Të paktën 13 persona janë vrarë dhe mbi 90 të tjerë janë plagosur pas një sulmi masiv me raketa dhe dronë që Rusia kreu gjatë natës ndaj Kievit dhe disa rajoneve të tjera të Ukrainës. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Kliçko, e cilësoi atë si “sulmin më masiv” ndaj kryeqytetit ukrainas dhe shpalli të premten ditë zie.

Sulmet goditën një zonë shumë të gjerë të qytetit. Mes objekteve të dëmtuara janë pallate banimi, një stacion ambulance, një institut shkencor, një hotel dhe disa biznese. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënoja, ndërsa mes të plagosurve ka edhe fëmijë. 

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi gjatë natës 74 raketa dhe 496 dronë, kryesisht drejt Kievit.  Sipas ushtrisë ukrainase, mbrojtja ajrore arriti të rrëzojë pjesën më të madhe të tyre, por 25 raketa balistike dhe 12 dronë goditën 33 objektiva.

Pamjet nga Kievi treguan kraterë të mëdhenj pranë ndërtesave të banimit, makina të djegura dhe ndërtesa të shkatërruara. Gjatë natës shpërthyen zjarre në disa zona të qytetit, ndërsa një hotel në qendër u përfshi nga flakët. Një stacion ambulance u dëmtua rëndë dhe të paktën një person mbeti në gjendje kritike.

Presidenti ukrainas tha se pesë nga viktimat ishin në rajonin e Harkivit, mes tyre edhe një fëmijë, ndërsa dy të tjerë humbën jetën në rajonin e Kievit. Sulme u raportuan edhe në rajonet Sumi, Dnipro, Zaporizhja dhe Çerkasi.

Pas sulmit, Zelenski i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të miratojnë licencat që do t'i lejojnë Ukrainës të prodhojë raketa Patriot.

“Ne i mbajmë shpresat te vendimi i Shteteve të Bashkuara për licencat e raketave Patriot. Furnizimi i Ukrainës me sisteme të mbrojtjes ajrore është një prioritet absolut dhe një çështje vendimtare. Kjo është ajo që mund ta ndalë luftën dhe sulme të tilla”, shkroi ai.

Zelenski theksoi se marrëveshjet dypalëshe me partnerët për mbrojtjen ajrore janë shumë të rëndësishme, por shtoi se zbatimi i marrëveshjeve për prodhimin e raketave antibalistike duhet të përshpejtohet.

Sulmi ka sjellë reagime edhe nga Bashkimi Evropian. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, njoftoi se do të propozojë sanksione të reja ndaj subjekteve që mbështesin kompleksin ushtarako-industrial rus.

“Fjalët e dënimit nuk mjaftojnë për të ndalur sulmet ndaj Kievit. Vetëm mbështetja e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën dhe rritja e presionit ndaj Moskës mund ta bëjnë këtë.Sa më shumë që Moska sulmon civilët, aq më shumë sanksione duhet të vendosen. Duhet të vazhdojmë t'ia rrisim koston Rusisë derisa të kuptojë se nuk mund ta fitojë këtë luftë”, shkroi Kallas në rrjetin X.

Sulmi është goditja e parë e përmasave të tilla me raketa dhe dronë që Rusia kryen ndaj Ukrainës pas më shumë se dy javësh.