Qarku i Dibrës përmbledh bashkitë e Peshkopisë, Burrelit, Bulqizës, Klosit si dhe 31 komuna. Sipas INSTAT (2013) ky qark ka 132 mijë banorë, nga të cilët, vetëm 34 mijë jetojnë në bashki, pjesa tjetër prej 98 mijë banorësh jeton në komuna. Dibra bën pjesë në ato qarqe me nivel ekonomik të mesëm, por me traditë në përfaqësimin politik në Shqipëri. Në parlamentin e ri qarku Dibër do të ketë 6 nga 140 mandatet parlamentare, duke u renditur i qarku i tretë me numrin më të vogël të përfaqësimit politik parlamentar.
TRADITA ZGJEDHORE: DOMINIM I LEHTË I TË DJATHTËS
Të dhënat e zgjedhjeve parlamentare 1992-2013 rezultojnë se tendenca dominuese e zgjedhjeve në Dibër ka qenë dhe mbetet vota pro demokratëve. Kalimet drastike nga e djathta tek e majta në vitet e para të tranzicionit janë shoqëruar me ecje drejt balancimit politik në zgjedhjet e fundit politike. Më 2005 palët ishin shumë pranë njëra tjetrës dhe përmes skemës taktike të kalimit të votave për partitë aleate prodhuan dy mandate të tjera shtesë.
Vota më 2005 në bllok, p.sh, për Partinë Republikane, sipas udhëzimit të PD-së, ashtu si në qarqet e tjera të veriut, i dedikohet më shumë kontrollit partiak të procesit të votimit dhe numërimit në tavolinë sesa vullnetit të lirë të zgjedhësve. Më 2009 demokratët caktuan një listë unike në Dibër, duke zgjedhur kryesues për herë të parë një figurë politike jashtë këtij qarku, sic ishte ministri Jemin Gjana.
Skema funksionoi edhe për shkak të dobësisë së opozitës, por edhe për shkak të jehonës pozitive që pati në gjithë zonën verilindore përurimi i Rrugës së Kombit si dhe premtimi për ndërtimin e shpejtë edhe të Rrrugës së Arbrit.
Më 2009 beteja kryesore politike nuk ishte vetëm midis demokratëve e socialistëve, por edhe midis dy grupimeve të tjera rivale, LSI dhe Poli i Lirisë. Kryesuesja e listës së LSI, bashkëshortja e kryetarit të kësaj partie, Monika Kryemadhi, punoi për më shumë se 6 muaj në një fushatë intensive, që rezultoi e pasuksesshme. Poli mori rreth 3 mijë vota, LSI rreth 4 mijë vota, së bashku ato mund të prodhonin një mandat parlamentar, por gjithsesi dy partitë e mëdha ruajtën kontrollin.
Balancimi politik në zgjedhjet parlamentare nuk është reflektuar i tillë edhe në zgjedhjet lokale. Në bashkitë kryesore të qarkut vijojnë të dominojnë demokratët. Në Peshkopi kryetari i bashkisë Ilir Krosi është në mandatin e tij të tretë, edhe kryetari i bashkisë Bulqizë Roland Keta është në mandatin e tij të përsëritur.
Dorëheqja e tij dhe hyrja në listën e kandidimit për deputet vetëm sa reflekton peshën specifike të tij në këtë bashki. Ndryshe është situata në bashkinë e Burrelit, ku për dy mandate drejtoi kryetari demokrat Skender Lleshi.
Më 2011 Burreli ishte surpriza e zgjedhjeve, me rotacionin në bashki dhe fitoren e kandidates Adelina Farrici me diferencë 7% të votave. Qarku Dibër ka një organizim lokal disproporcional, me njësi vendore që arrijnë deri në 9 mijë zgjedhës dhe njësi të tjera me më pak sesa 500 zgjedhës aktivë.
Komuna me numrin më të madh të votuesve, Maqellara me 9 mijë, gjithashtu drejtohet nga Partia Demokratike, edhe pse me diferencë prej më pak se 100 votash. Komuna Maqellarë ka më shumë votues sesa secila bashki më vehte, Bulqiza e Klosi, të cilat vijojnë gjithashtu të drejtohen nga PD.
