Qëndrimet e Britanisë ndaj pretendimeve
greke për Shqipërinë e Jugut, 1939-1949

Qëndrimet e Britanisë ndaj pretendimeve<br />greke për Shqipërinë e Jugut, 1939-1949<br>
Instituti i Historisë/ASA

Dokumentacioni i njohur na çon në përfundimin se politika britanike, duke filluar nga viti 1913 e deri në prag të Luftës së Dytë Botërore (LDB), me pak përjashtime, i ka parë me simpati pretendimet greke për Shqipërinë e Jugut. Kjo prirje vazhdoi disi edhe gjatë LDB, por edhe pas përfundimit të saj. Por, rrethanat e krijuara i detyruan qeveritë britanike, që ta modifikonin qëndrimin e tyre dhe ta harmonizonin atë veçanërisht me politikën e SHBA.

 

Në ndryshim nga periudha e Luftës së Parë Botërore, kur Britania e Madhe firmosi  Traktatin e Fshehtë të Londrës, për copëtimin e territoreve shqiptare në favor të shteteve fqinje, gjatë LDB ajo bëri një deklaratë të një natyre tjetër. Ajo njohu të drejtën e ekzistencës së një shteti të pavarur shqiptar, pas mbarimit të Luftës. Deklarata e 17 dhjetor 1942, pavarësisht se e la të hapur për diskutim problemin e kufijve të shtetit shqiptar, ishte një hap i rëndësishëm përpara krahasuar me periudhën e LPB. Më 17 dhjetor 1942 Sekretari Britanik i Shtetit bëri deklaratën zyrtare në Dhomën e Komuneve, se qeveria e Madhërisë së Tij do të mbështeste një Shqipëri të pavarur. Por, deklarata e tij përfundonte me fjalët: ‘H.M.G. e konsideron çështjen e kufijve të shtetit shqiptar të pasluftës, si një problem që do të shqyrtohet në Konferencën e Paqes’. Eden e modifikoi disi këtë deklaratë, në një letër të tij drejtuar ambasadorit grek në Londër, më 30 dhjetor 1942. Ai theksoi, se politika e qeverisë së Madhërisë së Tij, nuk do ti diskutojë pretendime territoriale gjatë luftës.

Në mbarim të LDB, Britania e Madhe u gjend në dilemë. Ajo, nga njëra anë duhej të respektonte një deklaratë zyrtare, për të ringritur shtetin shqiptar, ndërsa nga ana tjetër i duhej të përmbushte një premtim jo zyrtar ndaj qeverisë greke në emigracion: kompensimin e shtetit grek me territore shqiptare. Por, përmbushja e pretendimeve greke, do ta bënte pothuajse të pamundur ekzistencën dhe eficensën e shtetit shqiptar, ndërsa rrethanat e krijuara pas mbarimit të luftës, nuk do ta  favorizonin përmbushjen e këtij premtimi. Britania e Madhe nuk ishte më “violina e parë” në politikën botërore, sikurse kishte qenë në Luftën e Parë Botërore. Skena botërore e pasluftës do të dominohej nga SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, ndërsa roli i Britanisë së Madhe do të dobësohej. Në këto rrethana Qeveritë e Madhërisë së Tij do të tregoheshin më të kujdesshme, më realiste, më të matura, por edhe më të sofistikuara ndaj pretendimeve greke për Shqipërinë e Jugut.

Në studimet e përgatitura gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Instituti Mbretëror i Studimeve Ndërkombëtare pranë Oxford-it, vihet re një lloj prirjeje për të mbështetur pretendimet e artikuluara nga qeveria greke në emigracion. Por, argumentimi i tyre juridik, historik, etnologjike e deri diku strategjik,i paraqitur nga qeveria greke ishte i dobët, jo bindës dhe me koeficient të lartë rreziku për stabilitetin e Ballkanit të pasluftës.

