Pushtimi, Komunizmi e çeli
derën më 7 prill të 1939

Pushtimi, Komunizmi e çeli<br />derën më 7 prill të 1939
TIRANE - Duke qenë personalisht i bindur se pushtimi fashist italian jo vetëm i rrëmbeu sovranitetin shtetit 27 vjeçar shqiptar dhe i këputi në mes, me një goditje të rëndë e kriminale, krejt zhvillimin e tij normal, por u shndërrua edhe në gjeneratorin kryesor të ushqimit, rritjes dhe fuqizimit të lëvizjes komuniste prosovjetike në vendin tonë.

Ishte Roma fashiste ajo që po e ndihte, edhe pse në mënyrë të pavetëdijshme e duke kujtuar se po e luftonte, ardhjen e shpejtë të Moskës në Shqipëri. Përpara asaj shtyse që i dha pushtimi këtij procesi, roli për të njëjtin qëllim i grupeve komuniste në Korçë, Shkodër apo Tiranë, e kudo gjetkë nëpër qytetet tona, përbën një faktor fare të pallogaritshëm.

Në këtë aksion paradoksal u gjend edhe Ahmet Zogu, politikani që antikomunizmin e kishte shndërruar jo vetëm në ideologji të mbretërimit, por edhe në instrument aktiv të pushtetushtrimit. Një aksion i shpejtë arrestimesh i radikalëve të majtë, në gjysmën e dytë të muajit dhjetor 1938 dhe që mori formë publike në 14 janar 1939 me botimin në shtypin e Tiranës e dekretit të porsafirmosur nga monarku mbi emërimin e trupit gjykues të Gjyqit të Posaçëm për Faje Politike, bëri bujë dhe po aq jehonë.

Çuditërisht kjo pati ngjarë vetëm tetë ditë më vonë nga çasti kur Benito Musolini hodhi mbi letër një firmë tjetër, kobzezë: miratoi planin e ministrit të Jashtëm dhe dhëndrit të tij Gaetano Çiano për pushtimin e Shqipërisë.

Gjyqi spektakël kundër komunistëve u përpoq të mbulonte atë që në të vërtetë ziente brenda raporteve të mbretit jo me Bashkimin Sovjetik, i cili në këto raste për Shqipërinë nuk tregonte ndonjë interes të veçantë, por me Italinë. Lexuesi e di fare mirë që këtë kohë, si administratë e qeveri, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të mëdyshuar e gjer pasivë ndaj fatit të vendit tonë.

Pikërisht në këtë pikë të ulët të interesit të dy fuqive të mëdha, por edhe të dy mënyrave të kundërta të jetesës dhe të organizimit të shoqërisë dhe të shtetit, totalitarizmit dhe demokracisë, është fashisti Benito Musolini që i fut duart, duke i përzierë e deformuar ngjarjet shqiptare, përmbysur tërësisht kahen e tyre. Ai e kishte vendosur me kohë pushtimin, edhe pse e pëlqen që kjo të jetë sa më e pazhurmshme,“paqësore”, e tipit të përfshirjes, të gëlltitjes, të “peshkut të madh që ha të voglin”. Në arkivat italiane thuhet se “Drejt fundit të vitit 1937 nisi të punohet në Shtatmadhori hipoteza e një pushtimi të Shqipërisë.

Në 30 shtator 1937 atasheu ushtarak në Tiranë, nënkoloneli Mario Bombagli, hartoi një raport mjaft interesant mbi kushtet shumë të këqija të ushtrisë shqiptare dhe të oficerëve të saj. Gjithnjë në 1937 u emërua ministër i Italisë në Tiranë Françesko Jakomoni di San Sovino, arkitekt i Anschluss-it (përfshirjes bashkuese. YP) ala italian”. Ndërsa në 6 janar Musolini firmosi planin zyrtar të pushtimit të Shqipërisë dhe në ditën e katërmbëdhjetë të atij muaji Ahmet Zogu, të cilit rreziku real dhe më imediat i vinte nga fashizmi dhe jo nga komunizmi, e nisi publikisht akuzën kundër këtyre të fundit.

Në vijim të operacionit policor të nisur në fund të dhjetorit, më 15 janar Ministria e Brendshme nxori urdhrin për arrestimin e Qemal Stafës, personit që pas disa javësh e deri sa në 5 maj 1942 u vra në një përleshje me karabinierët, do të jetë komunisti më i njohur dhe popullor i vendit. Pasi u vu nën përgjim arrestimi i Qemal Stafës u krye natën e 24 janarit, atje ku jetonte, në Tiranë.

