Qarku i Beratit, PD e LSI
luftojnë për 1 mandat

Qarku i Beratit, PD e LSI<br />luftojnë për 1 mandat
Qarku i Beratit përmbledh 25 njësi vendore, nga të cilat 5 bashki dhe 20 komuna. Bashkia Berat ka 49 mijë zgjedhës, Kuçova 23 mijë, Ura Vajgurore 8.6 mijë, Poliçani 6.6 dhe Çorovoda 5 mijë zgjedhës. Ky qark zgjodhi më 2009 tetë deputetë, 5 të majtë dhe 3 të djathtë. Në zgjedhjet e vitit 2013 ruan të njëjtin nivel përfaqësimi, 8 mandate, edhe pse fillimisht opozita dhe aktorët civilë pretenduan se numerikisht ai e ka humbur mandatin e fundit dhe duket ta zhvendosë atë drejt Tiranës. Për shkak të LSI dhe debatit ditor, palët hoqën dorë nga shifrat dhe e mbajtën të njëjtë mandatin e qarkut Berat, akt që u zyrtarizua me ndërhyrjen direkte të parlamentit.

Berati, e majta dyfish më e fortë se e djathta

Në traditën zgjedhore të 22 viteve të fundit e majta ka pasur përfaqësim dominues në Berat. Nga gjashtë zgjedhje parlamentare vetëm njëherë PD ka fituar më shumë mandate sesa PS, (1996) por edhe në atë vit Berati kishte një nga zonat e vetme ku kandidatët socialistë fituan mandat edhe në votimin në mazhoritar. Më 1991 Berati votoi në shumicë absolute për të majtën, më 1992 pati një rezultat të balancuar, më 1996 dominoi PD, por më 1997 dhe 2001 demokratët nuk fituan asnjë mandat. Më 2005 PD fitoi vetëm një mandat, më 2009 u përsërit situata e vitit 1992 në raportet 4-3 për PS dhe 1 LSI. Mesatarja e 22 viteve zgjedhje parlamentare flet se PS siguron në Berat dyfish më shumë mandate sesa demokratët.

Referuar të dhënave krahasuese, në zgjedhjet e vitit 2001 të gjitha mandatet e PS u morën me më shumë se 6 mijë vota, ndaj një mesatareje prej 3 mijë votave të demokratëve. Pati zona elektorale si ajo e Skraparit ku diferenca midis PS dhe PD ishte rreth 11 mijë vota. Në këto zgjedhje pothuajse 55% e zgjedhësve morën pjesë në votime. Ndër emrat e rinj deputetë të PS spikatën prurjet e reja të kryeministrit Meta, Mustafa Muci, Luan Memushi, Marko Bello apo politikanët Fino dhe Brace. Disa prej tyre janë përsëri aktivë në politikë, kurse nga lista e PD asnjë nga shtatë kandidatët e vitit 2001 nuk është në politikë dhe as kandidat në zgjedhje.

Zgjedhjet e vitit 2005 shënuan konkurrim tre polar, ku në qarkun e Beratit LSI pati një përfaqësim të vecantë. Në zonën e tij elektorale Ilir Meta u bë i pari politikan në 22 vite që sfidoi me sukses PD-PS në votimet në mazhoritar. Ai fitoi me një numër votash thuajse të njëjtë sa PD-PS së bashku. Në Berat PD fitoi një mandat (Xheka) vetëm falë ndihmës së LSI (Sejko, sot kandidat i PS). Në dy zona PD doli parti e tretë politike, dhe në një zonë diferenca midis vendit të dytë dhe të tretë ishte vetëm 100 vota. Nga konkurruesit e vitit 2005 në Berat të vetmit që ende rikonkurrojnë janë Bejko me PS (ish LSI), Maliqi me PD (ish LSI), Rogu me PSD (ish PS). Nga deputetët e PS kanë mbijetuar politikisht vetëm Brace e Fino, të dy tashmë në qarqe të tjera elektorale.

Zgjedhjet 2009 dhe përfaqësimi PS-PD

Në zgjedhjet e vitit 2009 morën pjesë 49% e 169 mijë zgjedhësve, ku 3.3% e votave u konsideruan të pavlefshme. Gara kryesore në ato zgjedhje ishte në përballjen e shumëfishtë: PD me PR në koalicionin e djathtë, PS dhe G99 në koalicionin e majtë si dhe PS-LSI dhe PS-PD në fushatën direkte. G99 investoi shumë me kandidatin e saj Pilo Keri, një biznesmen i njohur, konkurrues edhe më parë në emër të PSD, si dhe me kryesuesin politik të listës, Erjon Veliaj, atë kohë lider i G99. Rivaliteti i brendshëm i të majtës për mandatin e këtij grupimi solli devijim të votës dhe humbjen e një mandati të sigurt. Nga ana tjetër, Veliaj tjetër, ai i PR u pa si pengesë për PD, e cila ia arriti ta ndryshojë rezultatin në minutën e fundit të numërimit të votave, duke e lënë atë vetëm 162 vota larg mandatit parlamentar. Në kushtet e koalicionit kompensimi i votave republikane u bë me dhënien në Tiranë të mandatit për kryetarin e kësaj partie.