“Metaksai, thuhet në një dokument anglez, përdori ndjenjën kombëtare greke në dimrin e vitit 1940-1941 për ‘Epirin e Veriut’, si nxitje për të përzënë italianët, jo vetëm nga Greqia, por edhe nga Shqipëria e jugut. Gatishmëria e Zogut për të mbështetur rezistencën e Greqisë kundër italianëve u refuzua nga Metaksai, për shkak të pretendimeve greke për Shqipërinë e Jugut. Qeveria greke në emigracion,në fund të shtatorit 1941, do t’i kujtonte Foreign Office (FO) ‘të drejtat’ e Greqisë për territoret e ‘Vorio Epirit’. Në FO në atë kohë mendohej se, kishte arsye të forta për të mbështetur pretendimet greke, por përmbushja e tyre do të ishte një akt vdekjeprurës për fatin e shtetit shqiptar të pasluftës. Sidoqoftë, në FO gjykoni se, nëse pretendimet greke do të shoqëroheshin me ato jugosllave, copëtimi i territoreve shqiptare në favor të dy shteteve fqinje do të ishte më i lehtë.  Por, kjo alternativë mbeti brenda zyrave të FO, ndërsa qeveria britanike nuk mori përsipër të mbështeste pretendimet e qeverisë greke në emigracion në rrugë zyrtare.

Më 27 prill 1943 në një letër që iu dërgua kryeministrit grek M. Tsuderos, qeveria britanike nuk angazhohej zyrtarisht për të përmbushur pretendimet greke për ‘Epirin e Veriut’, ndonëse nuk fshihej simpatia ndaj Greqisë.  Në nëntor 1944 qeveria e Papandreut i kërkoi qeverisë britanike të shpallte publikisht se, ajo nuk do ti harronte pretendimet greke kur të vinte koha e mbajtjes së Konferencës së Paqes. Por, qeveria britanike sërish nuk bëri ndonjë deklaratë zyrtare, sikurse kërkonte qeveria greke. Në mbarim të luftës Britania e Madhe u gjend në dilemë. Nëse do të plotësoheshin pretendimet e Greqisë për Shqipërinë e Jugut, ekzistenca e shtetit shqiptar do të bëhej e pamundur; por nëse ato nuk plotësoheshin, ndërmjet të dy vendeve nuk do të kishte marrëdhënie miqësore për një periudhë të gjatë kohe. Koha tregoi se ky parashikim ishte i saktë.

Më 27 shkurt 1945 ambasadori grek i përcolli FO një memorandum, duke paraqitur sërish pretendimet e qeverisë së tij për ‘VE’. Por, Eden më 23 mars 1945 do të shprehej se, ishte e dyshimtë nëse pretendimet greke ndaj Bullgarisë dhe Shqipërisë do të njiheshin, duke nënvizuar se argumentet raciale pothuajse nuk gjenin mbështetje, ndërsa ato strategjike ishin te papërshtatshme. Pretendimet greke u bënë subjekt diskutimi në nivelet e larta të FO, më 28 qershor 1945. Në dokumentin përkatës thuhet se, pretendimet greke për ‘VE’ ishin më të dyshimta se sa kishin qenë në vitin 1919, kur qeveria britanike i kishte pranuar ato. Por, sidoqoftë Greqia nuk do të lihej pa gjë, nëse krijohej ndonjë rast i arsyeshëm. Ajo mund të kënaqej duke i dhënë zonën përkundrejt Korfuzit. Por, qeveria greke këshillohej të tregohej e duruar, dhe të mos këmbëngulte të fuste forcat e saj të armatosura në territorin shqiptar, sepse mund të konfliktohej me Jugosllavinë. Sidoqoftë, duke i gjykuar rrethanat të pafavorshme, qeveria britanike nuk ia bëri të njohur këtë qëndrim qeverisë greke, por u përpoq të koordinonte politikën e saj me atë të SHBA. Në një bisedë të datës 11 shtator 1945, Orme Sargent do t’i bënte të ditur regjentit grek, se e ardhmja e kufijve të Shqipërisë nuk ishte çështje vetëm e qeverisë britanike, por edhe e fuqive të tjera. Sidoqoftë, ai nuk harroi ti shprehte regjentit grek opinionin, se qeveria britanike i kishte në mendje pretendimet e Greqisë dhe,se do ti diskutonte ato kur të vinte koha. Regjenti nga ana e vet i përmendi zyrtarit të lartë të FO, një bisedë konfidenciale të tij me Çurçillin, i cili sipas tij, i kishte bërë premtimin se“do ti siguronte Greqisë ç’farë ajo kërkonte në Epirin e Veriut”. Sargent nuk bëri asnjë koment për premtimin e Çurçillit, por rikonfirmoi nevojën për të arritur një marrëveshje ndërkombëtare për këtë çështje. 

