Pyllëzimet në Elbasan,Rama:Masa 
shtesë kundër krimeve në mjedis

Pyllëzimet në Elbasan,Rama:Masa <br />shtesë kundër krimeve në mjedis
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se masa të tjera shtesë do të ndërmerren nga qeveria për masakrat mjedisore që janë bërë në vend në më shumë se dy dekada, në mënyrë që vendit ti rikthehet ekuilibri i duhur me natyrën.

Kryeministri Rama këto deklarata i ka bërë nga qyteti i Elbasanit, ku ishte i pranishëm në nisjen e pyllëzimeve të reja në zonën e lumit Shushicë  dhe sistemimin e shtratit të Shkumbinit, duke mbjellë 3 mijë fidanë të rinj.

rama

Kjo është kostoja e tmerrshme e shumë viteve shfrytëzim barbar. Moratoriumi është e vetmja përgjigje për të pasur një ripërtëritje të të gjithë pyjeve dhe për të rivendosur ekuilibrat natyrorë, pa të cilët nuk ka pritë, nuk ka shtet që e mbron dot, popullin nga uji.Ndërkohë dhe mbjellja e fidanëve për të siguruar gjithë mbrojtjen në pikat kritike dhe për tu shtrirë në të gjitha fashat e shkretuara nga sëpata e gjithë këtyre viteve, do të vazhdojnë intensivisht. Gjatë viteve të qeverisë së kaluar janë dhënë 3 leje në ditë për shfrytëzim pyjesh dhe gjithsej 2600 leje shfrytëzimi për pyje, që është një çmenduri më vete. Ndërkohë që ne në 2 vjet kemi njohur 24 kontrata. Do të bëjmë dhe një tjetër hap me lumenjtë për të vendosur rregulla strikte. Shumë shpejt do të kalojmë dhe paketën për Kodin Penal kundër krimit mjedisor. Me gjithë këto masa, në harkun e 5 viteve, gjerat do të vihen në kontroll të plotë dhe do të fillojë rigjenerimi dhe në harkun e 10 viteve Shqipëria do të ketë një pamje krejt tjetër, përsa i përket ekuilibrave të natyrës” tha Rama.

rama

Ministri i Mjedisit Lefter Koka, u shpreh se masat shumëdimensionale të ndërmarra deri tani, do të jenë afatgjata, deri në rehabilitimin e plotë të sipërfaqeve të dëmtuara.

Kjo është një nga pjesët e dëmtuara pas reshjeve. Fenomeni më i fundit që po ndodh në Shqipëri, - jo vetëm përmbytjet që ndodhin në mënyrë tradicionale në veriun e Shqipërisë, në Ultësirat e Lezhës, - tashmë ka filluar edhe në zonën e Jugut, por dhe këtu në Elbasan. Masat që ne kemi parashikuar janë shumë dimensionale, që nga Moratoriumi që unë e konsideroj një vendim historik. Ne kemi filluar rehabilitimin në disa zona shumë të degraduara siç është dhe ky rast në fjalë, por për gjatë gjithë vitit, planet janë për të punuar në vijimësi” tha Koka.

rama

Fatmir Brazhda përfaqësues i Drejtorisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, shpjegoi se fenomeni i përmbytjeve të ndodhura së fundmi, vijnë si shkak i prerjes së pyjeve në malin e Sopotit, gërryerja dhe erozioni. Ai u shpreh se projekti i ri për mbjelljen e fidanëve, i cili do të vihet në zbatim, është një masë e rëndësishme parandaluese.

"Dua të falënderoj dhe ministrin për angazhimin për Moratoriumin e pyjeve. Ne kemi marrë masat për mbjellë 3000 fidanë akacie dhe plep, për të zbutur sadopak fenomenin e përmbytjeve. Gjithë ky fenomen vjen nga prerja e pyjeve lart nga mali, gërryerja dhe erozioni. Toka ekspozohet kur priten pyjet, e normalisht vjen dhe shkaku i erozionit. Duhet të fillojmë që nga maja me sistemimin e ujërave që të mos kenë fuqi të gërryejnë tokat dhe shtretërit e lumenjve” u shpreh ai.

rama
 
Në këtë zonë do të ketë ripyllëzim të zonës së degraduar përgjatë lumit Shushicë dhe sistemimi i shtratit të lumit Shkumbin në zonën e erozionit, sipas një projekti të hartuar në kuadër të Moratoriumit 10 vjeçar të Pyjeve dhe Sezonit vjetor të Pyllëzimit.

3000 fidanë të rinj, (akacie dhe plep) do të mbillen në një sipërfaqe prej 2 ha në një nga zonat ku efekti i erozionit ka shkaktuar dëme serioze në ekonominë dhe infrastrukturën e banorëve të zonës, por jo vetëm, duke i shtrirë efektet edhe përgjatë lumit Shkumbin.

Ripyllëzimi i kësaj sipërfaqe, e cila prej dekadash ka vuajtur shkatërrimin e zonave të gjelbëruara, përmes prerjeve masive dhe zjarrvënieve të qëllimshme, do ti rikthejë mushkërinë banorëve të Shushicës, si dhe do të rrisë ndjeshëm cilësinë e ajrit, për këto zona, duke e pastruar atë.

Ky projekt po realizohet nga Ministria e Mjedisit dhe parashikon ndër të tjera, sistemimin e shtratit të lumit pranë urës Polis, Valë dhe përgjatë rrjedhës, thellimin e shtratit të lumit, si dhe pastrimin e materialeve inerte të grumbulluara aty.

Në nisjen e punës kanë qenë të pranishëm edhe Ministri i Mjedisit Lefter Koka, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, deputeti Taulant Balla, përfaqësues të pushtetit lokal, si dhe drejtues dhe ekspertë të projektit.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash në Lituani

Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash në Lituani