Qendra "Don Bosko", Kisha
protestë kundër aferave të Gjykatës

TIRANE-  Qendra edukative “Don Bosko” ka reaguar me një protestë në ambientet ku ndodhet prej 23 vitesh ndaj vendimit të gjykatave shqiptare të cilat ja kanë kthyer këtë pronë pjesërisht ish-pronarëve. Për drejtuesin e kësaj qendre Don Matteo di Fiore, drejtësia nuk duhet të përulet para presionit për ndërtim pallatesh.

...
Protestën e tyre në lidhje me marrjen e territorit për ndërtim pallatesh përfaqësuesit e qendrës edukative “Don Bosko” në kryeqytet e nisën me këngë patriotike shqiptare e pankarta me mbishkrimet: Të mbrojmë ligjshmërinë dhe të drejtat e qendrës në të mirën e të rinjve dhe popullit shqiptar”.

Kjo qendër funksionin në Shqipëri prej vitit 1992 ndërsa me firmën e kryeministrit Aleksandër Meksi në vitet e para të demokracisë ajo i është dhënë në përdorim për 49 vite qendrës dhe kishës Don Bosko.

Kisha Katolike në “Don Bosko”, denoncoi të gjithë aferën e kryer që prej vitit 2009 kur AKKP, i ka njohur 22 pronarëve 14078 metra katror, ndërkohë që pas këtij vendimi një sërë vendimesh që sipas kishës janë të dyshimta dhe korruptive, janë dhënë në favor të ish-pronarëve, duke e detyruar kishën katolike të lirojë sipërfaqen e tokës.

Për situatën e krijuar në Gjykatën e Lartë ka depozituar rekurs dhe selia diplomatike e Vatikanit në Shqipëri, ndërsa pritet që të enjten në Gjykatën e Tiranës të vendoset nëse kjo pronë do të lirohet apo të mbetet në favor të kishës siç dhe përdoret prej 23 vitesh.

foto
protesta
protesta
protesta
*Fotot A.Çakshiri/Shqiptarja.com  Foto të tjera

Si lindi ky konflikt dhe kur arritën 22 personat që pretendojnë trashëgiminë e truallit, që të marrin vendimin e AKKP për njohjen e kësaj pasurie?
Gjithçka ka nisur në 29 qershor të 2009 kur Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave (AKKP), ka nxjerrë një vendim ku i njihte 22 personave një sipërfaqe toke prej 15 mijë metra katror, por që më vonë kjo sipërfaqe u reduktua në 14078 metra katror, ku kjo shumë kërkohet medoemos nga pronarët. Me vendimin e AKKP, ish-pronarët kanë arritur ta rregjistrojnë paraprakisht në hipotekën e Tiranës,duke marrë vërtetimin e pronësisë së këtij trualli.

Pas kësaj mes ish-pronarëve dhe kishës Katolike,ka nisur një konflikt, ku pjesë është bërë dhe Avokatura e Shtetit. Lidhur me këtë konflikt çështja ka shkuar në dyert e gjykatës së Tiranës, ku në shkallën e parë është fituar nga Kisha dhe Avokatura e Shtetit, por në shkurt të 2015 është humbur në apel. Gjykata e Apelit Tiranë ka çmuar se Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me vendimin e saj nr. 211, datë 29.06.2009 ka arsyetuar drejt e në përputhje me dispozitat ligjore kur ka vleresuar se prona e pretenduar nga trashëgimtarët e subjektit Shaqir Petrela, nuk i shërbën interesit publik.

