Qasjet sociolinguistike në “Vështrime gjuhësore e letrare” të Sadik Bicaj

Qasjet sociolinguistike në “Vështrime gjuhësore e letrare” të Sadik Bicaj

Kontributit të vazhdueshëm krijues hulumtuesi Sadik Bicaj i shtoi edhe një vepër, duke shënuar, zgjeruar dhe përparuar kështu profilin e tij në kërkimin shkencor.

Mozaiku gjuhësor e letrar “Vështrime gjuhësore e letrare” i studiuesit Bicaj prezanton përmbledhje shkrimesh studimore të kohës, duke ngërthyer në vete përmbajtje të rëndësishme studimore gjuhësore dhe letrare, shkrime të një rëndësie të veçantë për kulturën shqiptare në përgjithësi. Shumica e shkrimeve të trajtuara janë kumtuar në veprimtari të ndryshme shkencore në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.

Temat gjuhësore të trajtuara në pjesën e parë të këtij libri janë:

- Tekstet mësimore të gjuhës shqipe me gabime të shumta gjuhësore;

- Ndikimi i dialektit gegë në gjuhën standarde;

- Ndikimi i gjuhës turke dhe serbe në ligjërimin bisedor të Rrafshit të Dukagjinit;

- Zotërimi i normës letrare në hartimet e nxënësve të shfmu “Bajram Curri” dhe shfmu “Hysni Zajmi” në Vrellë.

Lënda e trajtuar në këtë libër që prej kohësh ka zgjuar interesimin e studiuesve të ndryshëm, në veçanti të linguistëve.

Në shtegtimin e qëmtimit e studimit të ndërlidhjeve gjuhësore autori ka ndjekur disa kritere kërkimi si p.sh. kriterin fonetik, morfologjik, sintaksor, leksikor, frazeologjik etj.

Në këtë dritë autori kap edhe kriteret ekstralinguistike si: shtrirja gjeografike e popujve dhe e gjuhëve, shkollat gjuhësore të kohës, themelvënësit e hulumtimeve gjuhësore: Eqren Çabej, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Rexhep Ismaili, Xhevat Lloshi, Isa Bajçinca, Shefkije Islamaj, Qemal Murati, Ragip Mulaku, Hysen Matoshi etj.

Autori qëmton dhe gjurmon rrethanat sociale, politike, arsimore, historike, ekonomike etj., të cilat reflektohen edhe në filologjinë tonë. Po ashtu, hedh dritë të re në shtegtimin historik e burimor të fjalëve dhe përdorimit të tyre, dialekteve, fjalëve të huaja, që bëhen dhe imponohen nga rrethana të ndryshme kohore.

Në këtë pikëpamje autori ka ndjekur edhe studimet dialektore dhe ndikimin e tyre në normën e shqipes.

Gjuha duhet ruajtur, mbrojtur, shkruar dhe folur pastër sipas normave të caktuara gjuhësore si dhe duhet pasuruar me fjalë të reja. Sot, anekënd trojeve tona etnike, kemi raste kur norma standarde nuk është e njësuar, por paraqitet me variante dytësore. Pra, nga variantet e shumta të gjuhës së folur popullore ose të gjuhës së shkruar mbi baza dialektore.

Bicaj, ndër të tjera jep shpjegime për përdorimin jo të drejtë dhe luhatjet e shumta që shkaktohen nga njohja jo e mjaftueshme e rregullave drejtshkrimore ku qëllim themelor ka përvetësimin dhe standardizimin e gjuhës, duke theksuar se gjuha standarde ka gjetur zbatim të madh në institucionet e ndryshme shtetërore, ekonomike, politike, kulturore, arsimore etj.

Libri trajton një larmi përmbajtjesh, por shkrimet studimore nga fusha e gjuhësisë janë deri diku mbizotëruese, që njëherësh e vlerësoj edhe si punën kryesore të autorit.