FO e modifikoi disi politikën e vet në mars 1946, duke u dhënë mbështetje më të fortë pretendimeve greke. Qëndrimi i ri u kushtëzua nga thashethemet që qarkullonin në atë kohë, në lidhje me krijimin e mundshëm të Federatës Jugosllavo-Shqiptare, e cila shihej si rrezik për interesat britanike, amerikane e greke në rajon. Në prill 1946 qeveria greke i paraqiti zyrtarisht Këshillit të Ministrave të Jashtëm pretendimet e saj per ‘VE’, ndërsa qeveria britanike sikurse edhe qeveria amerikane nuk i kundërshtuan ato. Më 4 maj 1946 ambasadori britanik në Athinë u udhëzua nga kryeministri laburist Ernest Bevin, t’i bënte të ditur kryeministrit grek (Tsaldaris), se kur të diskutoheshin pretendimet greke në Këshillin e Ministrave të Jashtëm apo në Konferencën e Paqes, përfaqësuesi britanik do të shprehej, se ai nuk kishte menduar më parë në lidhje me propozimin grek, por, sidoqoftë ai duhej të shqyrtohej.

Tsaldaris vizitoi Londrën në korrik 1946. Gjatë takimit me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Britanisë së Madhe, atij iu premtua se pretendimet greke ndaj Bullgarisë dhe Shqipërisë do të shqyrtoheshin plotësisht dhe me ndershmëri.

Në gusht 1946, në një raport të Shefave të Shtabit të Komitetit të Përbashkët të Planifikimit [anglo-amerikan] përmendej, se diçka mund të bëhej për pretendimet greke kundër Shqipërisë. Por, kjo do të ndodhte në rrethana e kushte specifike, vetëm nëse Shqipëria do të ndërmerrte e vetme ndonjë sulm kundër Greqisë, gjë që nuk kishte gjasa të ndodhte. Sidoqoftë, në raport përmendej se nëse këtij sulmi të supozuar do ti bashkohej edhe Jugosllavia, pasojat do të binin mbi Greqinë, e cila nuk do të dilte e fituar. Sir Pierson Dixon, në një bisedë me ambasadori grek, Aghnides, në Paris, më 2 shtator 1946, do të deklaronte: ‘ne nuk jemi përpjekur asnjëherë ta mbajmë të fshehtë nga grekët, që ne nuk i kemi marrë parasysh pretendimet e tyre kundër Bullgarisë dhe ca më shumë ato kundër Shqipërisë. Ai shtonte më tej: ‘sinqerisht për ne ato duken shumë të sikletshme’.

Në dhjetor 1946 delegacioni grek në Kombet e Bashkuar i paraqiti delegacionit britanik një dokument mbi pretendimet e tyre ndaj Shqipërisë. Por përgjigja e marrë ishte deziluzionuese. Atij iu bë e qartë se, pretendimet greke jo vetëm që nuk kishin shpresa që të pranoheshin, por nëse këmbëngulej më tej, ato mund të shkaktonin fërkime ndërmjet të Mëdhenjve, ndërsa të dëmtuar do të ishin grekët. Qeveria greke bëri përpjekjet që ti paraqiste sërish pretendimet e saj, gjatë kohës që po diskutohej drafti i Traktatit të Paqes me Italinë, por, pa dobi. Parlamenti grek e ratifikoi Traktatin e Paqes me Italinë më 28 tetor 1947, duke shpresuar se një traktat të tillë, do ta nënshkruante edhe me Shqipërinë, e cilësuar prej tyre si vend humbës i LDB. Qeveria britanike pati shpresa se qeveria amerikane do ta rishikonte qëndrimin e saj ndaj pretendimeve greke, pas rezolutës të miratuar në Komisionin e Jashtëm të Senatit Amerikan [rezoluta Peper], por pa rezultat. Rezoluta nuk kishte fuqi detyruese për qeverinë amerikane dhe ndaj saj u mbajt heshtje.

