“Rabotajte, bratja”. Punoni, vëllezër, thotë ai. Përgjigjja ndaj letrës së hapur të Volodymyr Zelensky përmblidhet në këto dy fjalë. Ndërsa fliste për ekonominë – “kemi pasur një rënie, tani jemi në nivelin e vendeve të Bashkimit Europian” – ai u përgjigj me një ton të qetë, shpeshherë edhe me buzëqeshje. Por fytyra iu bë serioze kur deshi t’i dërgonte një mesazh të qartë presidentit ukrainas.
“Duke iu drejtuar luftëtarëve tanë në vijën e frontit, dua të them: shokë ushtarë dhe marinarë, oficerë, admiralë dhe gjeneralë, i gjithë vendi i ka sytë te ju, i gjithë vendi është krenar për ju dhe i ka varur tek ju shpresat e veta. Punoni, vëllezër”.
As që bëhet fjalë për paqe.
“Sa u përket operacioneve ushtarake, ne nisemi nga fakti se një ditë ato do të përfundojnë dhe, pa asnjë dyshim, do të përfundojnë kur të kemi arritur objektivat që i kemi vendosur vetes”.
Kjo do të thotë se takimi me Zelenskyn nuk do të zhvillohet? – pyet moderatorja indiane e seancës plenare të Forumit Ekonomik të Shën Petersburgut.
“Nuk shoh asnjë arsye për të”, është përgjigjja e prerë.
Vladimir Putin duket thuajse i palëvizshëm. Rreth tij, në Rusi, ka një gjallërim dhe madje edhe një debat të vakët mbi perspektivat e kësaj lufte, për të mos folur për vështirësitë e jetës së përditshme të bashkatdhetarëve të tij, por asgjë nga këto nuk reflektohet në fjalët e tij.
Letrës së Zelenskyt, e drejtuar ndaj tij por e menduar qartësisht për të ndikuar në opinionin publik rus, ai i kushton fjalë të mbushura me ironi të ashpër.
“E lexova, kështu, shkarazi. Para së gjithash, autori përmendi moshën time. Epo, çfarë mund të thuhet? Nuk është kjo gjëja kryesore. Më të rëndësishme janë aftësia për të vepruar dhe për të punuar. Gjithsesi, pala ukrainase e pa të arsyeshme t’i japë jehonë publike këtij aspekti të marrëdhënieve tona, gjë që sipas meje është e pasjellshme dhe e papërshtatshme. I vetmi interes për zhvillimin e këtij samiti është nga pala ukrainase. Ata duan të ndalin avancimin e forcave tona të armatosura, vetëm kaq. Kjo letër përmban elementë të vërtetë vrazhdësie dhe është një mënyrë për ta bërë të pamundur çdo takim personal”.
Megjithatë, vështrimi mbi letrën duket se ka qenë gjithçka tjetër veçse i shpejtë, sepse Putini vazhdoi të sulmojë përmbajtjen e saj.
“Autori thekson se nuk është e nevojshme të respektohen marrëveshjet e arritura në Anchorage. Dhe se duhet të përfshihet Europa. Nuk e kam shumë të qartë pse po i mohohet roli i garantuesit administratës amerikane dhe presidentit Trump. Duan të marrin armë nga SHBA-ja, por për ndonjë arsye nuk duan ta shohin administratën amerikane dhe presidentin Trump si garantues. Kjo ngre shumë pikëpyetje”.
Si dëshmi e një lidhjeje që nuk është ndërprerë kurrë plotësisht, Putini mori “përshëndetjet e përzemërta” të Donald Trump, të sjella personalisht nga Rodney Mims Cook Jr., kreu i delegacionit amerikan në forum dhe njeriu mbi të cilin rëndon detyra e ndërtimit të sallës së vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë, aq shumë e dëshiruar nga Trump.
Sikur të donte të theksonte se do të flasë vetëm me homologun amerikan, ai u takua më pas me Gerhard Schröder, një figurë aq e diskredituar sa e bën të pamundur idenë e një roli të tij si ndërmjetës. Edhe ky takim u duk si një përgjigje indirekte ndaj kërkesës ukrainase për përfshirjen e Europës në një tryezë të mundshme negociatash.
Alternativa të tjera nuk duken në horizont.
Edhe sepse, sipas tij, “elitat europiane po nxisin një kaos ku përpiqen të tërheqin gjithnjë e më shumë vende”.
Më pas ai akuzoi Perëndimin se po minon ekonominë dhe financat globale përmes sanksioneve.
Presidenti rus mohoi çdo vështirësi të ushtrisë së tij në front.
“Në të njëjtën letër thuhet se ne nuk do të arrijmë kurrë ta çlirojmë Donbasin. Por ne po përparojmë me qetësi, por me vendosmëri. Dhe nuk ka asnjë dyshim se do ta arrijmë këtë. Gjithashtu, në fushën e negociatave do të vazhdojmë të këmbëngulim për denazifikimin e Ukrainës”.
Pa u dukur aspak i irrituar, ai iu rikthye sërish letrës, duke e kthyer çështjen në një problem etikete.
“Të gjithë e kemi parë se si Donaldi, para syve të gjithë botës, ishte marrë me edukimin e autorit që shpesh sillet si Rambo, duke i mësuar se çfarë është kodi i veshjes”, tha ai duke iu referuar trajtimit të ashpër që Zelensky mori gjatë vizitës së tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.
“Faleminderit, Donald, por ka ende shumë punë për të bërë, duhet vazhduar”.
Ashtu siç duhet të vazhdojë edhe lufta, kush e di se për sa kohë ende.
Duke folur për vendosmërinë e Putinit për të vazhduar konfliktin, gazetari dhe komentatori rus Mikhail Rostovsky shkroi pak ditë më parë se:
“Liderët e mëdhenj marrin vendime bazuar në mënyrën e tyre të të kuptuarit të realitetit”.
Ndoshta, pikërisht ky është problemi./ Corriere della Serra
Komente