Fillimisht e çuan në zyrat e Xhandarmërisë, të cilat ndodheshin në rrugën e Dibrës. Këtu e futën në një dhomë të vogël, ndërsa bënte shumë ftohtë. Dimri i atij viti qe shumë i egër. Ngjitur me kthinën, ku e përplasën, gjendej dhoma e torturave. Sipas njërit prej biografëve të tij, shkrimtarit dhe studiuesit Nasho Jorgaqi, këtë prani të qëllimshme Qemali e kuptoi kur nisi të zbardhte dhe filluan të dëgjoheshin goditjet e rrahësve si edhe ndonjë rënkim.

Pas këtij presioni psikologjik në mëngjes qe radha e tij për të hyrë në atë dhomë, ku një rreshter profesionist dhe tre xhandarë, duke e mbajtur të lidhur me pranga, nisën ta rrahin sapo hyri. E vijuan masakrimin e tij fizik edhe ku ra përdhe. Pasi njëri nga xhandarët i hodhi një kovë me ujë, i nisën torturat mbi shpullat e këmbëve. Ia shpuan me bajonetë, majat e thonjve të gishtave të tyre po ashtu ia goditën me kondak pushke. Qemal Stafës fytyra iu enjt që atë ditë. U sollën kështu me të për një javë rresht. “Më kujtohet akoma rënkimi i një të sëmuri që mezi merrte frymë”, kujton një dëshmitar.

Pastaj vijon “Pyetëm rojen që rrinte pas nesh, dhe ai na u përgjigj: “Nji derr komunist si ju. E rrahën sa e vdiqën dhe nuk hapi gojë fare. Tre shkopinj janë thye në kokën dhe shpinën e tij, po nuk bzanë, nxihet në fytyrë e shtrëngon dhambët. E quajnë Qemal, prandaj në rast se s’doni ta pësoni si ai, të rriheni si kafshë, tregoni menjëherë”.

Ne i shtimë një vështrim rojes dhe nuk i folëm. ....Qemalin, pasi e patën rrahur gjithë natën, e kishin ngjitur lart në terracë, në një si birucë, për të mos ardhur në kontakt me të arrestuarit e tjerë. Nga të rrahurit i kishte rënë tri herë të fikët...Herën e tretë u trembën, se Qemali nuk jepte shenja jete dhe prandaj e lanë të qetë, por pa ndjenja.

Të nesërmen Qemali, dikur i kuq e i shëndoshë, ishte zverdhur, nxirë e ajtur. U thirr doktori, i cili, pasi e vizitoi, e ndaloi rrahjen”. Ishte dita e tetë e arrestimit. Që prej këtij çasti e çuan në Burgun e Vjetër dhe e mori një kapiten për të filluar procesin e hetimit. Në tri salla këtu qenë grumbulluar, ngjeshur me njëri-tjetrin, të gjithë komunistët e prangosur në zbatim të dekretit mbretëror të 14 janarit. Qenë 73 të akuzuar.

Gjyqi i tyre publik, në fakt një shfaqje politike, do të niste në mëngjesin e 4 shkurtit. Datënisjen po e bëjmë të ditur për të shfaqur të dukshme lojën e Ahmet Zogut në sajimin e një rreziku, i cili ato çaste as ekzistonte dhe as qe për t’u spikatur, ca më shumë propaganduar aq fort në shtypin zyrtar, ku formulohej fraza bombastike “Shqipëria nuk e pranon propagandën komuniste shkatërrimtare”. Aq e stisur, e manipuluar dhe e shtrembëruar qe, në favor të një pushtimi fashist, pamja e vërtetë e kanosjeve ndaj jetës personale dhe regjimit të tij, sa shpresojmë të jenë sado pak bindës faktet që do të paraqitim më poshtë.

Ndërsa në 4 shkurt fillon me bujë gjyqi special politik kundër 73 komunistëve dhe Qemal Stafa do të nisë të bëhet një emër i famshëm me deklaratën e tij publike “Jam komunist i bindun dhe deklaroj se vetëm komunizmi do ta shpëtojë masën e punëtorisë që sot ndodhet e shtypun; jam i sigurt se çfarëdo që të ndodhë, ne komunistët do ta shpëtojmë Shqipërinë”.

