Kryetari i Bashkisë së  Fierit, Baftjar Zeqaj  firmosi sot, marrëveshjen për hapjen e qendrës ditore multifunksionale për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara. Ky projekt i përmbush të gjitha kriteret e parashtruara nga Programi Aktual i Kooperimit të Zhvillimit, në kuadër të marrëveshtjes italo-shqiptare të shkëmbimit të borxhit për Zhvillim (IADSA). Gjithashtu plotëson më së miri dhe profilin e Bashkisë Fier që është tërësisht social, duke rritur vëmendjen për shtresat në nevojë.

Kjo qendër do të ofrojë shërbime dhe do të përfshijë në jetën sociale personat me aftësi të kufizuara, duke nxitur dhe zhvilluar aftësimin për jetën dhe kapacitetet profesionale. Për të përmbushur në mënyrë cilësore këtë objektiv, Bashkia Fier ka përzgjedhur bashkëpunëtorë serioz që kanë të njëjtin fokus: OJF "Engim" Fier, Qendrën sociale "Murialdo" Fier, Drejtorinë Rajonale Arsimore Fier dhe Universitetin "Ismail Qemali" Vlorë. Shërbimet e specializuara në këtë qendër do të fokusohen te trajtimi pedagogjiko - edukativ, psiko - social dhe fizik i PAK (kopësht, shkollë, kurse profesionale, trajtim e këshillim prindërish).

Aktualisht godina e ndërtuar pikërisht për këtë qëllim i përmbush të gjitha kriteret bashkëkohore dhe do të jetë e para qendër sociale moderne në vendin tonë. Ajo është një godinë 4-katëshe, e pajisur me ashensor, konform standardeve për PAK, është ndërtuar në periferi të qytetit, në zonë të qetë dhe me sipërfaqe të konsiderueshme për ambientet kreative e shlodhëse./ATSH/