/ATSH/- Qafë Shtama është stacioni i ri turistik i qarkut të Durrësit, në të cilin nga qyteti bregdetar mund të mbërrish vetëm në dy orë.
Rruga e re Krujë - Qafë Shtamë, e cila u rindërtua kohët e fundit me financimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka filluar të shfrytëzohet nga dhjetra qytetarë dhe familjarë.
Shpend Balliu, i cili menaxhon godinën e ish-Kampit të punëtorëve tha se numri I klientëve është më I madh në fundjavë.
Familjarët mbërrijnë kryesisht me autoveturat e tyre ose me furgonë dhe një pjesë vazhdojnë shëtitjen më këmbë drejt Majës së Liqenit, në lartësinë 1720 metra.
Sipas Ylli Kërtushës nga Durrësi qëndrimi prej disa orësh në këtë hapësirë është shumë I këndshëm, por duhet bërë më shumë për cilësinë e shërbimit.
Pika turistike e Qafë Shtamës ndodhet mes një masivi me pisha të zeza me kurorë mjaft të hijshme.
Aktualisht në këtë lartësi prej 1350 metra bien në sy 3-4 godina me destinacion turistik, si dhe Kroi i Nënës mbretëreshë, i rindërtuar para disa vitesh. 7-8 km larg nga Kruja vizitorët mund të ndalojnë edhe pranë Shkëmbit të Vajes, i cili përkujton periudhën e Skënderbeut, si dhe 90 vajza dhe gra, që u hodhën nga shkëmbi për të mos rënë në dorë të armikut.
Rruga e re ka një gjatësi prej 22 km dhe përshkon një territor me reliev mjaft të thyer mes fshatrave të komunës Cudhi të Krujës.