Bashkëshortja e Ahmet Zogut, Geraldina Apponyi, dekada më pas, në kujtimet e saj, do të përshkruante edhe tre orvatje të fashistëve italianë për vrasjen e të shoqit, që të tre të kryera në shkurt 1939. Pra paralelisht me zhvillimin e gjyqit politik kundër komunistëve. Ky u mbyll pasditen e 11 shkurtit, moment kur gjykata dha vendimet e dënimeve. Më i spikaturi qe ai për Qemal Stafën.

Studenti në drejtësi dhe që kishte ndjekur universitetin në Firence, i vetmi i cili kishte deklaruar se qe komunist i bindur dhe sipas dokumenteve gjyqësore “e pranon gjith akuzën që i bëhet”, u propozua nga prokurori të dënohej me 15 vite. Gjykata i dha gjashtë, por duke qenë se nuk kishte mbushur as tetëmbëdhjetë vjeç iu zbrit në vetëm 3.

Nga 73 të arrestuarit të dënuar qenë 56. Menjëherë pas shpalljes së viteve të burgimit komunistët nisën të këndonin internacionalen në mes të sallës së bashkisë. Ngjarja bëri jehonë që atë ditë. Kështu shqiptarët u kujtuan për ideologjinë dhe modelin e organizimit të shoqërisë dhe të shtetit, që vinte nga Moska.

Në 11 shkurt kishte ndodhur edhe një ngjarje tjetër: pati ndërruar jetë në Paris stalinisti Ali Kelmendi. Tentativa për ta vrarë Zogun ndodhi të nesërmen dhe sigurisht që në të nuk kishin dorë fare të pasionuarit pas bolshevizmit. Në 12 shkurt, në orën 16.00, gjatë shëtitjes me mbretëreshën në kopshtin e Pallatit, Ahmet Zogu dalloi midis shkurreve grykën e një arme të drejtuar kundër tyre.

Çifti u kthye me të shpejtë në pallat dhe aty ai i pohoi të shoqes “Sapo shpëtuam nga një atentat”. Qe dita, kur me porosi të tij të drejt për drejtë shtypi zyrtar shpërtheu një fushatë antikomuniste, duke e djallëzuar atë sa më fort e ngulur këmbë se ajo ideologji nuk pajtohej me konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve si edhe dhe “me shpirtin arbëror”.

Përpjekjen tjetër në kujtimet e saj Geraldina e vendos në mes të të njëjtit muaj. Më 14 shkurt Jak Koçi, i cili shpallej si besniku i Zogut dhe vetëbesohej si “njeri i shtëpisë”, u thirr posaçërisht prej mbretit për drekë. Ky e dinte që ai kishte hyrë në shërbim të Kontit Çiano dhe kishte marrë përsipër për ta vrarë me shpërblimin e 10 milion liretave.

E dinte po ashtu se vepra do të kryhej në bashkëpunim me Xhovani Xhiron. Ky me planin për përmbysjen nga brenda të Ahmet Zogut, pati hyrë në Shqipëri ende pa dalë muaji janar. Xhiro qe specialist i lëvizjes rinore fashiste. Mbreti shqiptar i kishte të dhëna të mjaftueshme sa për ta pranuar formalisht, por edhe që t’i jepte të kuptonte se nuk do ta mbështeste.

Por Xhiros aq i bënte. Ai qe një arrogant dhe nuk ia falte Zogut të gjitha pengesat që krijonte për të mos u strukturuar ndonjëherë në vendin e tij ndonjë lëvizje fashiste. Ai kishte vendosur ta rrëzonte me çdo kusht dhe për këtë nuk kishte vetëm nxitjen dhe mbështetjen e hierarkëve më të lartë partiakë e qeveritarë të Romës, por edhe shuma më mëdha parash. Xhovani Xhiro nuk bëri asnjëherë praptazi në detyrën e tij kryesore.

Për këtë qëllim ai jo vetëm mobilizoi “grupet e sulmit”, njësi profashistësh që do të merrnin pjesë drejt për së drejti në kryengritjen e armatosur, por takoi vazhdimisht krerë lokalë, në veri të vendit si edhe në jug. Ethet e përkushtimit të tij për realizimin e grushtit të shtetit kundër Zogut shtoheshin vazhdimisht edhe me një fushatë intensive për organizimin e rinisë shqiptare sipas modelit të vendit të tij, duke përfshirë edhe llojet e formacioneve më ekstremiste të saj, famëkeqet grupe fashiste “Ujqit e Romës”.

