Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka reaguar lidhur me deklaratat e ditëve të fundit të cilat pretendojnë se Dita e Dëshmorëve të Atdheut nuk duhet të jetë dita e vrasjes së Qemal Stafës, pasi ai nuk ka kryer ndonjë akt heroik.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Braçe shkruan se Qemal Stafa nuk është një mit por një idealist, një luftëtar, një dëshmor i atdheut.

“Në kohën e tij dy zgjidhje kishe, ose fashist e në errësirën e urrejtjes, dhunës e barbarise mbi ndryshimin si individ dhe si shoqëri, ose i majtë, komunist përballë fashizmit në një betejë humane për liri, çlirim e pavarësi!”, shkruan Braçe.

Ai shprehet se Idealistët, heronjtë dhe dëshmorët mbeten përjetë.

Braçe ka komentuar edhe deklaratën e djeshme të drejtorit të Arkivave, Ardi Bido i cili tha se Qemal Stafa nuk është vrarë gjatë një atentati, por është vrarë nga xhandarmëria, duke  e thumbuar me ironi. Ai shkruan se drejtorët venë e vijnë dhe nuk i kujton askush dhe se tani janë në pikën kur duhet të venë pa kthim.

“Ne këtë vend kultura e delegjitimimit te çdo vlere kombëtare, çdo heroi e dëshmori, duhet te marrë një përgjigje më në fund! Fashizmi nuk është opinioni, por krim!”, shton ai në fund.