaj zone, unë hy dorzanë për të dorzue të gjithë të frigsuemit e të pa qartsuemit, me kusht që të lihen të lirë të shkojnë në shtëpijat e tyre pasi nuk kan ba asnjë vepër kriminale as ndaj qerverisë as ndaj Luftës Antifashiste.

V.F.L.P
Me nderime e konsideratë të lartë
deputeti i Dukagjinit, Profesor Kolë Prela.d.v.
Kodër Shëngjergj 25.12,1945.
Dosja 2293 Arkivi i Ministrisë sëPunëve të Brendshme Tiranë.

Deklaratë në mbrojte të Patër Gjon Shllakut dhe grupit të klerikëve të Shkodrës më 1946

Unë i nënshkruemi Kol Prela, profesor në liceun e shtetit Shkodër dhe Përfaqësues i Dekretuem në Asamblenë Kushtetuse, përsa i perket të pandehurit Patër Gjon Shllaku, Françeskan nga Shkodra dekleroj sa më poshtë vijon. P.Gjon Shllakun e kam noftë për herë të parë në verën e vjetit 1940, kur u ktheva prej Italijet pasi mbarova studimet e larta.

Qyshë në takimet e para që kam pasë me të, kam mujtë me konstatue se ai ishte një element anti- italjan dhe anti –fashist. Kudo që kishte rastin e mundësinë , demaskonte dhe disaprovonte ardhjen e Italisë këtu të njajtën gja bante edhe me përkrahësit e Italisë e me tradhëtarët vazhdimisht ktu. Ka qenë kundër artikullit denigrues për popullin shqiptarë, që P.Fulv Cordignano pat botue në revistën “Albania”.

Madje, në këtë rastin e fundit nuk u kondenue vetëm me dizaprovue, por edhe punoi për përpilimin e broshurës ”Cordignanmo”,“Një gjyq përpara botës”, tue gjetë gati gjithë biblografinë, tue përkthye gjithë copat e autorëve gjerman, që nevojiteshin për atë përgjigje. Nuk e vuni emrin në fund mbasi broshura dilte në emën të grupit të profesorëve të Liceut të Shtetit Shkodër e ne emën edhe ky, do të dukej, se profesorët e një instituti shqiptar, mos të ishin në gjëndje me shkrujt një artikull, pa kërkue ndihmën nga jashtë rrethit të tyre.

Këtë, mund ta dëshmojnë edhe profesorët Mark Ndoja dhe Simon Deda, të cilët në atë kohë kanë kënë në kontakt të vazhdueshëm me të pa ndehurin. Këtë qëndrim anti-fashist ka vazhdue ta mbajë gjatë gjithë kohës që kam qënë në kontakt deri në qershor 1943 datë në të cilën jam ilegalizue, mbas të cilës nuk kam pasë rast me ra në përpjekje me të derisa asht çlirue Shqipnia.

Mbas çlirimit, dihet prej të gjithve, se P.Gjoni,ka dhanë kontribut në lamën ku ashtë ma i përgatitun d.m.th në atë të kulturës. Ka ba konferencën për inagurimin e Shtëpisë së Kultursë në Shkodër, në të cilën ka thanë këto fjalë: Ashtë hera e parë që Shqipnia çlirohet me gjakun e bijve të vet.Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht një dhunti, por asht fryt i përpjekjve të popullit shqiptar”. Përmbajtjen e kësaj deklarate, jam gati me vërtetue edhe përpara Gjygjit të Popullit

V.F.L.P.
Shkodër,14.02.1949.Dekleruesi
Profesor Kolë Prela d.v.
Fridz Radovani “Një munoment nën dhe” De angelës .Zagreb 2004, fq 101.

Marrë nga Arkivi i Ministrisë së Punve të Brendshme.

Letra e Kolë Prelës dërguar Mehmet Shehut me logo
(Në foto faksimile e letrës së Kolë Prelës dërguar Mehmet Shehut)

DEKLARATA

Pater Gjon Shllaku ka dhënë kontribut në kulturë nuk është fashist

Kësaj deklarate të bujshme, pas viteve nëntëdhjetë i janë referuar disa autorë, At Danjel Gjeçaj tek libri “Martirët e Kishës Katolike 1944”, Ahmet Bushati tek libri i tij “Në gjurmët e një ditari”, Zef Simoni tek “Gjenocidi komunist në Shqipëri”, Fritz Radovani tek libri “Një monument nën dhe”, At Zef Pëllumbi tek libri “Rrno për me tregue”. Këtë fakt në menyrë demaskuese e ka cituar gazeta “Koha e re” qysh me 26 janar të vitit 1946.

Angjelin Zojzi në Gazetën “Shkodra”, i pranishëm në atë séance gjyqësore shkruan: “Siç në fillim të vitit 1946, filozofi Gjon Shllaku ndersa po zhvillonte mësim u arrestua me akuzë “tentativë për ikje”. Kjo akuzë e gënjeshtërt tronditi mikun e tij Prof Kolë Prelën që ishte deputet. Kjo lëshoi dritë mbi fatin e ardhshëm të intelektualëve shkodranë, prandaj doli me forcë dhe guxim në mbrojtje të tij duke lëshuar një dekleratë të befasishme përpara trupit gjykues.

Gjyqi po zhvillohej në Kinemanë “Rozafat” me altoporlante në rrugë. Kryetari i trupit gjykues e lexoi me zemërim e nervozizëm këtë deklaratë duke shtuar se ky person sikur të ishte trim le të vinte këtu dhe të deklaronte hapur. Profesor Kolë Prela që rastësisht ndodhej në rrugë, erdhi e u fut menjëherë me kokën lart drejt e në sallën e gjyqit.-Shoku kryetar i séancës, erdha të mbroj deklaratën që sapo lexuat. Atë deklaratë e kam lëshuar unë dhe jam i vendosur të mbroj të vertetën.
Paulin Fausti, Pater Gjon Shllaku, Danjel Dajani në gjyqin para pushkatimit, në vitin 1948 me logo

(Në foto Paulin Fausti, Pater Gjon Shllaku, Danjel Dajani në gjyqin para pushkatimit, në vitin 1948)

Kolë Prela duke dëshmuar në e Pater gjon Shllakut me logo
(Në foto Kolë Prela duke dëshmuar në e Pater gjon Shllakut)

NË NUMRIN E ARDHSHWM DO TË LEXONI:

Si e sfidoi kryetarin e Gjyqit Komunist Prof Kolë Prela. Çfarë tha në Asamblenë Kushtetuese për të mbrojtur Pater Gjon Shllakun… Replikat me përfaqësuesin e KQ të Tiranës Abdyl Kokoshin. Akuzat për lidhjet me anglo-amerikanët. Pushkatimi jo si të tjerët në Zallin e Kirit. Arsyet pse ia fshehën varrin pas pushkatrumit lidhur dorë për dorë me mikun e tij avokatin e mirënjohur Paulin Fausti.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqitarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura