Mbrëmjen e së dielës u dëgjuan të shtëna me armë zjarri nga një jaht që lundronte në Palasë. Njoftimi, i cili erdhi rreth orën 21:00, vuri në lëvizje Policinë Kufitare, Delta Force dhe FNSH që nisën ndjekjen për kapjen e mjetit lundrues që po lëvizte drejt Himarës me një operacion nga deti e toka që zgjati 2 orë. 

Pasi ia dolën ta shoqëronin jahtin në kalatat e Porto Palermos, policia ka ndaluar 4 persona që ndodheshin në bord. 

Sipas policisë, janë ndaluar Bruno Çela 31 vjeç, djali i biznesmenit të "Brunes", Geront Çelës, Leonard Hasa, 31 vjeç, Afrim Kastrati 49 vjeç dhe Pashk Gjini, 60 vjeç. Gjatë kontrollit të tyre dhe jahtit, policia nuk ka gjetur asnjë send të paligjshëm. Nuk është e qartë se cili prej tyre e ka përdorur armën.

Bëhet me dije se jahti fillimisht kishte marrë drejtimin për në Greqi, por më pas ndryshoi kurs. Gjatë ndjekjes, njëri prej personave në bord u hodh në det dhe u kap më pas nga Policia Kufitare.

Gjatë operacionit, dy nga personat që ndodheshin në bordin e jahtit, tentuan të afroheshin në breg me gomone për t'i ikur policisë. Por, pasi konstatuan praninë e efektivëve në tokë, ata u kthyen sërish drejt jahtit.

Sipas të njëjtave burime, në përpjekje për t'iu shmangur autoriteteve, jahti fiku dritat dhe vijoi lëvizjen në det. 

Ende nuk dihen rrethanat pse kanë ndodhur të shtënat apo tentativa e personave të ndaluar për t'i shpëtuar policisë.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:11
Të shtënat nga jahti në Palasë/ Bruno Çela, djali i pronarit të 'Brunesit' mes 4 të ndaluarve! Dhëndri i Tom Doshit aksioner në disa kompani, përfshirë për mjetet lundruese

Bruno Çela është një prej 4 të ndaluarve në jahtin në Palasë prej të cilit u dëgjuan të shtëna. 31-vjeçari bashkë me 3 të tjerë tentuan t’i shpëtonin policisë që i ndoqi për dy orë në det, por më pas përfunduan në duart e efektivëve.

Çela është djali i Geront Çelës, pronarit të ‘Brunes’, biznes për pllakat e pajisjet hidrosanitare.

Gjithashtu ai rezulton aksioner në një kompani mjetesh lundrimi, ‘MennYacht Albania’, ‘AKBC Invest’ dhe BB Orikum Invest, biznese për ndërtim e menaxhim strukturash turistike si dhe te ‘Vlora Marina.’

Në maj 2023, Bruno Çela kurorëzoi dashurinë me vajzën e Tom Doshit, Briana, në një ceremoni madhështore në Tiranë.

Gjithashtu Bruno Çela është futur në Këshillin Bashkiak të Tiranës bashkë me dy anëtarë të tjerë të PSD-së së Tom Doshit, ku ishte listuar i pari.

Ekstrakti i QKB për Brunes

Ekstrakti i QKB për MennYacht Albania

Ora 09:20
Të shtënat nga jahti në Palasë, nuk gjendet arma! Pamje nga kontrolli i policisë brenda mjetit lundrues (VIDEO)

Policia nuk ka konstatuar asnjë send apo mjet të kundraligjshëm gjatë kontrolleve në bordin e jahtit të kapur në Palasë dhe 4 të ndaluarve. Sipas njoftimit zyrtar, operacioni nisi pas njoftimit se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Policia u vu në ndjekje të jahtit me forca nga deti e toka, ndërsa mjeti lundrues po lëvizte drejt Himarës. Ndërkohë vijon hetimi për të përcaktuar nëse të shtënat janë bërë nga ndonjëri prej të ndaluarve.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku rreth orës 21:00 është marrë njoftim se, në det, përballë Palasës, dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër nga një mjet lundrues, ju informojmë se:

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë/Stacionit të Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS), u vunë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka, pasi jahti po lëvizte në drejtim të Himarës.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë e mundur ndalimi i jahtit në det, përballë Himarës, si dhe shoqërimi i tij së bashku me personat që ndodheshin në bord, konkretisht shtetasit B. C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në ambientet e jahtit dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, ku nuk u konstatua asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.

Nga grupi hetimor vijuan veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.