Qemal Draçini, profesori 25-vjeçar…

Qemal Draçini, profesori 25-vjeçar…

Pas pesë vite pune, mësuesi dhe studiuesi Nexhmi Bushati boton librin “Qemal Draçini”

(njeriu, intelektuali, martiri) – përmbledhje shkrimesh-, Shkodër, 2016. Një libër, siç thotë autori

ka: “Në qendër si figurë kryesore, Qemal Draçinin, figurë së cilës, herëpashere, i jam kushtuar

me artikujt të ndryshëm, botuar në rubrikat letrare apo kulturore të shtypit të përditshëm ose

periodikëve shkencorë”.

Qemal Draçini jetoi pak. Edhe sot e kësaj dite nuk ka varr. Pati një jetë intensive me

dimensione studimesh për kulturën, artin e letërsinë. Dha vlera edhe kur ishte gjimnazist. Në

vitet e mëvonëshme u shqua si kritik, poet, prozator, përkthyes, hartues tekstesh shkollore,

kontribues në fushën e teatrit, etj., etj. ; duke mbetur një Martir i mendimit dhe i fjalës së lirë.

 

Duke iu referuar parathënies së librit, e cila mban për autore Prof. dr. Fatbardha Hoxha,

në mes të tjerave, ajo thotë për Qemalin: “I talentuar, i ditur, i pajisur me një vullnet të

jashtëzakonshëm Qemal Draçini e nisi krijimtarinë letrare në vitet ‘30”,  ndërsa për tekstin e

veprës: “…, studiuesi Nexhmi Bushati, sjell për lexuesin një përmbledhje të veçantë në llojin e

vet, ku ka mbledhur shumë gjëra të çmuara, dorëshkrime të mbetura jashtë librit të parë (“Era”, -

shënimi im Xh.B.), si dhe interpretime edhe shtjellime rreth tyre. Ai është marrë gjatë dhe ka

shqyrtuar hollësisht çdo përbërës të kësaj trashëgimie të vyer.”

Qemal Draçini ishte DRITË, kërkonte DRITË e mbeti DRITË! Këtë ndriçim perhap e

fakton edhe botimi i përmbledhjes “Era”, Shkodër 1995, në vitet e para të ndryshimeve, që,

erdhi si një befasi e rrallë, edhe pse emri i Qemal Draçinit qe bërë i njohur herët në rrethet e

gjimnazistëve…”

Kjo “befasi e rrallë” nuk ishte e papritur, kishte vite që ishte aty, jetonte mes nesh si një vatër drite por që nata e zezë e kobzinjve kërkonte ta mbulonte e ta fshihte me mantelin e saj. Ajo u mund, sepse Qemal Draçini ishte univers me shpirt universi.

2.

Për herë të parë me Profesor Qemal Draçinin jam “takuar” në faqet e revistës “Fryma”.

Së bashku me Myzafer Pipën themeloi në Tiranë të përmuajshmen kulturore-letrare “Fryma” me

1944, ku ishte dhe redaktor.

Nga kjo “njohje” u befasova, më zgjoi interes, ajo dritë e bukur, magjepsëse, diturore që

kishte rënë në sytë e mi e nuk largohej lehtë. Mendova, përsëri, për figurën e tij: e njohur dhe e

panjohur, e harruar dhe e kujtuar. Me emrin e tij lidhen kontribute të vlefshme, si: studime,

kritika, recensione, krijimtaria letrare, etj., të cilat historiografia jonë letrare duhet të ketë njohje

më të plota.

Pikë së pari, mendova se, në rrugëtimin e problemeve të zhvillimit të letërsisë shqipe të

para si në rrafshin teorik apo krahasues, në analizën e mirëfilltë të veprave artistike, më tej,

gjykimet mbi artin e vështirë të përkthimit apo në kolanat e recensioneve të librave, etj.,; emri i

Profesor Draçinit gjithnjë ka mbetur jashtë, në periferi, në hije të teksteve. Nuk përmendet e lihet

në pluhurin e harresës, e bëhen përpjekje për ta përjashtuar nga kujtesa. A mund të përjashtohet

kulturologjia e gdhendur në revistën “Fryma” e më gjerë, e një djaloshi që nuk ishte më shumë se

24 vjeç? Kjo dëshmitare (“Fryma”) e heshtur dhe e vyer e shumëshkrimet e autorit Qemal

Draçini në çdo numër të saj, nuk përmendeshin… Ajo dëshmitare dhe ai dëshmitar ishin sfida më

e mirë që u bëhej atyre kalemxhinjve-liliputë të metodës së realizmit socialist.

