Shtatë persona janë kapur në flagrancë dhe një person tjetër është proceduar penalisht në Dibër për shkak se po gjuanin me armë në pyll. Njëri prej tyre ka qëllluar me kallashnikov dhe policia ka bërë të mundur në kohë reale identifikimin e këtij grupi, ku pas kërkimeve është gjetur edhe arma.

Më tej si pasojë e identifikimit të personave policia dyshon se ata janë të përfshirë në një sërë vjedhjesh. Si rrjedhojë pas kërkimeve policia ka arritur të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale, 1 kallashnikov, 4 armë gjahu çifte, si dhe 6 motorsharra të vjedhura.

Njoftimi i policisë

Dibër

Finalizohet me sukses operacioni policor “Soponika”.

Qëlluan me armë zjarri në ajër, identifikohen dhe kapen në kohe reale autorët.

Gjatë operacionit gjendet i fshehur në pyll edhe kallashnikovi me të cilin qëlluan në ajër.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër arrestojnë në flagrancë 7 persona dhe procedojnë penalisht 1 tjetër.

Të arrestuarit dyshohen se janë autorë të një sërë vjedhjesh.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 1 kallashnikov, 4 armë gjahu çifte, si dhe 6 motorsharra të vjedhura.

Shërbimet e  DVP  Dibër, krahas angazhimit maksimal për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën edhe për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se një grup personash po gjuanin me armë zjarri në pyll, organizuan punën dhe falë veprimeve hetimore të kryera finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Soponika”  në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

K. C., 23 vjeç, banues në Arras;

S. Xh., 18 vjeç, banues në Arras;

A. Gj., 21 vjeç, banues në Kastriot;

Xh. B., 28 vjeç, banues në Laçes;

D. B., 21 vjeç, banues në Laçes;

G. D., 24 vjeç, banues në Kastriot;

T. Xh., 42 vjeç, banues në Fushë Çidhen;

Si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi S. B., 29 vjeç, banues në Fushë Çidhen.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 23:50, kanë qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas e kanë fshehur armën në pyll.

Gjatë operacionit janë sekuestruar nga Policia, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov, 4 armë gjahu çifte, 2 prej të cilave janë të vjedhura, si dhe 6 motorsharra.

Nga veprimet hetimore rezulton se këta shtetas janë autorë të disa vjedhjeve në banesa.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprat penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Detyrim për të kallëzuar provën”, “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.