Si përfundim, tabela e votave për dy partitë e mëdha (pavarësisht aleatëve) në vitet 2001-2009 tregon se kufiri i diferencës midis tyre ka pësuar pak ndryshime. Aktualisht socialistët kanë pothuajse dyfish më shumë vota se demokratët, një distancë që nuk i përgjigjet raporteve aktuale të përfaqësimit parlamentar.

Qeverisja vendore dhe risitë e përfaqësimit

I njëjti raport përsëritet edhe në qeverisjen vendore. Tabela tregon njësitë vendore që prej vitit 2000, ku siç shihet, dominues në raportet 5:1 janë përsëri socialistët. Përjashtim formal përbëjnë zgjedhjet e vitit 2011, kur qeveria me ndihmën e LSI fitoi 11 njësi vendore, gjithsesi dy njësi më pak sesa socialistët. Me përjashtim të Poliçanit ku një kandidat vijon të drejtojnë me tre mandate (dy në emër të PBDNJ dhe një në emër të PS), të gjitha njësitë e tjera vendore janë fituar rregullisht nga PS që prej vitit 2000. Zgjedhjet e vitit 2011 Zotkaj i fitoi me diferencë minimale prej 31 votash, ndërkohë që zyrtarisht u raportuar se 78 vota ishin të pavlefshme.

Në Berat Fadil Nasufi vijon në mandatin e tretë radhazi, pothuajse me të njëjtën diferencë votash, pavarësisht ndryshimit të numrit të votuesve. Kështu më 2003 ai fitoi me 1 mijë vota diferencë, më 2005 me 1.3 mijë vota dhe më 2011 me vetëm 1 mijë vota diferencë. Interesant është fakti se në tre zgjedhjet pjesëmarrje e votuese ka qenë mesatarisht 35%, shumë më e vogël sesa vota parlamentare dhe mesatarja kombëtare. Ashtu si në Berat edhe në Kuçovë vitet e tranzicionit janë dominuar nga i njëjti kryetar bashkie, Artur Kurti i PS. Ai fitoi përsëri më 2003 dhe 2007, me diferencë gjithnjë e më të vogël me kandidatët demokratë. Më 2011 Kurti nuk rikandidoi më, dhe pasuesi i tij, Gjyzeli fitoi me vetëm 700 vota përballë kandidatit demokrat, në kushtet e një pjesëmarrjeje prej vetëm 40% në zgjedhje. Bashkia e tretë e Beratit, Ura Vajgurore ruan gjithashtu dominimin e majtë, por me diferencë vetëm 400 vota më 2003, 200 vota më 2007 dhe 250 vota më 2011. Edhe këtu pjesëmarrja, në mesatare rreth 50%. Në bashkinë e pestë, në Çorovodë i vetmi devijim nga tradita e majtë ndodhi me koalicionin PD-LSI më 2011, i cili fitoi me 500 vota mbi PS.

Për cilët mandate votohet në Berat më 23 qershor?

Për shkak të sistemit zgjedhor dihen tashmë pesë nga tetë deputetët e zgjedhur në qarkun e Beratit. Ata janë Pollo e Veliaj (PD), Ylli, Felaj dhe Shalsi (PS). Në garë janë numri 3 në listën e PD (Maliqi), numri 4 dhe 5 në listën e PS (Bejko dhe Lame), si dhe numri 1 në listën e LSI (Naco). Nëse e majta rikuperon mandatin e gjashtë (me shumë shanse po), atëherë debati i vetëm lidhet me garën midis PS dhe LSI. Nëse PD e ruan mandatin e tretë, rivaliteti midis Lames dhe Nacos bëhet më i madh. Deklarimet e kandidatit të LSI për Metën kryeministër të së majtës, mund të kenë efekt pozitiv për mbështetësit e tij në Skrapar, por kanë efekt negativ në pjesën tjetër të qarkut, ku socialistët ndjehen prej gati 10 vitesh të kërcënuar nga LSI. Të dhënat aktuale të koalicioneve (bazuar më 2009) i japin të majtës shanse të plota për gjashtë mandate, si edhe LSI një vend të sigurt, gjithsesi nga përvoja dhe tendenca e votuesve për të kërkuar me votë rotacion të sigurt politik, mund të ndodhë që mandati i gjashtë të merret, por LSI të ketë vështirësi në sigurimin e numrit maksimal të votave që ofrojnë mandat parlamentar.