(Në foto ndarja e mandateve nga zgjedhjet e vitit 1992 deri në zgjedhjet e vitit 2009)
PRURJET, IKJET DHE PËRFAQËSIMI PARLAMENTAR
Në zgjedhjet e vitit 2001 Luan Rama fitoi ndaj Avni Shehut, Gani Hoxha ndaj Halil Lalaj, Ilir Gjoni ndaj Mentor Burgurit, Sali Shehu ndaj Petrit Barës, Ismail Lleshi ndaj Gafur Mukës. Në të gjitha rastet pjesëmarrja në zgjedhje ishte mbi 60-64% e zgjedhësve. Më 2005 PS rifitoi pozitat në Burrel ku Qemal Minxhozi fitoi ndaj Gani Hoxhës, Idriz Xhumara ndaj Skender Demirajt, kurse në Dibër Sali Shehu dhe Rahim Kaceli fituan përballë Ardit Kajës e Ilir Gjonit.
I vetmi socialist fitues ishte Sadri Abazi përballë Nexhat Fanës. Edhe në këto raste pjesëmarrja në zgjedhje ishte më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, madje në zonën e Peshkopisë u arrit shifra rekord prej 72% e pjesëmarrjes. Hyrja në zgjedhje e biznesmenit Abazi e ndryshoi përfaqësimin e PS në Dibër, pasi ai fitoi dy mandate rallazi, më 2005 dhe 2009, njësoj si diplomati Minxhozi në Burrel. Nga demokratët i vetmi me dy mandate rradhazi ishte Sali Shehu, i cili në rastin e fundit konkurrues (2005) fitoi me diferencë të thellë ndaj kandidatit të së majtës.
Në zgjedhjet e vitit 2009 PD bëri një ndryshim të lehtë në Burrel, duke zëvendësuar mandatin nga Gani Hoxha tek vëllai i tij, Bedri Hoxha. Nga demokratët siguruan mandat edhe dy prurje të reja, Sherefedin Shehu dhe Selami Xhepa, kurse tek lista e PS përfaqësimi mbeti i njëjtë: Abazi dhe Minxhozi.
Më 2013 PD ka bërë ndryshime të tjera në listë: ruajnë vendet Shehu e Hoxha, dhe shtohen dy emra të rinj, kryetari i bashkisë Bulqizë, Keta dhe kryetari i PLL, Ekrem Spahia. Lista e PS ka gjithashtu ndryshime: në krye të listës është ish guvernatori Shkwlqim Cani, ndjekur nga kreu lokal socialist Ulsi Manja dhe më pas Hasan Ceni.
Në garën për Dibrën një rol specifik ka lista e FRD-së, ku kryeson Sali Shehu, 3 herë deputet i kësaj zone në votimet në mazhoritar. LSI vjen me një biznesmen të tregut të minierave, Përparim Spahiu, kurse partitë e tjera nuk kanë ndonjë përfaqësim me rëndësi simbolike.
PËR CILIN KANDIDAT ZHVILLOHEN ZGJEDHJET NË DIBËR?
Për shkak të ligjit elektoral tre kandidatët e parë të listës së PD (Shehu, Hoxha dhe Keta) thuajse e kanë siguruar mandatin parlamentar. I njëjti arsyetim vlen edhe për dy kandidatët kryesorë të PS (Cani dhe Manja). I vetmi rivalitet lidhet për mandatin e gjashtë. Rivaliteti kryesor bëhet midis kandidatit të qeverisë Ekrem Spahia (PLL), kandidatit të FRD Sali Shehu si dhe kandidatit të tretë të opozitës Hasan Ceni. Mandati i këtij të fundit, edhe nëse mund të merret, praktikisht vihet në diskutim të plotë nga kandidati i LSI Përparim Spahiu.
Për të arritur një mandat të tretë opozita ka nevojë për një mbështetje të re elektorale prej 3 mijë votash. Duke llogaritur përçarjen tek e djathta për shkak të votave të sigurta që merr S.Shehu, janë të gjithë treguesit që në zgjedhjet e qershorit të shënohet një raport të ri përfaqësimi politik në qarkun e Dibrës. Pra, gara midis PD(PLL)-FRD nga njëra anë dhe midis PS-LSI nga ana tjetër përbën garën e vetme në Dibër.
