Kjo qendër është përuruar sot nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kryeministri Edi Rama.
“Cdo telefonatë gjen akses tek operatori dhe operatorët dinë të marrin jo vetëm telefonatën por dhe të japin në kohë reale. Nga 3 Prilli ky sherbim do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë”, tha Rama teksa e prezantoi kete Reforme duke shpjeguar dhe se ku do ti duhet qytetarit te telefonoje.
"Reforma e Urgjencës Mjekësore garanton një ndryshim rrënjësor dhe të vonuar 25 vjet - Për më pak se një muaj (pas kësaj periudhe testimi/kolaudimi), Qendra Kombëtare e Urgjencave Mjekësore, me trurin e instaluar elektronik, do të marrë thirrjet në kohë reale nga i gjithë vendi dhe do të komandojë e koordinojë lëvizjet e autombulancave e të ekipeve mjekësore, në gjithë territorin. Shkurtim drastik i kohës së shërbimit, monitorim elektronik i lëvizjes së mjeteve, raportim në kohë reale i kryerjes së çdo shërbimi urgjence sipas minutazheve të përcaktuara. Dy numra FALAS, 112 dhe 127, do të jenë 24 orë në dispozicion të qytetarëve dhe çdo thirrje do të përpunohet në çast".
Madje stafi kishte përgatitur dhe demonstrim të një rasti urgjence në një rrugë kryeqyteti ku Urgjenca mbërrin në kohë dhe shpëton jetën e një personi.
Në përurimin e Qendrës së Komandës së Urgjencave, kryeministri Edi Rama u shpreh se buxheti i këtij viti për shëndetësinë është buxheti më i madh në 25 vite, që është i barabartë me 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Qendra Kombëtare e Urgjencave Mjekësore, me trurin e instaluar elektronik, do të marrë thirrjet në kohë reale nga i gjithë vendi dhe do të komandojë e koordinojë lëvizjet e autoambulancave e të ekipeve mjekësore, në gjithë territorin. 2.5 milionë lekë është vlera e trurit elektronik që do të koordinojë ambulancat në territor.
Deri tani, menaxhimi i rasteve të urgjencës, ka qenë manual dhe i mundësuar vetëm nga burimet njerëzore. Ndërsa sistemi elektronik do të mundësojë optimizimin e burimeve dhe rritjen e efikasitetit të shërbimit.
Në fjalën e tij, Rama tha se “Numri i autoambulancave është pothuajse dyfishuar dhe funksionojnë për 24 orë në 7 ditë të javës, duke qenë të vendosura jo më vetëm në qendrat e rretheve, por në çdo qytet të Shqipërisë.”
Ndër të tjera, kryeministri theksoi se e veçanta e këtij sistemi qëndron në faktin se operatori që i përgjigjet telefonatës është një person i mirë-informuar, i cili krahas dërgimit të ambulancës në kohë reale, do të identifikojnë nevojat e rasteve të ndryshme me lehtësi. Gjithashtu, risi është edhe krijimi i regjistrit të pacientëve.
Sipas kryeministrit, ky shërbim garanton siguri, shpejtësi, shkurtim drastik të kohës së shërbimit si dhe monitorim elektronik të lëvizjes së mjeteve.