Pikë së dyti, mendova se, në mes shumë shkrimeve (studimeve) të Profesor Draçinit

shkëlqejnë edhe “Vepra poetike e Migjenit” (botuar në dy numrat 3, 4 të revistës “Fryma”,

1944), “Romani i një mësueseje” (botuar në numrin 6, të revistës “Fryma”). Teksa i lexon, nuk

është e vështirë të kuptosh dimensionin e kulturës së autorit e kulturën e gjerë e të larmishme të

të shkruarit, njohjen dhe vlerësimin estetik të problemit, forcën argumentuese, shpirtin e hollë e

delikat prej artisti, etj.

Pikë së treti, mendova se, studimi për Veprën e Migjenit, lë shenja e kode, që edhe sot

duhen të merren si pika referimi. Më pas, kalojnë vitet, dhe shumë autorë të tjerë bëjnë shkrime

për Migjenin e Madh. Kam patur rastin disa syresh t’i lexoj. Nuk e di pse, përmes atyre rreshtave

më shfaqej herë pas here figura e Draçinit, të atij djaloshi afro 24 vjeçar që zbërthente aq

lakmueshëm: thellësitë e problemeve, nivelin artistik të veprës së bashkëqytetarit të tij. Ata

kërkonin të ngrinin përmendoret e tyre jo origjinale mbi varrin e Draçinit. Harruan se varri i

Profesorit ishte vetë një Përmendore.

Pikë së katërti, mendova se, ç’përkatësi të hijshme përmbante dhe rrezatonte kolana e

paraqitjes së librave (recensionalë). Vetëm një njeri me një gamë të gjerë kulture si Profesor

Draçini ndriçonte prej së vërteti vlerat e këtyre librave, ndonëse disa prej tyre u përkisnin edhe fushave të tjera joletrare. Pra, paraqitjen e tij edhe si bibliograf, askush, edhe sot, nuk e zë me

gojë.

Për të përcaktuar edhe një rrafsh tjetër të Profesor Draçinit, dua të përmend edhe

shkrimet, si: “Për një sistem të përkthimeve” e “Pëlhurtarët” (G. Hauptman) (botuar respektivisht

në numrat 2 dhe 5 të revistës “Fryma”, 1944). Për shkrimin e parë shenjojmë disa karakteristika

dalluese, si: - njohja e mirë e me kompetencë e problemit në fjalë, - argumenti shkencor, -

detajimet në funksion të idesë që përçon udhësia e problemit, etj. Kurse në shkrimin e dytë,

shënjojmë si karakteristikë: - zbërthimin e dramës (një njohje e thellë e zhvillimit të ngjarjeve që

zhvillohen në atë vepër).

Pikë së pesti, mendova se, kontributi i vyer tek revista “Fryma” e bëjnë profesor Draçinin

të pranishëm (figura e personaliteti) që duhet të studiohet edhe në disa plane të tjera. Po

përmend: -Si i konceptoi figurat e Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Migjenit, Gaspër Palit, Kolë

Mirditës dhe Sterjo Spasses, etj., në marrëdhënie me krijimtarinë e tyre? -Si pasqyroi përmes

lëndës së tekstit filozofinë e tyre duke ruajtur individualitetin artistik të shkrimtarisë, etj.? Kjo

mbetet një detyrë e studiuesve dhe e kritikës letrare për të ndriçuar figurën Profesorit ashtu siç e

meriton.

Së fundi, ishte, Ai, djaloshi flokëgështenjë në bjond, që në bisedë ishte i qeshur, që fliste

ngadalë e me zë të ulët; ishte ai që shkëlqeu në Gjimnazin e Shkodrës, ishte Ai që ndoqi studimet

në Firence për juridik, ishte ai që vdiq në burg nga torturat çnjerëzore komuniste, ishte Ai që në

esenë time përkushtuese e përkujtimore e kam cilësuar vetëm me një epitet: Profesor Draçini!

(06.03.1922 – 10.10.1947). I tillë ishte dhe i tillë mbeti!...

Shkodër, mars, 2019

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • dritan: 17/03/2019 13:38

    Bravo Prof Xhahidi, evidentimi i figurave te tilla na ben te ndihemi krenar, Shkodran. Repekte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

 Dimri i vertetë ka mbërritur! Orteqet e borës izolojnë Iballën në Fushë-Arrëz! Banorët përballen me vëshitërsi në Shishtavec të Kukësit dhe Theth të Shkodrës

Dimri i vertetë ka mbërritur! Orteqet e borës izolojnë Iballën në Fushë-Arrëz! Banorët përballen me vëshitërsi në Shishtavec të Kukësit dhe Theth të Shkodrës