Sipas gjykatës,ka një fakt që është i ditur botërisht, se kjo shoqatë ushtron aktivitet privat pasi është pajisur nga autoritetet shtetërore shqiptare me liçencë për hapje shkollë jo-publike, në të cilën shërbimi i mësimdhënies nuk është falas por me pagesë,ç’ka nënkupton sipas gjykatës se nuk i shërben një publiku të gjerë por një grupi të caktuar. Në këtë kuptim interesi publik në rastin konkret nuk del i qartë siç në mënyrë të gabuar arsyeton Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga verifikimi që u krye nga ekspertët mbi situatën faktike të pronës së pretenduar rezultoi se në të gjendeshin të ndërtuara, fusha futbolli, ambiente në shërbim të këtyre fushave si banjo, dhoma zhveshje si dhe objekte të tjera që për nga klasifikimi janë ndërtime provizore me material të cmontueshëm, si dhe një çadër mushamaje e madhe. Pra aktualisht prona duhet ti kthehet subjektit të shpronësuar dhe më pas nëse lind nevoja e një shpronësimi me interes publik ajo mund të shpronësohet sipas ligjit.

A janë denoncuar këto vendime në instancat më të larta të drejtëisë Shqiptare?
Mbi këtë truall janë ndërtuar disa objekte si “Kisha e Zonjës Ndihmëtare”, shkolla për nxënësit, fusha sportive dhe objekte të tjera sociale që kisha pretendon se ushtron shërbim publik. Ky  skandal i është përcjellë ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, Presidentit të Republikës Bujar Nishani, ambasadës së Vatikanit në Tiranë dhe vetë kryeministrit Edi Rama, ku është denoncuar vendimi i qershorit 2009 i AKKP dhe vendimi i shkurtit 2015 i Gjykatës së Apolit Tiranë, që tashmë është kundërshtuar në Gjykatën e Lartë.

Sipërfaqja e tokës që momentalisht është e lirë dhe që pretendohet nga ish-pronarët, çfarë plani zhvillimor ka?
Kjo sipërfaqe ndodhet brenda rrethimit të shoqatës “Qendra Sociale Don Bosko” dhe më konkretisht bëhet fjalë për fushën e madhe të sportit e cila është e lirë dhe një sipërfaqe tjetër ku janë ndërtuar disa objekte provizore. Për këtë sipërfaqe të lirë toke, 22 pronarët kanë arritur të marrin një vërtetim hipotekor, ndërkohë që pas vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë atyre u është hapur rruga për ta hipotekuar plotësisht këtë truall, nga ku më pas do i hapej rruga për nënshkrimin e kontratave për ndërtimin e pallateve.

Nga një fotografim nga lart i sipërfaqes së tokës që pretendohet se i përket trashëgimtarëve të familjes Petrela, mësohet se fusha e sportit dhe disa hapësira të tjera rreth saj,ndodhen në anën perëndimore të kompleksit “Qëndra Sociale Don Bosko”. Në qëndër të këtij kompleksi ndodhet “Kisha e Zonjës Ndihmëtare” dhe pak më në lindje të saj janë ambjentet e shkollës.

planimetria kisha

Si e posedon kisha katolike këtë sipërfaqe toke dhe kush ja ka dhënë këtë truall këtij institucioni?
Ambasada e Selisë së Shenjtë në Tiranë kryen aktivitet social në qëndrën e “Don Boskos”, që prej vitit 1997. Pikërisht në këtë vit ka qënë ish-kryeministri Aleksandër Meksi që në muajin Janar të firmosë një vendim të Këshillit të Ministrave, duke urdhëruar që sipërfaqja e tokës prej 6 hektarë t’i jepet Ambasadës së Selisë së Shenjtë të Vatikanit më qera për 49 vjet. Çmimi i qerasë është caktuar 10 dollarë në çdo hektar në vit.

Pak vite më vonë një çmim i tillë simbolik u vu dhe nga Bashkia e Tiranës, që dnë atë kohë drejtohet nga Edi Rama, si taksë mbi sipërfaqen e tokës. Mirëpo pak vite më pas sipërfaqja prej 6 hektarë është reduktuar në 5 hektarë pasi 1 hektar është marrë si pasojë e zgjerimit të rrugës “Don Bosko”. Tashmë palët kanë hyrë në një konflikt ligjor, ku ende nuk dihet se si do të përfundojë. Ajo që dihet tashmë është se “tatëpjeta” për kishën ka nisur në qershor të 2009, ku AKKP, pranon t’i kthejë pronën 22 trashëgimtarëve të familjes Petrela.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës