Qemal Stafa/ 74 vjet nga vrasja
foto, relike kujtime e krijime letrare

Qemal Stafa/ 74 vjet nga vrasja<br />foto, relike kujtime e krijime letrare
Një shkrim i historianit Kristo Frashëri, një hartim i famshëm i Qemal Stafës i vitit 1935 mbi vargjet e Shilerit “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë..”  një foto e panjohur e 1940 nga pasaporta e tij, dy vite para se ndahej nga jet, dhe pulovra me vrimat e plumbave ditën që u vra me 5 maj ‘42…
 
Dje u shënua 74 vjetori i vrasjes së Qemal Stafës, një prej të rinjve më të spikatur komunistë  në Shqipërinë e fundviteve ’30  dhe deri  maj të 1942, kur mbeti i vrarë në Tiranë gjatë përplasjes me forcat e milicisë pak metra larg bazës ku ishte srehuar së abshku me nëj grup të rinjsh komunistë.  Studiues të ndryshëm kanë sjellë dje një varg artikujsh, dhe fotografish për ta kujtuar këtë ditë, prej të cilëve kemi zgjedhur për të krijuar nëj mozaik kujtese disa prej tyre që janë më pikantet.
Ato janë: një shkrim i shkurtër me kujtime personale, i historianit Kristo Frashëri shkruar në vitin 2012 me rastin e 70-vjetorit të vrasjes së Qemal Stafës, një hartim i vitit 1935 frymëzuar mbi vargjet e Shilerit “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë..”  bahskë me një shënim sqarues për të, si dhe një shënim mbi pulovrën e Qemal Stafës e shpuar nga plumbat ditën që e vranë dhe dy foto të panjohura  të tij.
  
Kristo Frashëri:
KUSH ISHTE QEMAL STAFA?

 
Një shkrim përkujtimor i vitit 2012, me rastin e 70 vjetorit të vrasjes së Qemal Stafës në Tiranë nga forcat e milicisë fashiste…
 
Nga Kristo Frashëri

Qemal Stafa kur ra dëshmor ishte 21 vjeç. E kam pasur shok shkolle dhe isha moshatar me të. Ai kishte një inteligjencë të jashtëzakonshme aq sa vitet e fundit të gjimnazit, çdo vit kalonte dy klasë menjëherë. Kur mori dëftesën e maturës në gjimnazin e Tiranës dinte 5 gjuhë. Ajo që na habiste ne shokëve të tij ishte se ai kishte përvetësuar me një punë këmbëngulëse edhe latinishten. Jo vetëm për nga gjuhët, por edhe për nga kultura e përgjithshme ai shquhej mbi të tjerët. Kishte kulturë klasike dhe moderne. Gjuhët që njihte e ndihmonin të lexonte veprat më të fundit që shtypeshin në Francë dhe në Itali.

Ai kishte edhe një veti që shquhej mbi të tjerët. Ishte trim në të dy kuptimet. Trim edhe në fushën politike trim edhe në jetën sociale. Ai u bë i njohur për publikun në shkurt të vitit 1939. Ishte 19 vjeç kur doli para gjyqit politik së bashku me 70 të rinj të tjerë, të cilët akuzoheshin si komunistë. Gjyqi zhvillohej në sallën e ndërtesës së Bashkisë së kryeqytetit e cila ndodhej (sot e shembur) në sheshin “Skënderbej”. Gjatë seancave gjyqësore disa nga shokët e tij e kundërshtuan akuzën duke ngulur këmbë se nuk ishin komunistë. Kur u pyet nga prokurori Kiço Visha, nëse ishte apo jo komunist, Qemal Stafa u përgjigj në mënyrë dinjitoze:

Kam qenë dhe jam komunist sepse kam bindje të thellë se komunizmi do të shpëtojë vendin tonë të varfër nga padituria dhe mjerimi. Ne, shokët e tij, qëndronim jashtë Bashkisë duke dëgjuar nëpërmjet altoparlantit mbrojtjen e Qemal Stafës. Atëherë idetë komuniste në Shqipëri njiheshin në mënyrë mjegullore. Megjithatë, fjalët e Qemal Stafës u pritën me simpati jo për idetë komuniste, por për kurajën që pati, të shpallte haptazi idetë e tij, të cilat e dinte mirë se do ta mbërthenin në burg. Qemal Stafa ishte me të vërtetë komunist. Mori pjesë në themelimin e Partisë Komuniste më 8 Nëntor 1941.

U zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj dhe u ngarkua me detyrën e sekretarit të përgjithshëm të saj të organizatës së Rinisë Komuniste, e cila u formua më 23 nëntor 1941. E përsëris, ai ishte një komunist i bindur, por si komunist ai ishte ushqyer me literaturën marksiste që botonte Partia Komuniste Frënge. Ai adhuronte elitën intelektuale të asaj kohe, e cila anonte nga idetë humane të majta. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhte me të, po të mos kishte rënë dëshmor, mbasi jeta e tij u ndërpre më 5 maj 1942 kur Partia Komuniste nuk kishte në program vendosjen e diktaturës së proletariatit, por rimëkëmbjen e pavarësisë së humbur dhe vendosjen në Shqipëri të regjimit demokratik popullor. Nuk ka fallxhor në botë që të thotë se çfarë do të ndodhte me të pas luftës kur në Shqipëri u vendos diktatura staliniane. Historia ka të drejtë të flasë për të derisa ai ra dëshmor në luftën për çlirimin e atdheut dhe për vendosjen e një regjimi demokratik.

Qemal Stafa nuk ka përgjegjësi për ato që ndodhën në Shqipëri pas Luftës Nacional Çlirimtare.
Ata që nuk e dinë, le ta mësojnë se më 5 maj 1942 Qemal Stafa kur u rrethua brenda në Tiranë nga milicia fashiste e Mustafa Krujës, nuk u dorëzua. Ai nxori revolen dhe hapi zjarr me qëllim që t’i jepte mundësi shokëve dhe shoqeve që ndodheshin në atë banesë të largoheshin nga oborri i prapmë i saj. Shkëmbimi i armëve vazhdoi gati një orë deri sa ai më në fund dha jetën burrërisht dhe trimërisht. Kush ka jetuar në Tiranë atë ditë e mban mend mirë tronditjen që pësoi kryeqyteti kur mori vesh se po zhvillohej një luftë mes milicisë fashiste të Mustafa Krujës dhe atij çunaku të vitit 1939, i cili provoi se nuk kishte vetëm guxim politik por edhe kurajo luftarake.

Nuk besoj se është harruar se 70 vjet më parë, në 5 maj 1942 kur u hap lajmi se Qemal Stafa ra dëshmor, tregu i Tiranës u mbyll në shenjë nderimi ndaj tij. Është e tepërt të thuhet se ky respekt buronte nga adhurimi që kishin qytetarët e Tiranës për heronjtë e luftës patriotike, e cila pavarësisht se ka hyrë në histori me emrin Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, ishte në thelb një luftë e mirëfilltë patriotike Shqipëri. Kush guxon ta përbuzë emrin e Qemal Stafës, ai mohon gjakun e atyre mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Nëse Qemal Stafa duhet përbuzur se ishte komunist, atëherë ne duhet të përbuzim të gjithë ata komunistë që i shërbyen komunizmit. Nëse Qemal Stafa u bë simbol i Lufta Nacional Çlirimtare nuk e ka fajin Partia Komuniste. Fajin e kanë partitë nacionaliste Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit të cilat nuk nxorën nga radhët e tyre heronj të staturës së Qemal Stafës apo të Vojo Kushit, qoftë edhe të staturave më të vogla.
  
Frederik Stamati:
Bluza me të cilën u vra Qemal Stafa

Dikur ka qenë e ekspozuar ne Muzeun e luftës. Ishte ashtu siç ja kishte hequr nga trupi e ëma. Koha dhe faktorë të tjerë po e dëmtonin. M'u kërkua nga muzeu që të merrja masa për ta shpëtuar. E sollën në laborator. Takova njëren nga motrat e Qemalit për ta pyetur për veshjen e tij, në menyrë që të afrohesha sa më tepër pranë origjinalit. Më tha se e ëma kujdesesh shumë për të. Kondita e muzeut ishte që të ruheshin edhe njollat e gjakut. Kjo e veshtiresonte punën, sepse gjaku është një mjedis shume i përshtatshëm për zhvillimin e mikroorganizmave, që e prishin tekstilin, ndërsa duhej ruajtur gjurma. Punova shume atëherë për të realizuar edhe konservimin e tekstilit dhe edhe të gjakut dhe ja dola. Sot ajo ruhet pa probleme në Muzeun Historik Kombëtar.
 
“E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, nji jetë e re po lulëzon gërmadhash”
Fjalë t’arta, fjalë plot kuptim.Tash sa vjet duelën rrjedhshëm prej pendës së një idealisti të madh, të Schillerit, shpirti i të cilit, i etshëm për gjana të reja, ndër të cilat vendin ma të parë e zente lirija e popujvet, lshonte za kushtrimi në shkretinën e thatë të idealismës s’asaj bote të vjetrueme ku rronte. Schilleri e kishte kuptue të vjetrën. Edhe na e kemi kuptue. E vjetër asht ç’do gja qi kohnat e kalueme na kanë lanë.Systemi shoqnuer, arti i dikuershëm, feja, dasija mes popujvet, janë të tilla.Njeriu vetvetiu i prirun nga përparimi i shef të metat e kohënavet të kalueme, dhe dishiron t’i ndreqë. Kndej çpikjet e reja e të çuditshme në ç’do lamë të kulturës.

Dëshirin e rrënimit të të vjetrës njeriu e ka dishmue ku e kur ka pas rast francezi në Revolucionin e Math të Francës, Galileu me ligjin e tij, Lindbergu me udhtimin prej Amerikë në Francë, Rusi me ndryshimin esistemit shoqnuer…(Borgjezë hapni veshët mirë!)
Tash të vrejmë imtësisht e mirë të gjitha sendet e vjetra.Sitemi shoqnuer i sotshëm, asht ai i disa mi vjetvet, i ndryshuem në disa pika, por aq pak, sa nuk të bie në sy. Bota asht e ndame në kontinente, kta në shtete, shtetet në qytete e krahina, deri sa mbërrimë ke njeriu e ke idenat e tija. Pasunija, qi asht pika e mbështetjes së të gjithë veprimevet, asht e ndame keq(hap sytë sa të duesh kapitalist). Njani ka miljarda e miljarda, n’sa tjetri nuk ka as nji dysh.

Disa kanë tokë të gjana për mbjellje n’sa t’afërmit e tyne nuk kanë as bukë(bukë themi) të hajë. Thonë qi asht zhdukë skllavnija.Jo,nuk asht zhdukë, po ka marë një trajtë tjetrë,atë të ndihmës. Në vend të kamxhikut të drejtuesit të robvetasht penda e bankjerit, në vend të Kesler agait asht polici qi regjstron gratë publike, viktima të vorfnisë dhe të pa-drejtësisë së shoqnisë. Nuk flas për shpatat e Jenicierëvet të zëvendësueme me vezët në sqetulla, për Giljotinën e zavendësueme me karrikën elektrike.Të gjitha kto i kemi trashigim prej kohvet të kalueme, pse e kanë burimin në ndamjen e pasunisë. T’ishte pasunija e ndame me drejtësi, barabar e të punojshin të gjithë njerzit e botës për nji qëllim, sa ndryshe do t’ishte jeta! Statistika zyrtare diftojnë haptas se gjaksinat ma të ndryshme, vjedhjet ma të mdhajat, kan pasë për shkak vobegsin.
Prej këndej shofim se asht gja e domosdoshme t’a ndryshojmë ndamjen e sotshme të pasunis (gja e vjetër) e t’a zëvendsojmë me nji ndamje të drejtë, e të njinjishme (gja e re). Rusët e kanë ba me kohë:shembull ky se e vjetra shembet.

Edhe na do t’a bajmë. Arsimi , ajo dritë e popujvet si e quente Viktor Hygo- i përpara u epej vetëm princavet e bujarvet (nobles). Sot djali i puntorit rrin në nji shkoll me djalin e ministrit qi e mjel: shenja të sigurta se bota asht neveritë prej të vjetrës dhe don të ren. Të shofim fen, opiumin e popujvet. Në kohnat e vjetra populli nuk i kuptonte kshillat e drejtuevet të tij: Për me ba arabin të lahej, e të paguente taksat kalifit ishte nevoja e nji Muhammedi qi t’i predikonte popullit ignorant se asht, ekziston, nji zot qi i çon në xhenem ata qi nuk lahen , qi nuk bajnë gymnastikë, e nuk i lajnë rregullisht taksat. Deri këtu asht mirë.Por të shohim kto tjerat. Nën maskën e ktyne rregullave sa e sa poshtërsina u banë. Sa e sa herë turma e popullit e qorrueme prej drejtuesve të fes së sajë, u bante robneshë e nji tyrani. ’’Jepni Çezarit, çasht e Çezarit, e zotiut ç’asht e zotit!’’.Sa bukur e diftojnë kto fjalë qëllimin e fesë. Ku ka nji kishë, aty ka nji mbret.

Shekulli XX po e shkatrron të vjetrën. Në vend të sajë shton shkollat laike, të majtun prej shtetit, plotson bibliotekat;lavron shkencat (anmikët ma të mdhajat të fesë:ku je Galilei para turrës së druvet?)shndron kishat e xhamijat në muzeume antiklerikale.Të vimë ke harti.Harti i deri-tashëm, qi veç trajtës së bukur nuk kishte tjetrë cilësi, nuk i përmbushë nevojat t’onë.Ç’më duhet mue nji poezi e bukur në trajtë por e vorfën në idena, nji pikturë me bojna të bukura po pa nji ide?

Poezija e sotshme përveç trajtës, ka edhe idenë, atë ide qi lufton vuejtje e puntorit, mundin e bujkut.Piktura e sotshme nuk ka aq bukuri të trajtës se të idesë.Mos kërkon në kuadrat moderne gra të bukura, skena idyllike, shenjtorë të rrethuem prej ëngjëjsh e ku t’a di unë sa prralla tjera.Kërko në to, përkundrazi të pikzuem nme ngjyra të gjalla mundimin e nji hamalli kur ngren nji arkë të madhe mushë me… shishe shampanje.
Edhe na shqiptarët do t’a rrënojmë të vjetrën.Mbi të do ngrefim madhnisht flamurin e kuq të vllaznimit, të kulturës e të pasunis.Kemi besim në vetvete, prandaj guxojmë.Asht zemra e nji të riu pesëmbëdhjet vjeçar qi ju flet!

(Shkodër, 19 Qershuer 1935.)



Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi