Presidenti rus Vladimir Putin iu përgjigj sot kërcënimeve për sanksione të reja, të paralajmëruara një ditë më parë nga homologu i tij amerikan, Barack Obama. Duke folur në Uashington, Obama apleoi për sanksione të reja ndaj Rusisë, e cila, sipas tij, nuk po arrin të përmbushë premtimet për uljen e tensioneve në Ukrainën lindore.

Nga ana tjetër, Putin kërcënoi se sanksionet e SHBA nuk do të sjellin veçse një humbje të madhe të interesave të biznesit amerikan në Rusi. 

“Sanksionet e SHBA kundër Rusisë do të jenë një boomerang për të dhe pa asnjë dyshim do t’i çojnë marrëdhëniet SHBA-Rusi në një qorrsokak duke shkaktuar dëme shumë serioze të interesave kombëtare afatgjata amerikane.” tha Putin

Putin iu referohet kompanive të mëdha energjitike amerikane që punojnë në Rusi, të cilat sipas tij do të humbisnin aftësinë e tyre konkurruese në kompanitë globale të energjisë si dhe do të përballen me disa kufizime të tjera nga ana e Rusisë. Duke folur për këtë, presidenti rus përmendi kompaninë më të madhe të naftës Rosneft, e cila kishte një marrëveshje miliarda dollarëshe me kompaninë amerikane ExxonMobil për të zhvilluar fushat fitimprurëse të naftës në Rusi. 

Jo më larg se dje, edhe krerët e BE ranë dakord për sanksione të reja si miratimi i një liste personash që do t’u bllokohej pasuria dhe vizat në BE, në rast se lufta në lindje të Ukrainës vijon të përshkallëzohet.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)