I gjithë ky kompleks çështjesh të trajtuara në fondin e studimeve gjuhësore shqiptare paraqet një pasuri të re në fushën e gjuhës, letërsisë dhe universalizmit si vlera.

Bicaj trajton ndryshimet dialektore nga standardi në fonologji, në gramatikë dhe në leksik, duke analizuar theksin e Rrafshit të Dukagjinit në raport me statusin shoqëror, duke trajtuar po ashtu edhe normimin e gjuhës shqipe.

Libri është realiteti i sotëm i përdorimit të gjuhës shqipe, moszbatimit të normës letrare qoftë edhe në shkollat tona fillore, për çka mendoj se është shqetësues, megjithatë ky libër është udhërrëfyes, lajmës, vrojtues, interpretues i informatave etj. dhe si i tillë në një farë mënyre edhe ka parapërcaktuar gjendjen reale që mban vulën e kohës të cilën po e jeton edhe autori edhe ne.

Mendoj se Bicaj në njërën anë prezanton probleme mjaft të vështira gjuhësore, kurse në anën tjetër ofron edhe zgjidhjen e tyre, pastaj ngre opinione të ndryshme dhe i shqyrton rrethanat në mënyrë kritike, po ashtu jep edhe përfundime të matura.

Libri mund të jetë jo vetëm shtysë nxitëse e zotërimit dhe përdorimit të përgjithshëm të gjuhës standarde, porse edhe grishje zgjimesh e veprimesh për ta ndriçuar dhe për ta shpënë përpara çështjen e gjuhës, sidomos në institucionet arsimore, detyrë kjo, në rend të parë, në rrafshin kombëtar. Këtë vepër e konsideroj frymëzim të zgjimit dhe të thellimit të vetëdijes gjuhësore, e konsideroj si një përmbledhje në vete porosish të thella të themelvënësve të kulturës gjuhësore shqiptare.

Jetëshkrimi

Sadik Bicaj u lind në Vrellë të Istogut, më 21.10.1958. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Pejë, SHLP në Gjakovë, ndërsa Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Universitetin e Prishtinës në Prishtinë.

Përveç poezisë merret edhe me gjuhësi, kritikë letrare dhe publicistikë. Para lufte ka bashkëpunuar me të gjitha revistat dhe gazetat që dilnin në gjuhën shqipe në Kosovë, ndërsa, krahas punës në arsim, ka qenë edhe korrespondent i rregullt i gazetës “Rilindja”, “Koha ditore” dhe revistës arsimore “Shkëndija”. Sadik Bicaj është anëtar i Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës, bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologji të Prishtinës dhe kryetar i Klubit letrar “Podguri” në Istog, si pjesëmarrës i shumë simpoziumeve shkencore nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë të organizuara në Kosovë dhe në Shqipëri.

Një kohë të gjatë punoi në shkollën fillore “Fazli Graiçevci” të Hades, komuna e Obiliqit, në gjimnazin “Haxhi Zeka” në Istog, ndërsa tash e disa vjet është drejtor në shkollën fillore e të mesme të ulët “Hysni Zajmi” në Vrellë.

Ka botuar këta libra: si “ Plaga e kurbetit” (dramë, 1992); “ Zëri i pikëllimit” (poezi, 1994); “Artikuj gjuhësorë praktikë” (artikuj gjuhësorë, 1996); “Historiku i shkollave fillore shqipe të komunës së Istogut” (1997); “Vështrime letrare” ( ndihmës për lekturë shkollore, 2000); “Rrugët drejt lirisë” (ditar nga lufta, 2002); “ Sylë Vrella, mjek i njohur popullor” (monografi, 2006); “Teste nga Gjuha Shqipe dhe Letërsia” (2008); “Fadil Ferati, veprimtar i denjë i lirisë dhe pavarësisë” (monografi, 2014),etj. Ky është libri i tij i dhjetë.



Sadik Bicaj

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille