/ATSH-AFP/ - Presidenti rus, Vladimir Putin diskutoi dje në mbrëmje për bashkëpunimin e Rusisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMI) dhe zhvilloi një bisedë telefonike me homologun francez, François Hollande pas refuzimit të planit të kreditorëve nga Greqia.
Gjatë një bisede telefonike me drejtoreshën e përgjithshme të FMN-së, Christine Lagarde, Putin diskutoi për bashkëpunimin e Rusisë me FMN në kuadër të rezultateve të referendumit më 5 korrik në Greqi", njoftoi Kremlini në një komunikatë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, theksoi më pas se kjo bisedë nuk kishte lidhje me një ndihmë ruse për Greqinë duke shtuar se ajo kishte lidhje me një iniciativë të presidentit rus, sipas propozimeve të raportuara nga agjencia ruse e lajmeve "Interfax".
Putin zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike me presidentin francez, François Hollande, me të cilin ai diskutoi për situatën në zonën euro pas referendumit grek.
Presidenti rus i shprehu dje kryeministrit grek, Aleksis Cipras mbështetjen e tij për popullin grek përballë vështirësive që duhet të kapërcejë duke shpresuar që Greqia të gjejë një kompromis me kreditorët evropianë pas referendumit që shënoi fitoren e "jo"-së përballë kërkesave të FMN-së, BE-së dhe BQE-së.