Por ditët kalonin dhe fashizmi nuk po i zgjeronte dot radhët në Shqipëri, strukturat e tij nuk po bëheshin masive dhe popullore. Sidomos në Tiranë dhe në Korçë, ku nga specialisti i diversionit u mëshua më shumë, ato nuk funksionuan. Shqiptarët treguan se nuk josheshin prej kësaj ideologjie, çfarë deri ato çaste e kishin dëshmuar edhe për antagonisten e saj, komunizmin.

Ndërkohë dinakërisht edhe vetë Ahmet Zogu iu kundërvu këtij procesi. Për ta rivalizuar dhe penguar ai ngriti Organizatën e Rinisë “Zogu I”. Konkurrenca mes dy palëve jo rrallë u pasua nga ndeshje fizike dhe rrahje kolektive. Xhandarmëria zogiste, kur ndërhynte për t’i ndarë njerëzit e Xhovani Xhiros dhe simpatizantët e mbretit, nuk kujdesej fare të qe e paanshme, por dilte në mbështetje të të rinjve monarkistë.

Pikërisht midis skuadristit të pafre Xhiro dhe mikut të afërt të familjes së Ahmet Zogut, Jak Koçit, i cili e kishte pranuar misionin e tij vrasës në një takim të fshehtë në Romë me kontin Çiano, në dhjetor të vitit 1938, u ndanë punët. I pari do të nxiste trazirat në vend, kurse i dyti do të kryente vrasjen.

Sipas Geraldina Apponyi në atë drekë-kurth të Ahmet Zogut u zbulua se Koçi qe përpjekur të komprometonte të dy kuzhinierët, njërin shqiptar dhe tjetrin hungarez, “për të helmuar gjellët e çiftit mbretëror”. Pasi ia tha në sy të vërtetën Zogu “e dëboi mysafirin, e zuri për veshi dhe e hodhi me një shkelm në fund të shkallëve”.

Të nesërmen, më 15 shkurt, ai u ankua tek shefi i legatës italiane në Tiranë, Jakomoni, për një komplot që po i organizohej kundër dhe se subversioni kishte nxitjen e vetë Romës. Ahmet Zogu e vuri në dijeni se do të urdhëronte arrestimin e disa elementëve diversionistë, shumica e të cilëve katolikë.

I bëri të ditur Jakomonit se Xhovani Xhiro dhe Jak Koçi do të dëboheshin nga Shqipëria për në Itali. Pas këtij veprimi ai e informoi Legatën Britanike për çfarë po përgatisnin italianët kundër tij dhe menjëherë një raport i përfaqësisë diplomatike angleze në Tiranë u nis drejt Foreign Office-it në Londër.

Në të njoftohej se Zogu qe mjaft i sigurt se Musolini po bëhej gati të jepte urdhrin për pushtimin e Shqipërisë dhe se para kësaj do të provokohej një trazirë e çfarëdoshme, mbi bazën e të cilës do të justifikohej mbërritja e ushtrisë dhe gjoja rivendosja e rendit publik. Ky turbullim publik parashikonte edhe “një komplot për të rrëzuar qeverinë dhe për të vrarë mbretin”.

Në raportin për eprorët Legata Britanike saktësonte se Ahmet Zogu e kishte zbuluar edhe personin që merrej me organizimin e grushtit të shtetit. Londra duhej ta dinte dhe mundësisht t’i ishte në krah për të gjitha veprimet që do të ndërmerrte më pas.
 
Mbreti shqiptar, i cili ndërkohë kishte organizuar spektaklin gjyqësor dhe politik kundër komunistëve, duke i shpallur ata si rrezik i parë për vendin, ndërsa këtu gabonte, nuk i ndodhte kjo në rastin e fashistëve. Planin që Ahmet Zogu me mjaft vendosmëri dhe inteligjencë e denoncoi pabujshëm, larg syve të opinionit publik, e pohon në ditarin e tij edhe vetë Çiano kur shkruan se “Veprimi është i qartë, të vritet mbreti, shqiptarët do të bënin thirrje për ndërhyrjen e Italisë, kurora do t’i kalonte Viktor Emanuelit III dhe në një fazë të dytë – aneksim i thjeshtë”.

