Putin, Erdogan dhe interesat ruse në Siri. Loja delikate diplomatike në zhvillim

Putin, Erdogan dhe interesat ruse në Siri. Loja delikate diplomatike në zhvillim

Presidenti rus Vladimir Putin nuk e dënoi haptas "Operacionin Pranvera e Paqes" të Turqisë në verilindje të Sirisë - por vështirë se mund të jetë i lumtur me ofensivën.

Sipas një deklarate të Kremlinit, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i telefonoi Putinit para se Turqia të niste ofensivën.

Putini "u bëri thirrje partnerëve të tij turq ta mendojnë veprimin e tyre me kujdes, në mënyrë që të mos dëmtojnë përpjekjet e përbashkëta për zgjidjen e krizës siriane".

Për vëzhguesit në Moskë, megjithatë, ky operacion është shumë më i dëmshëm për interesat ruse nga sa lë të kuptohet deklarata e Kremlinit.

Vyacheslav Matusov, ekspert i Lindjes së Mesme dhe ish-diplomat, thotë se "ofensiva ushtarake turke nuk është në interesin e Rusisë, sepse Rusia beson se qeveria siriane duhet të jetë ajo që vendos rregullin në territorin e Sirisë".

Në fund të fundit, forcat ruse hynë në luftë në vitin 2015 për të mbështetur qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Asad, dhe mbështetja ushtarake ruse në thelb ka bërë që konflikti të ecë në favor të qeverisë siriane vitet e fundit.

Të dielën, Presidenti Putin nguli këmbë që çdo forcë që nuk është thirrur nga qeveria e Asadit për ndihmë në luftë, është në thelb pushtues i paligjshëm dhe duhet të largohet nga vendi. Ai me siguri nënkuptonte me këtë forcat amerikane - por me siguri edhe forcat turke. Por zyrtarët rusë i kanë quajtur vazhdimisht shqetësimet e Turqisë për sigurinë në operacionin e saj kundër forcave kurde, të ligjshme.

Duke ecur në tra ekuilibri

Nëse deklaratat janë kontradiktore, kjo është sepse ato nxjerrin në pah aktin e tanishëm të ekuilibrit diplomatik të Rusisë për operacionin e Turqisë, në një kohë kur Rusia përpiqet të paraqesë veten si ndërmjetëse në këtë konflikt të ndërlikuar.

"Ky operacion e vendos Rusinë në një pozitë shumë të parehatshme," shpjegon Alexander Golz, një ekspert i pavarur ushtarak rus. "Rusia duhet të manovrojë në mënyrë që të mos shkatërrojë marrëdhëniet me Turqinë, të mos shkatërrojë marrëdhëniet me kurdët dhe të vazhdojë marrëdhëniet me Sirinë e Asadit".

Në një kohë që synimi përfundimtar i Rusisë në Siri është t'ia kthejë të gjithë territorin e Sirisë qeverisë së Damaskut, Rusia gjithashtu po e mban Turqinë në krah, shoqëruar edhe me një retorikë të kujdesshme.

Vladimir Putin është takuar rregullisht me krerët turq dhe iranianë në kuadër të bisedimeve për paqen në Astana; ai gjithashtu vetëm këtë vit ka zhvilluar disa takime bilaterale me Rexhep Tajip Erdogan. Kohët e fundit Turqia përfundoi blerjen e sistemeve raketore ruse S-400, pavarësisht kritikave nga aleatët e saj të NATO-s.

Gjetja e ekuilibrit

Operacioni ushtarak i Turqisë mund të jetë i pakëndshëm për Rusinë, por gjithashtu ai i jep asaj një mundësi për suksese të reja si ndërmjetëse në konfliktin e Sirisë, veçanërisht pasi SHBA nisi tërheqjen e plotë ushtarake nga Siria.

Gjatë fundjavës, forcat kurde arritën një marrëveshje me forcat e qeverisë siriane për të shmangur ofensivën turke, në thelb duke u dhënë kontrollin e disa qyteteve kufitare në rajon forcave siriane të mbështetura nga Rusia. Marrëveshja u ndërmjetësua nga Rusia, në një kohë kur kurdët ishin me SHBA kurse tani me Damaskun.

Pozitë e sigurtë

Megjithëse Moska mund ta kthejë operacionin ushtarak të Turqisë kundër forcave kurde në verilindje të Sirisë në një ‘ushtrim’ delikat diplomatik, ofensiva është shumë më tepër sesa thjesht një lojë për Rusinë.

Të premten, Putini paralajmëroi në një takim të ish-udhëheqësve sovjetikë që me operacionin turk, luftëtarë të Shtetit Islamik po ikin nga objektet e ruajtura më parë nga milicët kurdë, të cilët ishin sulmuar nga forcat turke. "Ky është një kërcënim i vërtetë për ne”, - tha Presidenti rus.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Proka: 16/10/2019 13:52

    Ruset ne fillim fituan miliarda nga Asad per ta mbrojtur e tani bejne lojen e ndyre politike me Turqit kriminele duke ju shitur arme luftarake per te vrare popullaten civile Kurde. Erdogan duhet izoluar politikishte ne tere boten per te arritur paqja ne Siri.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja