Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi sot ndërtimin e gazsjellësit, nëpërmjet të cilit Rusia do të eksportojë për herë të parë gaz drejt Kinës dhe do të riekuilibrojë shkëmbimet tregtare drejt Azisë, në një kohë që marrëdhëniet me Perëndimin janë përkeqësuar.

"Ne kemi nisur projektin më të madh të ndërtimit në botë. Nuk do të ketë projekt më të rëndësishëm në një të ardhme të afërt", nënvizoi Putin, i cituar nga agjencitë ruse të lajmeve në një ceremoni në Jakuti, në Siberinë Lindore.
"Më e rëndësishmja nuk është rekordi, por bëhet fjalë për një projekt të një rëndësie të veçantë për Federatën Ruse si edhe për Republikën Popullore të Kinës", shtoi ai.

Gazsjellësi "Forca e Siberisë", me një gjatësi rreth 4 000 kilometra dhe me një kapacitet prej 61 miliardë metrash kub, do të mundësojë livrimin e gazit nga Siberia Lindore drejt Lindjes së Largët, në Kabarovsk dhe Vladivostok që janë në kufij me Kinën.

Kjo megakontratë vlerësohet rreth 400 miliardë dollarë për 30 vite dhe parashikon livrimin e 38 miliardë metrave kub gaz në vit duke filluar nga viti 2018.

Eksportimet e gazit rus bëhen aktualisht drejt vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik dhe Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje mundëson dëshirën e Moskës për të ekuilibruar tregtinë e saj të jashtme, që aktualisht ështe e drejtuar krejtësisht nga BE-ja.

Nevoja e këtij projekti, e diktuar tashmë nga situata ekonomike më dinamike në Azi sesa në Evropë vitet e fundit, u përforcua edhe nga kriza e paprecedentë që prej Luftës së Ftohtë mes Moskës dhe perëndimorëve.
Evropianët, për më tepër, po përpiqen të reduktojnë varësinë e tyre ndaj gazit rus, ndërkohë që lufta e re e gazit që kundërvë Kievin dhe Moskën rrezikon të pengojë furnizimet drejt Evropës këtë dimër./ATSH/