Sigurimi i ndihmës së re ushtarake evropiane me vlerë rreth tre miliardë euro, e cila pritet të vihet në dispozicion javën e ardhshme, u njoftua nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pas një komunikimi që pati me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas u ankua se Rusia vazhdon të godasë infrastrukturën energjetike të vendit të tij, edhe pas njoftimit të Presidentit amerikan Donald Trump për një armëpushim energjetik, duke iu referuar sulmeve në Kiev dhe rajonin e Kharkiv.

Vlen të përmendet se, nga pala ruse, deri më tani nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare as për njoftimin e armëpushimit nga Trump dhe as për akuzat e Zelensky-t.

Në postimin e tij, Zelensky tha se pati një diskutim të gjerë me Von der Leyen-in rreth bashkëpunimit midis Ukrainës dhe Bashkimit Evropian, nevojave të mbrojtjes së vendit të tij dhe vendimeve të nevojshme për të vazhduar mbështetjen evropiane.

Presidenti ukrainas falënderoi kreun e Komisionit për ndarjen e 1.24 miliardë eurove, një shumë që siç tha ai, Ukraina e ka marrë tashmë për mbrojtjen e saj. "Jam mirënjohës për konfirmimin se afërsisht tre miliardë euro të tjera në mbështetje ushtarake do të ndahen që javën e ardhshme. Këto fonde do të na forcojnë", vuri në dukje Zelensky.


Lajmi kryesor:

Trump shpall armëpushimin energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, Zelensky: Nuk e dija, na tregoni kur nis! Për largimin tim vendosin vetëm ukrainasit