Tabela jep formulën e ndarjes së mandateve parlamentare më 2009 në qarkun e Beratit. Sic shihet nga tabela, diferenca midis mandatit të pestë të PS dhe të tretit të PD është rreth 100 vota. Nëse PS fitonte 500-600 vota të tjera rrezikohej mandati i tretë i PD dhe mandati i LSI. Në këto zgjedhje në Berat ka edhe disa aktorë të tjerë lokalë që mund të ndikojnë direkt në proces dhe sidomos në rezultatet finale të tij: p.sh, ish ambasadori i Shqipërisë Sallabanda në OKB drejton listën e kandidatëve të FRD në këtë qark, një figurë e njohur e PS lokale konkurron në emër të PSD (sjell vota të majta), një tjetër figurë e së majtës (Kerri) është deklaruar tashmë në favor të LSI, kurse një kandidat tjetër me njohje lokale, Sollaku vijon të kryesojë listën e Partisë Republikane.

Tipare të kandidimit dhe të votimit në Berat

Lista e PD kryesohet nga tre kandidatë, të tre me përvojë kalimi dhe kandidimi në emër të partive të tjera politike. Genc Pollo ka qenë kryetar i PDr dhe kandidat i saj, Astrit Veliaj ishte më 2009 kandidat i PR në Berat, Lefter Maliqi ka qenë kandidat dhe kryetar njësie vendore i LSI përpara se të kalojë me PD. Të tre ata kandiduan edhe më 2009, dy për PD dhe një për PR, duke mos lejuar surpriza në listën e kandidimit të PD më 2013. Tek lista e PS gjithashtu ka kandidatë që kanë konkurruar edhe për partitë e tjera në zgjedhjet e mëparshme. Vetë kryesuesi i listës së PS është bashkuar vonë me PS, ashtu siç dy pasuesit e tij janë emra të rinj në përfaqësimin politik. Dy prej kandidatëve prioritarë socialistë gjenden rastësisht në listën e Beratit, lëvizje që mund të ketë efekt pozitiv, për shkak se Berati nuk ka përfaqësim në nivele të larta qeverisëse dhe sjellja e emrave me potencial për karrierë në këtë qark, mund të mirëpritet nga qytetarët. Interesat është fakti se megjithëse Berati ka një universitet asnjë kandidat nuk është pedagog, pra figurë akademike e këtij universiteti.

Një tregues “interesant” në zgjedhjet e qarkut Berat është niveli i lartë i pjesëmarrjes zgjedhore në komunat e periferisë dhe nivel minimal në bashkitë kryesore. Nëse në Berat pjesëmarrje ka qenë gjithnjë në nivelin nën 50%, në komunat e periferisë mesatarja shkon deri në 73-76%. P.sh, referuar KQZ komuna si ajo Qëndër Skrapar ka pjesëmarrje 73%, Potom 71%, Zhepë 74%, etj. Një problem tjetër administrimi zgjedhor është fiktiviteti i njësive vendore dhe disproporcionaliteti i përfaqësimit. P.sh, në Berat përsëritet fenomeni i Dibrës, ku një komunë si Olltak ka 10.3 mijë zgjedhës, Kutalli ka 9 mijë zgjedhës, kurse ka komuna të tjera si Leshnje me vetëm 547 zgjedhës, apo Potom me 830 zgjedhës. Ky fenoment shoqërohet edhe me ulje ngritje të votave por edhe me rekorde zgjedhore demokracie. P.sh, më 2005 Maliqi fitoi në emër të LSI komunën Olltak duke nxjerrë PD në vendin e tretë dhe marrë vota sa PD-PS së bashku. Në të njëjtën komunë më 2011 diferenca midis dy palëve kryesore ishte vetëm 9 vota. Më 2011 në Berat u vendos një rekord votimi kur në komuna si Poshnje me 7.2 mijë zgjedhës, PS fitoi me vetëm 2 vota diferencë ndaj PD.