Sidoqoftë në 18 shkurt komploti italian për ta rrëzuar regjimin dhe vrarë Zogun kishte dështuar. Kjo qe edhe dita kur në Romë pranojnë se vazhdimi i heqjes qafe me atentat i mbretit shqiptar do t’u krijonte telashe diplomatike ose zhurmë të panevojshme gazetash, prandaj do të ndryshonin kurs. Do ta pushtonin ushtarakisht Shqipërinë, madje shumë shpejt, por këtë qëllim do ta mbanin sa të mundnin fshehur.

Ahmet Zogu po jepte shenja dëshire për t’i lënë pas gjërat e hidhura dhe me këtë rast le t’i shprehnin atij miqësi formale. Kështu një çast u duk se betejën e vogël me Italinë fashiste mbreti shqiptar e kishte fituar dhe zhvendosur në një kohë tjetër çastin kur do ta shfronësonin, siç edhe në Romë e patën vendosur që në 27 tetor 1938.

Xhovani Xhiro u arrestua dhe menjëherë, në 22 shkurt, me një avion special, u dëbua nga Tirana për në Itali. Një ditë më parë qenë arrestuar për veprimtari diversioniste edhe katër fashistë e italofilë, por për të cilët më pas Françesko Jakomoni, me porosi të Musolinit, do t’i kërkonte qeverisë së Tiranës të liroheshin.

Ndërsa filofashistët e burgosur dolën nga qelitë, në 5 mars nga Tirana Jakomoni i nisi Romës njoftimin se në Shqipëri rendi i mëparshëm i gjërave qe rivendosur dhe“se mbreti, pasi kishte provuar frikën më të madhe të jetës së tij, shkon në ekstrem duke demonstruar miqësinë e tij për ne. Ai më dërgoi përshëndetjen e tij “vëllazërore”. Fakti është se asnjë nga aktorët nuk ka folur dhe se loja vetëm po shtyhet”.

Tashmë, në fillim të muajit mars 1939, mund të thuhet se më në fund qe bërë e kuptueshme loja politike, të cilën, që prej gjysmës së dytë të dhjetorit 1938 deri në fund të shkurtit 1939, e pati kryer Ahmet Zogu. Ajo megjithatë nuk do të ndryshonte asgjë në fatin e tij. Qe me rezultat fiasko, pse jo edhe me efekt bumerang.

Goditjen e shpejtuar dhe masive kundër komunistëve ai e pati shpikur për të mbuluar atë që i duhej patjetër ta eliminonte si rrezik i vërtetë dhe imediat: skuadristët e Xhovani Xhiros. I humbi që të dyja sipërmarrjet jo vetëm se përballë kishte një shtet mjaft të madh, të fuqishëm dhe arrogant, i cili ia kishte vënë thonjtë në fyt, por edhe sepse për nevoja politike Zogu u shtirr.

Zogut nuk i duhej thelbi, por sipërfaqja. Arrestimeve të komunistëve dhe sidomos gjyqit të madh ai i dha aq shumë pompë sa e gjitha u kthye kundër tij. Gjer në çastin kur këta rrinin në tre sallat e izoluara të Burgut të Vjetër punët shkonin disi mirë për planin mbretëror, por kur të akuzuarit dolën në sallën e madhe të godinës së bashkisë së kryeqytetit dhe sidomos kur Qemal Stafa shqiptoi të padëgjuarën deri atëherë“Jam komunist i bindun dhe deklaroj se vetëm komunizmi do ta shpëtojë masën e punëtorisë së sot ndodhet e shtypun; jam i sigurt se çfarëdo që të ndodhë, ne komunistët do ta shpëtojmë Shqipninë...”, idetë e tyre u bënë shumë popullore. Në vetëm pak ditë komunizmi bolshevik kishte fituar terren politik sa për dekada të tëra pune ilegale.

Kështu Ahmet Zogu, duke bërë të kundërtën e saj që në të vërtetë dëshironte, e ndihmoi mjaft përhapjen e tij.Kjo shtysë e madhe propagandistike për depërtimin e shpejtë, të mëvonshëm, të komunizmit në Shqipëri, do të ndihmohej edhe nga pushtimi fashist italian, i cili u kryer nga 7 deri në 9 prill, kur e vuri kontrollin në të gjithë territorin. Në frontin e rezistencës me armë, tepër i zbehtë dhe qëllimisht i çorganizuar, asnjë komunist nuk do të ndodhej.

