TIRANË-  Janë kryer kontrolle intensive me qëllim  rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në kryeqytet si dhe në hyrje-daljet e tij.

Në 24 orët e fundit janë pezulluar 21 leje drejtimi, për një periudhë  nga 1 deri në 18 muaj, për shkak të raste të përsëritura, për qarkullim me shpejtësi më shumë se 20 km/h në zonat urbane dhe me shumë se 30 km/h jashtë zonave urbane. 

Janë vendosur 146 gjoba për tejkalim të shpejtësisë jo më shumë se 10 km/h, të cilat variojnë nga 1.000 deri në 3.000 lekë.

Gjithashtu, 122 masa administrative janë vendosur për tejkalim të shpejtësisë më shumë se 10 km/h dhe jo më shumë se 30 km/h, të cilat variojnë nga 2.000 deri në 4.000 lekë.

34 shoferë janë kapur duke përdorur celularin ndërkohë që drejtonin, ndërsa 37 të tjerë po qarkullonin pa pasur rripin e sigurimit  mospërdorim të rripit të sigurimit.

29 shoferë janë gjobitur për të trija shkeljet së bashku, qarkullim me shpejtësi mbi normën e lejuar, përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit dhe mosvendosje të rripit të sigurimit.

Po ashtu, janë bllokuar 21 automjete të shpallura “Alert”, për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara, të skanuara nga makina inteligjente, gjatë muajit qershor.

Policia Rrugore e Tiranës vazhdon apelin për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha akset monitorohen me dronë edukues, makina inteligjente, radarë automatikë, kamera e aparate fotografike.