VOTAT PËR MANDATIN QË BËN NDRYSHIMIN
Siç shihet nga tabela ilustruese, PD vijon të jetë parti e parë politike në tri zgjedhjet e fundit parlamentare. Diferenca e saj është vënë në pikëpyetje vetëm në rastet e përçarjes së të majtës (2005 dhe 2009) dhe pritet të konfirmohet tashmë për shkak të përçarjes së të djathtës (faktori FRD), gjithsesi diferenca e thellë e vitit 2009 nuk pritet të përsëritet më.
Interesant është fakti se asnjë nga partitë aleate të PS (me përjashtim të LSI) nuk ka mbështetje të dukshme në Dibër, kurse nga e djathta, PLL vijon të jetë parti aktive me rreth 3 mijë vota periodike, e ndjekur nga PR me një shifër mesatare 1.5-2 mijë vota. Bashkimi i aleatëve mund të jetë faktor ndihmës për PD në përpjekjet e saj për mandatin e katërt, kurse rivaliteti PS-LSI mund të jetë efektiv në tërheqjen e votuesve të majtë të humbur në 5-6 vitet e fundit.
Për shkak të sistemit zgjedhor dhe ndarjes së mandateve në garën e gjitha subjekteve dhe më pas edhe brenda koalicioneve, shihet se PD e arriti mandatin e saj të katërt më 2009 me vetëm 4.800 vota. PS mandatin e fundit e siguroi me 7 mijë vota dhe nëse në zgjedhje do të kishte një mandat të shtatë, atëherë ai mandat nuk do ti shkonte PS, por LSI, e cila më 2009 në kuadër të koalicionit të tretë të krijuar prej saj fitoi rreth 4 mijë vota. Bashkimi PS-LSI me shifrat e vitit 2009 do të shënonte 25 mijë vota, pa garanci të plota për marrjen e mandatit të gjashtë në qarkun e Dibrës.
(Në foto majtas lart harta e Shqipërisë, poshtë harta e qarkut të Dibrës)
KONTROLLI I VOTËS - KËRCËNIMI I ZGJEDHJEVE NË DIBËR
Kur flitet për kompani biznesi të lidhura me qeverinë, sidomos në Buqlizë dhe Mat, atëherë dukshëm pranohet një rol aktiv në tregun e votës që qarkullon në këto zona, kryesisht nga kandidatë që kanë lidhje të forta me organet e drejtësisë, tatimeve, doganave dhe policisë.
Mafia e denoncuar e kromit ka interes të ruajë përfaqësimin aktual politik, dhe për këtë janë të njohura si presionet, blerjet e komisionerëve ashtu edhe skema taktike në menaxhimin e votave.
Mjafton një detaj ilustrues: në zgjedhjet e vitit 2009 qarku i Dibrës pati shifrën më të lartë të votave të pavlefshme, plot 2184 vota.
Sado të flitet për probleme teknike, një numër kaq i madh votash të pavlefshme është tregues i një procesi jokorrekt administrimi të votave nga komisionerët dhe kandidatët e interesuar. Gjithashtu më 2009 në këtë qark pati dyndje të kandidatëve biznesmenë, të cilët krijuan praktikën e klientelës së zgjedhjeve, - praktikë që vijon të jetë edhe tani aktive.
Faktor i tretë kërcënues për zgjedhjet në Dibër është edhe fiktiviteti i pjesëmarrjes në zgjedhje. Në zgjedhjet e vitit 2011 pjesëmarrja lokale ishte në masën 60%, ku më shumë pjesëmarrje u shënua në Bulqizë e Klos (zona më e varfër) dhe më pak pjesëmarrje në Burrel (zona më e zhvilluar). Fakti që në zonat më të vogla dhe të largëta, regjistrohet pjesëmarrje rekord në zgjedhje, krijon dyshime mbi efektivitetin dhe besueshmërinë e votimit.
FAKTOR NDIKUES PRO QEVERISË
Argumenti kryesor për qeverinë si në të gjitha qarqet e tjera veriore mbetet argumenti krahinor dhe ideja se rotacioni politik do të largojë tërësisht vëmendjen dhe projektet prioritare të qeverisë qendrore ndaj zonave të tilla të largëta, si Dibra. Qeveria e përdori influencën e saj lokale për të krijuar infrastrukturë fiktive mbështetëse, siç është filiali universitar, me idenë e mbajtjes nën kontroll edhe të votuesve të rinj.
