Qebap furre në pite me beshamel
Përbërësit për brumin:
- 3 gota miell
- 1 filxhan çaji qumësht
- 1 filxhan çaji ujë
- ½ pako maja të thatë
- 1 lugë çaji sheqer
- 1 lugë çaji kripë
- 1 e verdhë veze
- Pak qumësht, fara susami
Për mbushjen:
- 400 gr fileto pule
- 1 qepë
- 2 thelpinj hudhër
- 1 spec
- 1 patate
- 1 tas i vogël bizele
- 1 lugë gjelle salcë domate
- 1 filxhan çaji ujë
- Piper i zi, trumzë, spec djegës i thatë
Për salcën beshamel:
- 2 lugë gjelle gjalpë
- 2 lugë gjelle miell
- 2 gota qumësht
- Kripë, piper i zi
- Djathë kaçkavall
Përgatitja:
Vendosim miellin në një enë për brumë. Shtojmë qumështin, ujin, majanë, sheqerin dhe kripën. E gatuajmë derisa të bëhet një brumë i butë. Nëse duhet, shtojmë pak miell. Mbulojmë brumin dhe e lëmë të vijë. Brumin e ardhur e ndajmë në 4 toptha dhe çdo topth e hapim në madhësinë e një pjate të vogël. Në tavën e furrës vendosim kasa rezistente ndaj nxehtësisë të përmbysura dhe i lyejmë me pak vaj. Brumin e hapur e vendosim sipër tyre duke krijuar formën e tasit. I lyejmë me të verdhë veze të përzier me pak qumësht dhe hedhim fara susami. I pjekim në furrë të parangrohur në 180–200°C derisa të marrin një ngjyrë të lehtë të artë. Ndërkohë përgatisim mbushjen. Në tigan vendosim pak gjalpë, shtojmë pulën e prerë në copa të vogla dhe e kaurdisim. Shtojmë qepën, hudhrën dhe specin e grirë dhe vazhdojmë kaurdisjen. Më pas shtojmë patatet e skuqura dhe bizelet. Vendosim salcën dhe erëzat, në fund shtojmë 1 filxhan çaji ujë dhe e lëmë të ziejë pak. Në një tenxhere tjetër përgatisim beshamelin. Kaurdisim miellin me gjalpë, shtojmë qumështin duke e përzier vazhdimisht. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper. Në tasat e brumit të pjekur vendosim mbushjen me pulë. Sipër shtojmë salcë beshamel, hedhim djathë kaçkavall të grirë dhe e vendosim në furrë në 200°C derisa djathi të shkrijë dhe të marrë pak ngjyrë.
Komente









