Ofensiva e befasishme e Ukrainës në rajonin rus të Kurskut e ka tronditur Kremlinin. Megjithatë, sipas zyrtarëve kryesorë të inteligjencës amerikane, ende nuk dihet se cili do të jetë ndikimi i kësaj ofensive ushtarake, me plot rreziqe.
Zëvendës drejtori i CIA-s David Cohen tha të mërkurën, gjatë një konference mbi sigurinë që u mbajt diku pranë Uashingtonit, se ofensiva e Kievit brenda territorit rus nuk tregon shenja se po dobësohet. Kjo ofensivë, sipas zotit Cohen, po e detyron Presidentin rus Vladimir Putin të përballet me pasoja të brendshme.
“Ata janë ende brenda Rusisë, po përforcojnë mbrojtjen”, tha Cohen ndërsa fliste për forcat ukrainase në Kursk.“Ata duket se kanë qëllim që të mbajnë nën kontroll një pjesë të atij territori”.
“Putini do të detyrohet të përballet jo vetëm me faktin se tani brenda territorit rus ekziston një fushëbetejë, por ai duhet të përballet edhe me jehonën që ka shkaktuar ajo, në shoqërinë ruse”, tha Cohen. “Inkursioni ka fuqinë që në të ardhmen të ndryshojë sado pak dinamikën”.
Forcat ukrainase u futën brenda territorit rus më 6 gusht, duke kryer atë që vlerësohet se është sulmi më i madh në Rusi prej Luftës së Dytë Botërore. Rreth 130 mijë banorë rusë janë detyruar të largohen nga luftimet në Kursk, në pritje të përforcimeve ruse. Shefi i ushtrisë ukrainase tha të martën se forcat e Kievit kanë kapur rob pothuajse 600 ushtarë rus dhe kanë marrë në kontroll një territor prej rreth 1300 kilometrash.
Zëvendës shefi i CIA-s, Cohen tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se Ukraina ka nën kontroll 770 kilometra katrorë të territorit në Kursk.
“Ne jemi të sigurt se Putini do të nis një kundër-ofensivë në përpjekje për të rimarrë territorin e humbur. Por, ende nuk e ka nisur”, tha ai. “Kur kundër-ofensiva të fillojë, ne presim që forcat ruse të përballen me një luftë të vështirë”.
Momentalisht, forcat ruse duket se janë përqendruar në pushtimin e Pokrovskit, një qendër me rëndësi për furnizimin e forcave ukrainase në pjesën lindore të Ukrainës.
“Rusët po përparojnë aty”, tha Cohen, duke nënvizuar se ky përparim i forcave ruse po u shndërrohet në një kosto të madhe.
Por, edhe nëse forcat ruse kanë sukses në pushtimin e Pokrovskinit, Cohen tha se kjo fitore do të sillte përfitim të vogël për Moskën.
“Në aspektin strategjik, ndikimi nuk do të jetë rrënjësor”, tha ai.
Sulmet Ukrainase në Rusi
Ndërkaq, Ukraina ka vazhduar përpjekjet për të detyruar Rusinë të mbrohet. Forcat ukrainase sulmuan me dronë të mërkurën disa zona në pjesën jug-perëndimore të Rusisë, duke shkaktuar zjarr masiv në një magazinë karburanti në Rostov.
Vasily Golubev, guvernatori i Rostovit shkruante në aplikacionin për shpërndarjen e mesazheve, ‘Telegram’, se zjarrëfikësit po punonin për të shuar zjarrin dhe se nuk kishte viktima. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte rrëzuar katër dronë ukrainas mbi rajonin e Rostovit dhe tetë të tjerë në rajonin e Voronezhit.
Zyrtarët në Voronezh nuk njoftuan për të vrarë apo të plagosur. Në rajonin e Belgorodit që gjendet në kufi me Ukrainën, guvernatori Vyacheslav Gladkov tha se sulmi ukrainas me dronë dëmtoi tre shtëpi, por nuk pati të lënduar. Mbrojtja ajrore ruse gjithashtu rrëzoi një dron ukrainas mbi rajonin Kursk.
Sulmet Ruse në Ukrainë
Në Ukrainë, Guvernatori i Dnipropetrovsk-ut, Serhiy Lysak tha se një sulm rus vrau të paktën tre persona dhe dëmtoi infrastrukturën në qytetin Kryvyi Rih. Lysak tha se sulmi u bë ndërsa ndërsa qyteti është ende në zi, pas një sulmi të përgjakshëm me raketa të martën në një hotel. Guvernatori i Kharkivit, Oleh Syniehubov tha se një raketë ruse kishite dëmtuar disa shtëpi dhe kishte plagosur 12 persona./VOA
Po ore po si te thone amerikanet por problemi qendron se e shkaterruat Ukrainen si nga ana ushtarake dhe ekonomike dhe perfundimi dihet i futin nje te ikur gringot dhe vk popullit te shkrete
Përgjigju