Faktorë në favor të qeverisë

Një faktor me rëndësi pro qeverisë është ndryshimi i raporteve të qeverisjes vendore në Berat, nga raportet 20:4 në favor të PS në raportet e reja 13:11. Ky sukses u shënua falë LSI, si dhe investimeve publike në insfrastrukturën e komunave. Ndryshimi në qeverisjen vendore i dha efekte e saj kur për herë të parë kryeministri udhëtoi pesë herë në Berat, me pritje tejet entuziaste nëpër komuna e fshatra, në përpjekje për të shkurtuar distancën e thellë historike me PS.

Kandidati Veliaj është pronar i Albania University, me një investim kolosal disavjeçar në Berat. Përvec ndërtesës më të mirë dhe më luksoze në qytet, ai ka mbështetur me bursa studimi dhe lehtësi administrative mijëra banorë të këtij qyteti dhe qarku. Bashkimi i kësaj fuqie ekonomike, i burimeve të shumta njerëzore që ai disponon si dhe i siglës së PD-së të cilën përfaqëson në vend të sigurt zgjedhjeje, përbën një faktor pozitiv zgjedhor për qeverinë në këtë qark.

Zhvendosja e kandidatit Brace nga Berati në drejtim të Fierit, natyrisht do të ketë ndikim, për shkak të lidhjes së tij të fortë me zonën dhe pamundësinë reale për kalimin e 100% të mbështetjes së tij tek kandidatët e tjerë, dy prej të cilave nuk kanë asnjë lidhje politike apo private me Beratin.
Një faktor tjetër mund të jetë rivaliteti i ashpër midis PS-LSI, i cili nëse ruhet edhe në procesin e administrimit të votave mund të çojë në incidente dhe aleanca fluide me komisionerë të tjerë, për të siguruar ose penguar mandate të palëve respektive. Në zgjedhjet e vitit 2009 PS pranoi publikisht se një pjesë e komisionerëve të saj u shitën, gjë që përderisa ndodhi njëherë, mund të ndodhë edhe herë të tjera, sidomos kur aktorët në lojë janë të njëjtë.

Faktorë në favor të opozitës

Tradita e votimit në Berat është e majtë dhe kur e majta ka shpresa për të ardhur në pushtet militantët e mbështetësit e saj kanë arsye më shumë për të qenë aktivë dhe për të luajtur rol në realizimin real të projektit të rotacionit politik. Për shkak se pjesëmarrja në bashkitë kryesore është ende nën kuotën kombëtare, një mobilizim më i madh i këtyre strukturave mund të çojë në rritje të pjesëmarrjes dhe kështu, në rritje të numrit të votave të majta ndaj koalicionit të djathtë të qeverisë.

I vetmi aktor i ri politik në Berat është FRD, e cila edhe pse me pretendime modeste politike në qark, mbetet një faktor ndikues dhe shpesh përcaktues për votat e PD në zgjedhje, sidomos në një qark si ky, ku demokratëve u duhen shumë më tepër vota sesa më 2009.

Në listën e kandidatëve të opozitës bëjnë pjesë figura politike e publike shumë aktive. Referuar raporteve në rrjetet sociale kandidatët e PS Berat mund të jenë në krye të listës së kandidatëve me aktivitet elektoral të përditshëm dhe me tendencë aktivizimi publik. E majta në Berat ka pasur kryeministër (LSI) ose deputet ish kryeministër (Fino) ndaj ajo ka nevojë për rikthimin e kësaj lavdie, përmes mbështetjes së çdo figure publike që ka shanse reale për poste drejtuese në qeveri dhe parlament.

Prirja e PD për ta bazuar fushatën tek blerja e votës përmes investimeve private, ndonjë përurimi rruge apo investimi sezonal në përmirësimin e rrugëve dytësore, nuk mjafton për të justifikuar gabimin kryesor të qeverisjes 8 vjeçare të PD, - braktisjen e rrugës nacionale Berat – Lushnje. Ai është aksi i vetëm kombëtar i pa ndryshuar prej vitesh, jashtë çdo standardi infrastrukturor dhe me siguri, me ndikim direkt në jetën e qytetarëve dhe në gjykimin e tyre politik mbi qeverinë edhe me 23 qershor.

Ikja e LSI nga koalicioni me demokratët përbën rikthimin e fëmijës rebel në familjen e majtë dhe kështu, krijimin e një klime zgjedhore solide midis të majtës kundër të djathtës. Akuzat e PD ndaj LSI vetëm sa e forcojnë këtë klimë, sepse edhe pse legjitim, çdo abuzim me pushtetin e kësaj partie ka pasur direkt përfitim për një pjesë të biznesit dhe qytetarëve të zonës bastion të LSI, - Skrapar.
 
(Në foto mesatarja e mandateve PD-PS nga zgjedhjet e vitit 1992 deri në zgjedhjet e vitit 2009)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit