TIRANE- Si vijoi biseda në takimin e tetorit 1992 mes ish-presidentit Berisha, Christine von Kohl, përfaqësuesit polak Novicki dhe Fatos Lubonjës? Regjistrimi i panjohur zbulon se si Von Kohl i tërhiqte vëmendjen Berishës për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, ndërsa Berisha fliste për artikujt ku von Kohl paralajmëronte luftë civile në vend…  

Pas kësaj, pjesa e dytë e regjistrimit që po sjellim sot bashkë me disa konkluzione nga historiani Arben Puto tregon një përplasje mes të pranishmëve në takim, pasi Berisha kërkon të largojë nga takimi Fatos Lubonjën, pasi sipas tij do të thoshte dicka që ai s’duhej ta dëgjojë. Në fund pas shumë kundërshtish Christine von Kohl propozon të mbyllin magnetofonin dhe duket se pjesa tjetër e bisedës mes tyre nuk është regjistruar.

Arben Puto e sjell të zbardhur deri në këtë pikë bisedën e këtij takimi e mandej analizon e nxjerr disa konkluzione mbi të drejtat e njeriut dhe rolin e Berishës në krijimin e një atmosfere tw atillë, ku këto të drejta shkeleshin çdo ditë…

Ky tekst është shkëputur nga libri i fundit i Historianit Arben Puto me titull “Sfidat e të drjetave të njeriut për një shoqëri të lirë”, botuar këto ditë nga “Toena”. 

 
Vijon nga dje…

Arben Puto: Luftë civile? Biseda e panjohur mes Berishës dhe von Kohl


Christine: Ai thotë se prej 10 ditësh ai nuk pi ujë, dhe ai mund të jetojë kështu vetëm 28 ditë. Ai po e shtron çështjen për ju... Gazetari është akuzuar si armik dhe ne kemi vënë re se këto akuza janë përdorur mjaft shpesh...

Berisha: Në ç’gazetë?
Christine: Veçanërisht në “Rilindjen Demokratike” dhe gazeta të tjera.
Berisha: Ku e keni gjetur dokumentin që ai është quajtur “armik”?
Christine: Ma kanë thënë mua.

Berisha: Ju duhet të më sillni një dokument.
Lubonja: Ai është quajtur “armik i demokracisë”.
Berisha: Ku?

Lubonja: Në gazeta, ju mund ta lexoni.
Berisha: Ju e shkruani.. Ju jeni një komision vëzhgues (fact finding). Çdo gjë duhet të jetë e dokumentuar. Unë do të them diçka për këtë... mos u shqetësoni. Më falni, a është e domosdoshme që z. Lubonja të jetë këtu? Sepse unë kam disa probleme...
Novicki: Ai është sekretar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Berisha: Kam një informacion që mund t’jua them juve si President, por jo kujtdo.
Christine: Ne e njohim shumë mirë z. Lubonja.

Berisha: Unë nuk bëj akuza, por unë nuk jam i autorizuar t’ia shpjegoj atij.
Novicki: Por Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka të njëjtën pozitë që kemi ne këtu...
Berisha: Komiteti Shqiptar i Helsinkit është, por ka disa probleme që ... nuk mund të thuhen në publik.
Novicki: Ju e krijoni situatën... Më vjen shumë keq.

Christine: Ju mund t’i kërkoni zotit Lubonja të mos flasë për këtë.
Novicki: Sepse kjo është çështje besimi, ja pse jemi këtu.
Berisha: Jo, është diçka më e ndryshme.

Lubonja: Ju mund të thoni gjithçka ... në qoftë se ju keni diçka kundër meje... në qoftë se keni prova kundër meje... e nëse doni të më dëgjoni, unë mund t’ju them çdo gjë.
Berisha: Jo... Jo...
Christine: Nëse doni një bisedë intime, le ta mbyllim këtë (magnetofonin).
 
Post-scriptum
 
Këtu mbaron regjistrimi i bisedës. Duke i hedhur një sy përmbajtjes, tërheqin vëmendjen disa pika kryesore që nxjerrin në shesh fare qartë figurën e Berishës që nuk shkëputet dot nga metodat e së kaluarës. Bashkë me Christine patëm renditur këto momente të debatit.

Së pari, bie në sy shprehja që përdor Berisha për “familjet kriminale” të Bllokut. Të lëmë mënjanë faktin se ai vetë ka qenë një vizitor i rregullt i oborrit të Bllokut. Ai shkonte aty jo vetëm si mjek, por edhe si mik i këtyre familjeve. Tani ai i quan këto familje “kriminale” (familja e E. Hoxhës dhe familja Kapo) dhe i përflet Christine-s që ajo del si avokate e tyre.

Është një koncept krejt i huaj për të drejtat e njeriut, nuk ka “familje kriminale”, mund të ketë një anëtar të familjes fajtor për krim; përgjegjësia është individuale. Edhe familjet e Bllokut duhet të trajtohen sipas parimeve të të drejtave të njeriut, të vihen para përgjegjësisë kur është rasti, por jo të keqtrajtohen thjesht sepse janë ato familje.

E njëjta gjë edhe për lidhjet familjare që Berisha nxjerr si argument për të ndërhyrë në punët e brendshme të një organizate të pavarur, duke imponuar preferencat e tij në përbërjen dhe në drejtimin e saj. Berisha e dinte mirë se ishte A. Puto që bëri intervistën në “Zërin e Amerikës”, duke kërkuar lirimin e të burgosurve dhe të internuarve.

