Qendrat e emigrantëve të ngritura nga Italia në Shqipëri kanë marrë sinjalin e parë pozitiv nga drejtësia evropiane, siç raportojnë mediat italiane.
Sipas një opinioni të publikuar nga avokatja e përgjithshme e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, Laila Medina, Italia ka të drejtë të vendosë qendra ndalimi për emigrantët e parregullt në territorin shqiptar pa shkelur kompetencat e Bashkimit Evropian.
Në vlerësimin e saj mbi protokollin Itali-Shqipëri për menaxhimin e migracionit, Medina shkruan se Italia, ashtu si çdo shtet tjetër anëtar i BE-së, është e lirë të organizojë qendra të tilla jashtë territorit të unionit.
Edhe pse opinioni i avokates së përgjithshme nuk është detyrues për vendimin përfundimtar të Gjykatës, në shumicën e rasteve konsiderohet një tregues i rëndësishëm për drejtimin që mund të marrë vendimi final.
Ky zhvillim shihet si një mbështetje e rëndësishme për projektin e qeverisë së Giorgia Melonit, i cili prej muajsh është përballur me sfida të shumta juridike në Itali.
Megjithatë, Medina thekson se shtetet anëtare mbeten të detyruara të respektojnë të gjitha garancitë e parashikuara nga legjislacioni evropian për azilin.
Sipas saj, disa nga dispozitat italiane të përfshira në marrëveshjen me Shqipërinë nuk duket se i garantojnë këto të drejta në mënyrë “të qartë”, duke lënë të hapur një pjesë të debatit juridik rreth projektit.
Opinioni vjen në një moment të rëndësishëm për politikën migratore të Bashkimit Evropian.
Nga sot ka hyrë në fuqi Pakti i ri Evropian për Migracionin dhe Azilin, i cili ndryshon kuadrin ligjor mbi të cilin janë mbështetur deri tani shumë prej ankimimeve të emigrantëve të mbajtur në qendrat e ngritura në Shqipëri.
Vetëm pak ditë më parë, Bashkimi Evropian hodhi një tjetër hap drejt modelit të qendrave të kthimit jashtë territorit të unionit.
Ambasadorët e vendeve anëtare mbështetën rregulla të reja që u hapin rrugën shteteve të BE-së të lidhin marrëveshje me vende të treta për ngritjen e qendrave ku mund të transferohen emigrantët që kanë marrë urdhër largimi nga territori evropian.
Italia konsiderohet vendi që ka ecur më larg në këtë drejtim përmes marrëveshjes me Shqipërinë, e cila po shihet nga Roma si një model që mund të adoptohet edhe nga vende të tjera evropiane.
Në prill, një delegacion i partisë Fratelli d’Italia, forca politike e kryeministres Giorgia Meloni, zhvilloi një vizitë në kampin e Gjadrit për të verifikuar funksionimin e qendrës.
Deputetët italianë deklaruan se struktura po funksionon normalisht dhe hodhën poshtë akuzat e opozitës italiane se projekti ka dështuar.
“Kemi ardhur këtu për të dëshmuar se këto qendra funksionojnë”, deklaroi në atë kohë deputetja Sara Kelany, përgjegjëse për Departamentin e Emigracionit në Fratelli d’Italia.
Aktualisht në Gjadër funksionon Qendra e Qëndrimit për Riatdhesim (CPR), me kapacitet prej 96 vendesh.
Sipas të dhënave të autoriteteve italiane, që nga fillimi i funksionimit të saj janë trajtuar 527 emigrantë, ndërsa dhjetëra persona janë riatdhesuar.
Qeveria e Giorgia Melonit e konsideron projektin një model të ri për menaxhimin e migracionit dhe ka shprehur vazhdimisht dëshirën që skema të ngjashme të zbatohen edhe në vende të tjera.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se modeli i qendrave të emigrantëve në Shqipëri mbetet një marrëveshje ekskluzive me Italinë dhe nuk do të zgjerohet me shtete të tjera.
Komente