As në arkivat e Shtetit dhe as në kujtimet e njerëzve nuk ndesh në gjurmë të tyre. Historiografia e gjysmëshekullit diktatorial citon vetëm rolin e Hamit Shijakut në një demonstratë në Tiranë, por edhe kjo e zhvilluar në mbrëmjen e 3 prillit në kinemanë “Gloria”. Në 5 prill disa simpatizantë të komunizmit në gjimnazin e Tiranës i kërkuan qeverisë lirimin e të burgosurve të Gjyqit Special.

Qemal Stafa, njeriu që edhe për tre vite të tjera do të bëhet një nga figurat më karizmatike të stalinistëve shqiptarë, ndërkohë ndodhej në një qeli të Burgut të Vjetër dhe mundi të dalë prej andej vetëm në fund të ditës së 7 prillit, pasi në të shpërtheu revolta. Gjatë ikjes u plagos dhe pushtimin e përjetoi në pamundësi të ngrihej në këmbë.

Në mbrojtjen me armë, në portin e Durrësit apo në tre drejtimet e tjera të sulmit pushtues, Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë, ishin të tjerë ata që luftuan, popull i thjeshtë shumica, disa reparte ushtrie apo xhandarmërie si edhe një emër i madh patrioti, Mujo Ulqinaku. Por edhe oficeri të lartë: Abaz Kupi.

Që komunistët shqiptarë nuk e kanë dhënë dëshminë e tyre të vetëmohimit, përveç fajit të tyre para historisë, ka ndodhur edhe sepse shumë nga ata ndodheshin në gjendje burgimi dhe internimi. Ahmet Zogu, vetëdijshëm apo jo, i kishte paralizuar. Me këtë rast pati dobësuar edhe mbrojtjen e vendit të vet, prej të cilit, po të humbiste fronin, kishte gjykuar me kohë të zgjidhte shpëtimin e vetvetes, ikjen.

Në 7 prill 1939 në Shqipëri hyri me dhunë fashizmi, i cili tërthorazi do të ndihmonte që po me forcë të vërshonte edhe komunizmi. Këtij kobi i dha dorë atë pranverë të trishtë edhe vetë Zogu. Pse jo edhe disa nga shtetet e demokracive perëndimore. Vendi ynë i vogël ra nën zgjedhë dhe pavarësia e tij i likuidua mes heshtjes apo vetëm mërmëritjes së Parisit, të Londrës apo Uashingtonit.

“Për momentin opinioni publik ndërkombëtar është i qetë”, shkruante në ditarin e tij Konti Çiano. Më pas ai gërvishi mbi letrën e bardhë të radhoit të shënimeve edhe këto fjalé: “E takova Duçen disa herë. Ai është i qetë, frikshëm i qetë dhe më shumë se kurrë i bindur se askush nuk do të dojë të ndërhyjë në punët tona me Shqipërinë”.

Në 10 qershor në Legatën Shqiptare në Uashington erdhi nga Departamenti Amerikan i Shtetit urdhri për mbylljen e saj, ndërsa një ditë më pas drejt Tiranës qe nisur porosia që sa më shpejt t’i vihej kyçi edhe përfaqësisë së tyre diplomatike. Në 14 korrik numri një i Legatës Franceze në kryeqytet, Louis Mercier, bashkë me të shoqen, u larguan nga Shqipëria. Shefi i asaj Britanike, Konsulli i Përgjithshëm Andreë Ryan, edhe ai me në krah me bashkëshorten, u larguan nga Shqipëria më 17 korrik. Kështu fashizmi dhe komunizmi do të hynin dhe rrinin në viset tona njëri pas tjetrit, madje të dy së bashku, në të njëjtën kohë. Nga 7 prilli 1939 deri në funddhjetor 1990 ata vetëm do të alternoheshin.

Ylli Polovina
Tiranë, më 28 mars 2013


Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.04.2103


Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë, presidenti Begaj: Ftoj bashkëatdhetarët tanë të kenë angazhim e iniciativë të çojnë para arritjet e kombit shqiptar

112-vjetori i Pavarësisë, presidenti Begaj: Ftoj bashkëatdhetarët tanë të kenë angazhim e iniciativë të çojnë para arritjet e kombit shqiptar