Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se janë pushuar nga puna rreth 600 punonjës, pasi nuk kanë ofruar shërbim e duhur tek qytetarët.

Në takimin e përjavshëm me qytetarët që kanë gjetur zgjidhje më anë të portalit "Shqipëria që duam.al", Rama tha janë raportuar shumë raste nga qytetarët, të cilët nuk kanë marrë zgjidhje për problemin e tyre, por mbi të gjitha ka pasur edhe një sjellje aspak të hijshme nga ana e punonjësve që janë në vijën e parë të shërbimit.

"Janë 600 individ, nga punonjës deri tek drejtues që janë pushuar nga puna se nuk kanë qenë të denjë në shërbimin e qytetarëve. Edhe nga konstatimet tona në bazë të rezultateve të punës së matshme, nga raportet dhe ankesat, por edhe marrja e perceptimit të qytetarëve, ka një perceptim që ndjehet tek shërbimet publike. Miku i famshëm që ishte ilaç tradicional për problemet në shtet, sot ka jo vetëm pamjen, por edhe trajtën e qeverisë. Qeveria miku më i madh i çdo qytetari", tha Rama. 

Shefi i qeverisë shtoi po ashtu se deri tani janë zgjidhur afro 30 mijë ankesa, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë grabitqarët dhe parazitët, që nuk i shërbejnë shqetësimeve dhe halleve të tyre.

 “Është qeveria miku më i madh i çdo qytetari. Nuk ka mik më të madh dhe më efikas se qeveria, pasi ajo mund ta bëj për secilin qytetar. Grabitqarët dhe parazitët nuk mund t’i idetifikojmë pa ndihmën tuaj. Është koha që të ndajmë të thatin nga i njomi. Më vjen mirë të them se numri total i ankesave në platformë, ka kaluar 41 mijë dhe po afrohen në 30 mijë rastet e zgjidhura. Kjo tregon se ku e kemi çuar komunikimin me njerëzit. Komunikim të drejtpërdrejtë  me njerëzit që nuk jetojnë në kazan, me njerëzit që nuk rrinë kafeve dhe nuk bëjnë llogje. Ne vërtetë kemi marrë votën e tyre, por qëndrojmë 24 me ta dhe në çdo  sekondë që ata na kërkojnë”, shtoi kryeministri. 

Kryeministri Rama nënvizoi edhe një herë se platforma “Shqipëriaqëduam.al” ka shërbyer për qytetarët si instrument për zgjidhjen e problemeve.

VIDEO/ Aktivitet i Bashkëqeverisjes sot te kryeministria