Shqipëria dënon me forcë sulmin e Rusisë mbi Ukrainën duke cenuar paqen dhe sigurinë në botë. Kështu u shpreh presidenti Ilir Meta në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë për të bërë një rivlerësim të situatës dhe  sigurinë në Shqipëri dhe rajon, pas agresionit rus ndaj shtetit të pavaruar të Ukrainës. Meta e cilësoi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës të pajustifikueshëm dhe një shkelje të rëndë ndaj të të drejtës ndërkombëtare.

"Këshilli diskutoi mbi të gjitha masat që do të ndërmerren për të adresuar këtë situatë, në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët, si sa u përket angazhimeve tona ndërkombëtare, ashtu edhe në raport me sigurinë në vendin tonë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.  Me këtë rast, edhe një herë, dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, shtet i pavarur dhe sovran. Ky përshkallëzim i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB, Marrëveshjes së Minskut, Memorandumit të Budapestit, dhe minon sigurinë dhe paqen në mbarë Europën", tha Meta.

Meta shtoi Shqipëria do të jetë në krah të NATO-s dhe BE dhe në unison em vendimet e tyre për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe demokracisë.

"Si President i Republikës dhe në emër të popullit shqiptar, shpreh dhembjen e thellë për jetët e humbura gjatë këtij sulmi, dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. Në këto momente dramatike, shpreh gjithashtu solidaritetin e plotë me popullin e Ukrainës, dhe institucionet e saj demokratike. Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO, dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u bashkohet thirrjeve të Aleancës dhe të bashkësisë ndërkombëtare drejtuar Rusisë për të braktisur menjëherë këtë rrugë të dhunës dhe agresionit, të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare, dhe të kthehet në rrugën e dialogut. Shqipëria qëndron në unison me NATO dhe BE, dhe do të zbatojë të gjitha angazhimet e mara në kuadër të politikës së jashtme dhe sigurisë së përbashkët. Bashkë me Aleancën dhe Bashkimin Europian do të qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë", tha Meta 

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare zgjati rreth një orë, ku të pranishëm shin Zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, Ministri i brendshëm, Bledi Çuçi, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, zv.ministrja e Mbrojtjes, Dallendyshe Bici, zv.ministrja e jashtme, Megi Fino, Mimi Kodheli, kryetare e komisionit të punëve të jashtme, Gledis Nano, drejtori i  SHISH-it, Helidon Brendo, Nasip Naco, kryetar i  komisioni i sigurisë, si dhe guvernatori Gent Sejko.

Për shkak të axhendës, munguan kryeministri Rama, Niko Peleshi dhe ministrja Olta Xhacka, e cila mori pjesë në mbledhjen urgjente të OSBE.

Rusia sot ka tundur themelet e rendit ndërkombëtar! Mëngjesin e sotëm forcat ruse kanë nisur një sulm të madh ushtarak në Ukrainë nga Donbasi. Bëhet fjalë për disa dhjetëra të vrarë deri tani, ushtarë e civilë. Vladimir Putin, ka nisur 'pushtimin' e Ukrainës në shkallë të plotë. Në një fjalim para sulmit ai ka deklaruar se ka nisur një operacion special për çmilitarizimin e Ukrainës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:33
Sulmi ndaj Ukrainës, Meta: E dënojmë Rusinë, shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare

Presidenti Ilir Meta e cilësoi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës të pajustifikueshëm dhe një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.

Me këtë rast, edhe një herë, dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, shtet i pavarur dhe sovran. 

Ky përshkallëzim i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB, Marrëveshjes së Minskut, Memorandumit të Budapestit, dhe minon sigurinë dhe paqen në mbarë Europën.