Presidenti i Republikës,  Ilir Meta zhvilloi sot biseda telefonike me Kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, Kryetarin e Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, si dhe me Kryetarin e Grupit të Kuvendarëve në Komunën e Medvegjës, Muharrem Salihu.

Meta u interesua për gjendjen shëndetësore të qytetarëve në Luginë, si dhe shprehu solidaritetin e plotë me ta në këto momente të vështira.

Gjithashtu, Presidenti Meta shprehu kënaqësinë që deri tani situata në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë paraqitet e qëndrueshme sa i përket përhapjes së pandemisë COVID-19.

Një ditë më parë lideri demokrat Lulzim Basha i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të ndihmojë shqiptarët në Luginën e Preshevës.

"Lugina e Preshevës po përballet me pasojat e COVID-19. Për situatën e veçantë ku ndodhen, i bëj thirrje qeverisë të ofrojë asistencë shëndetësore përmes personelit mjekësor. Ndihma për vëllezërit dhe motrat tona atje, është detyrim kombëtar dhe kushtetues", u shpreh Basha.