Policia ka bërë të mundur arrestimin e një personi i cili  ka sulmuar institucionet dhe punonjësit e policisë me bomba molotov, kapsolla, flakadanë dhe sende të forta në protestën e 11 Majit. Ai është Marash Qerimi, 40 vjeç, me origjinë nga Tropoja.

Identifikimi u bë i mundur në sajë të këqyrjes së pamjeve filmike dhe raporteve të shërbimit. 

Ai akuzohet për veprat penale "organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime te paligjshme”, “kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “goditja për shkak të detyrës”, “shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe "shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta dhe bombave molotov, kanë mbetur të plagosur 16 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën në spitalin e Traumës.

Si pasojë e përdorimit të bombave molotov, fishekzjarreve, kapsollave e sendeve të tjera, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në institucionet shtetërore.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar, të përfshirë në këto veprime të kundraligjshme.