Po ashtu përmes klientelës së biznesit të minierave në Bulqizë ajo mban nën kontroll grupet rivale dhe marrëdhëniet midis pronarëve të kromit dhe punëtorëve të varfër që kërkojnë burime mbijetese ekonomike. Fakti se me gjithë 19 të vdekur në minierë, nuk ka pasur asnjëherë një revoltë apo protestë popullore në Bulqizë ndaj qeverisë, tregon nënshkrimin e kësaj zone ndaj autoritetit politik dhe ekonomik qendror.
Guvernatori Cani është një figurë e respektuar në rrethet politike dhe publike të Tiranës, por pa përvojë në organizimin dhe menaxhimin elektoral. Zgjedhja nga PS e dy kandidatëve kryesorë të listës nga Peshkopia, ndërkohë që PD ka bërë ndarje të tre vendeve të para në tre njësitë kryesore të qarkut, përbën një zhvillim me kosto të lehtë pro qeverisë në fushatën elektorale. Kosto minimale mund të ketë edhe moskandidimi i Minxhozit në Burrel, deputeti i cili organizoi dhe drejtoi marrjen e kësaj bashkie me 2011.
Argument tjetër me ndikim në zgjedhje janë komunat e vogla lokale, të cilat për shkak të dominimit nga PD, dhe nivelit të lartë të pjesëmarrjes në zgjedhje, mbeten burim kryesor i votave politike. Qeveria investon simbolikisht në këto komuna me ndonjë vepër publike me kosto minimale, por me efekt elektoral, siç ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit lokale. Vota e fshatit mbetet jashtë vëmendjes e kontrollit të opozitës, si burim kryesor i qeverisë.
FAKTORËT NDIKUES PRO OPOZITËS
Si rrallëherë Dibra nuk ka asnjë politikan përfaqësues në nivelet e larta qeverisëse. Asnjë nga kandidatët e mazhorancës në Dibër nuk ka pozitë drejtuese në PD dhe se shanset e tyre për drejtim edhe në qeverisjen e mundshme të së nesërmes janë minimale. Asnjë nga kandidatët e saj nuk kanë shfaqur aftësi të theksuara organizative dhe se rezultati nuk pritet të vendoset prej tyre, sesa prej frymës së përgjithshme politike në vend.
Faktori i dytë është mungesa e një bilanci pozitiv të qeverisjes në këtë qark. Përveç problemeve të mëdha ekonomike, rënies së ndjeshme të investimeve publike, mazhoranca do të duhet të përballet me premtimin kryesor të pambajtur, dështimin në projektin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Kryeministri Berisha kërkoi indirekt ndjesë në mitingun e tij në Peshkopi, por gjithsesi ky premtim i pambajtur pritet të ketë efekt elektoral.
Faktori kryesor për mandatin e fundit është roli dhe mbështetja që do të ketë në këto zgjedhje FRD përmes kandidatit të saj Sali Shehu. Nga lista e 15 kandidatëve potencialë, ai është personi me përvojën më të gjatë elektorale, me përfaqësimin më të gjatë dhe njohjen me të madhe personale në zonat elektorale të qarkut. Ky aset pozitiv i cenohet nga fakti se përballë ka dy partitë e mëdha dhe se organizimi elektoral në nivel qarku ndryshon nga ai në nivel zone, siç ka qenë më parë.
Një faktor tjetër me ndikim përbën edhe problemet e keqqeverisjes lokale nga mazhoranca. Rastet e abuzimeve në shkolla, në administratën publike (rasti i parë i pushimit nga puna për shkak të kandidimit në zgjedhje kundër qeverisë u shënua në Universitetin e Peshkopisë), etj, kanë krijuar një klimë pakënaqësie në pjesën jomilitante, gjë që natyrshëm do të ketë edhe kosto elektorale.
Së fundi, për shkak të garës më të ashpër brenda koalicionit të majtë dhe garës formale tek e djathta, shkalla e mobilizimit tek e majta është dukshëm më e lartë, dhe mbështetëse për idenë e rritjes së votave. Fakti se PS ka siguruar mandate të sigurta në Tiranë për dy kandidatë nga Dibra, (biznesmenët Abazi e Suli) e bën pozitën e saj më komode në përballjen me elektoratin dibran.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarj.com (print) 11.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)