Kërkesa për lirimin e të burgosurve dhe të internuarve i përket asaj deklarate dhe nuk ka qenë aspak problem i partisë së tij. Kunati i tij, M. Myftiu, si zëvendëskryeministër që mbulonte “drejtësinë” pati fatin e keq dhe detyrën e mallkuar të vinte firmën në listat që i sillte Ministria e Brendshme, por Arbeni doli dhe kërkoi lirimin. “Nuk kam asgjë kundër, ai është shkencëtar, por ka kunatin”, vazhdon Presidenti.

Një shkelje e tillë flagrante i jep rastin Christine-s të denoncojë këto metoda dhe të thotë hapur se kjo është një prirje për të ndjekur parimin e vjetër të kohës së E. Hoxhës, kur bashkë me fajtorin e pësonin gjithë anëtarët e familjes.

Është edhe një fakt tjetër që e plotëson tablonë. Në tetor, me Berishën pati një takim edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare, Gerald Nagler. Berisha tha se biseda kishte shkuar shumë mirë. Nagler nuk tha asgjë, madje “ai ishte i kënaqur për çdo gjë”.

E përgënjeshtroi vetë Nagler me intervistën që dha në fund të tetorit e që po botohet e plotë. A e ka lexuar ndonjëherë këtë intervistë Berisha? Që në titull Nagler thotë: “Në Shqipëri po ndiqen të njëjtat metoda si në të kaluarën”. Mund të lexohet. Shprehet jo vetëm për Komitetin e Helsinkit. Por edhe për gjendjen e përgjithshme në Shqipëri. Mund të mjaftohemi me një frazë të shkëputur: “Aktualisht në Shqipëri më lehtë i besohet një intrige sesa dhjetë të vërtetave” (nënvizuar në tekst).

Lidhur me Komitetin, vlen të përmendet një “sugjerim” i Berishës. I thotë Christine-s se, në qoftë se nuk i beson atij për çështjen Puto, “le të bëjë një mbledhje me anëtarët e Komitetit”. Në të vërtetë, Berisha i ka marrë masat, është marrë vesh me disa anëtarë dhe mbledhja nuk vonon të bëhet.

Ky është një regjistrim i dytë, i plotë. Mbledhja përfundon, siç mund të pritej, me vendimin e ardhur nga lart. Shkarkohemi nga detyra, unë si kryetar, Lubonja si sekretar. Lubonja në shenjë proteste u tërhoq dhe e la Komitetin. Unë qëndrova si anëtar, nuk mund të lija një punë që e kisha filluar vetë.

Në të vërtetë koha do të më japë të drejtë. Siç u pa, Komiteti do të bjerë në pasivitet. Federata nuk hoqi dorë. Nën presionin e saj, në nëntor të 1994-ës do të bëhen zgjedhje të reja dhe unë do të thirrem përsëri në krye të Komitetit. Aktiviteti do të marrë një zhvillim të ri, duke ndjekur e denoncuar shkeljet e rënda në fushën e të drejtave të njeriut dhe të shtetit ligjor. Pushteti do të armiqësohet dhe do të godasë. Komiteti nuk përkulet.

Duke përfunduar, duhet pranuar se një pikë e fortë e Berishës ka qenë sulmi që i bëri Christine-s për një artikull të saj mbi rrezikun e një lufte civile Shqipëri. Janë faqet më të nxehta të tekstit. Siç u pa, Christine tha se e kishte vënë në pikëpyetje, por megjithatë shtoi se besonte në thelb në këtë rrezik. I njëjti mendim del dhe nga intervista e Nagler-it. Kështu, dy vëzhgues të Helsinkit e bënë me kohë prognozën. Tranzicioni u kthye në proces degradimi, që arriti kulmin me ngjarjet e 1996-1997-ës dhe të 1998-ës. Kriza mori menjëherë tiparet e luftës civile, me ndeshje të armatosura dhe me qindra viktima. Vetëm ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar e shmangu katastrofën.

Berisha zbuloi qenien dhe konceptet e tij në politikë pikërisht në kulmin e krizës, më 1997. Më 23 mars, Televizioni Publik Iranian i bëri këtë pyetje: “Sipas mendimit tuaj, kush është pas këtyre ndodhive në Shqipëri?”. Berisha u përgjigj me gjuhën e Ajatollahut: “Fatkeqësisht, sot, si nocion ekstremizmi islamik është bërë alibi përfituese me të cilën operojnë Fuqitë e Mëdha. Këtë alibi ato e shfrytëzojnë për qëllimet dhe idetë e tyre kolonialiste.

Shembulli më i mirë për këtë është situata në Shqipëri. Është fjala për aktorë të njëjtë, domethënë për ata, të cilët shkaktuan luftën në Bosnjë . Askush nuk e di se çfarë janë duke përgatitur Fuqitë e Mëdha për këtë vend. Në ribotimin e përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe, i cili u bë para katër vitesh në Egjipt, në parathënien e shkruar nga një mendimtar egjiptian, tërhiqet vërejtja për rrezikun që u kanoset shqiptarëve myslimanë”.
Christine von Kohl






































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)