Presidenti i zgjedhur dy ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, z.Bujar Nishani u shfaq mbrëmë në studion e emisionit “Opinion” për të rishkruar CV-në vetes. Dhe e bëri mirë. Duke buzëqeshur në një studio ku pyetjet ishin më tepër si riprezantim të deri dy ditë më parë ministrit të Brendshëm, për tu rikthyer në kohë se si erdhi ai deri në këtë ditë.

Nuk hezitoi të përgjigjej. Edhe kur i bënë pyetje për shëndetin, atë pikë të dobët që mediat ia kanë përmendur prej kohësh. Ai vetë e pranoi dhe sqaroi diçka. Tha se kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale në njërën nga klinikat më të mira të Europës dhe se tani ndjehej shumë mirë. “Por nuk mund të vrapoj”-tha si i zënë në faj.

Në fakt nuk mund të bëjë edhe shumë më pak se vrapimi. Dje në ora 13.00, ndërsa presidenti i zgjedhur kishte lajmëruar mediat që të ishin në ceremoninë e përshëndetjes me stafin e Ministrisë së Brendëshme në celularët e gazetarëve erdhi edhe porosia nga ministria: “Ju lutem kamerave të mos filmojë kur z.Nishani të zbresë shkallët”. Dhe nuk bëhej fjalë për një vrapim, por një zbritje normale.

Kushtetuta nuk thotë tekstualisht se çfarë aftësish fizike duhet të ketë Presidenti, Por neni 91, gjithsesi e parashikon këtë kur thotë se: “Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij. Dhe më tej në pikën 2 shkruhet se; “Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë”.

Kushtetuta pra është e qartë. Vetëm përgjigjja e presidentit të votuar dy ditë më parë jo. Ndaj duhet një përgjigje për pyetjen: ka mundësi Nishani të jetë president?