TIRANE- Njësia hetimore Task-Forcë, ka vendosur të pushojë hetimet ndaj ish-drejtorit të spitalit “Nënë Tereza” dhe dy zyrtarëve të tjerë, që u paditën penalisht 9 muaj më parë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Vendimi për pushimin e hetimeve është marrë në fund të muajit dhjetor, me argumentin se ish-drejtori Sajmir Ivziku, ish-drejtori i Burimeve Njerezore Ibrahim Shatri dhe drejtoresha e Edukimit Alketa Ilo, nuk kkishin kryer asnjë vepër penale gjatë periudhës së drejtimit së qëndrës spitalore universitare “Nënë Tereza”.

Kallëzimi i KLSH bënte fjalë për punësimin e 100 persona të punësuar mbi kapacitetet e organikës së spitaleve. Mirëpo hetimi konstatoi se kjo fryrje është bërë për nevojat e spitalit dhe jo për motive të tjera.

Sipas kallëzimit, shkelja ligjore me një dëm ekonomik të konsiderueshëm në buxhetin e shtetit ka ndodhur gjatë periudhës nëntor 2010 – shtator 2012. Sipas kontrollit të KLSH, në këtë periudhë në QSUT janë punësuar një numër i konsiderueshëm punonjësish, duke nisur që nga roli “pastrues” apo “mirëmbajtës” e duke vazhduar më pas në nivele më të larta, deri në rang infermieri. “Paga e personave të punësuar ka qenë sipas pozicionit, nga 20 mijë lekë deri në 47 mijë lekë”,-thuhet në kallëzim. Gjithmonë sipas këtij kallëzimi, punësimi i personave në fjalë është bërë në mënyrë të paligjshme, pasi vendet në organikë kanë qenë të plotësuara dhe të përcaktuara. “Në momentin e punësimit të personave në fjalë nuk ka pasur vende të lira.

Për rrjedhojë, në buxhetin e institucionit nuk ka pasur fond për pagat e punonjësve të rinj”,-thuhej në kallëzimin e KLSH. Referuar padisë së bërë nga KLSH, mësohet se pavarësisht fondit në zërin e pagave, ish-drejtuesit e QSUT-së kanë përdorur një tjetër fond nga buxheti për të paguar për më se dy vjet apo më shumë personat e punësuar në mënyrë të paligjshme. Shpenzimi për pagat e tyre konsiderohet nga KLSH si dëm në buxhetin e shtetit.


 Shkrimi u publikua sot (07.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)