Qeveria britanike nuk e ndryshoi qëndrimin e saj zyrtar, as pas prishjes së Jugosllavisë me Byronë Informative. Në të vërtetë, ajo mbështeti afrimin greko-jugosllav, ndërsa pretendimet greke vazhdoi t’i mbante në sfond. Në dhjetor 1948, Pipinelis i propozoi Sekretarit britanik të Shtetit një opsion të ri. Ai u shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për të hequr dorë nga pretendimet ndaj Shqipërisë, nëse ato do të refuzoheshin nga një autoritet ndërkombëtar. Propozimi i Pipinelis ishte në fakt një përsëritje e skemave të mëparshme, të cilat nuk kishin dhënë fryte as në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, e as në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.  Pretendimet greke realisht nuk po gjenin mbështetje as tek qeveria britanike e as tek ajo amerikane. Gjatë takimit të kryeministrit të Greqisë, Tsaldaris me nën Sekretarin amerikan të Shtetit Dean Acheson në dhjetor 1946 u paraqitën si zakonisht edhe pretendimet greke për Shqipërinë e Jugut. Por, Tsaldaris ndeshi në irritimin e diplomatit amerikan. “Pasi e dëgjova për rreth dy orë, kujton Acheson, Tsuderos u bë elokuent kur filloi të fliste për pretendimet greke për Epirin e Veriut. Unë, vazhdon ai më tej, e humba krejt qetësinë dhe i thashë: se ç’farë burrë shteti ishte ai që  harxhonte kot kohën dhe energjitë për pretendime territoriale, kur jo vetëm Greqia e Veriut, por e gjithë Greqia po shkonte në ferr drejt shkatërrimit total”.

Gjatë periudhës së luftës civile në Greqi në verën e vitit 1949, FO ruante pikëpamjen se do ta anashkalonte jo zyrtarisht ndonjë inkursion të vogël të grekëve brenda territorit shqiptar. Por, zyrtarisht ajo do ti përmbahej pikëpamjes se do të ishte e gabuar që ushtria greke të kalonte kufijtë shqiptarë.

Më 5 nëntor 1949 kryeministri Bevin pati një bisedë me Tsaldaris në Paris, duke i bërë të ditur se ‘Greqia nuk do të ishte kurrë e sigurt nga ndonjë  ndërhyrje e sovjetikëve, po qe se nuk hiqte nga dorë nga pretendimet për Epirin e Veriut’. Ai i bëri të qartë Tsaldaris, se në çfarëdo rasti ai nuk do ta kishte mbështetjen e qeverisë britanike për pretendimet territoriale, dhe po kështu mendonin edhe amerikanët. Por ai e siguroi Greqinë nga ana tjetër, se do të kishte mbështetjen e qeverisë së tij, për aq kohë sa ajo do të mbetej brenda kufijve ekzistues,  të rregulluar nga Traktatet e Paqes me shtetet satelite’[komuniste].Tsaldaris pranoi se BM nuk kishte ndonjë detyrim zyrtar që të mbështeste pretendimet greke për VE, por nuk la pa përmendur bisedimin e fundit të Eden me mbretin Jorgo, dhe një thënie të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Byrnes, të cilët, sipas tij, e kishin bërë qeverinë greke të besonte, se pretendimet e tyre do të merrnin në të vërtetë mbështetjen e qeverive perëndimore.

Konkluzione
a. Qëndrimi i qeverisë britanike ndaj pretendimeve greke për ‘VP’ që nga LDB ka qenë shumë i rezervuar. Pretendimet greke kanë pasur mbështetje të dobët në sensin etnologjik, ekonomik dhe strategjik.  Politika britanike e konsideronte shumë të vështirë realizimin e synimeve greke për tokat shqiptare, prandaj ajo direkt dhe jo direkt ka dhënë sinjale të qarta që Greqia do ta kishte pothuajse të pamundur arritjen e tyre.  Por në të njëjtën kohë, ajo nuk ka dalë hapur kundër pretendimeve greke, duke pasur dëshirë që ti jepeshin Greqisë, diçka më shumë se ishujt Dodekanezë. Si  rezultat dera u është lënë e hapur.

b. Qeveria britanike është përpjekur që të mbështeste pavarësinë e Shqipërisë, por ka lënë të kuptohet se përderisa të mos jetë nënshkruar një Traktat Paqeje i Greqisë me Shqipërinë, çështja e kufijve ndërmjet të dy vendeve nuk mund të konsiderohen përfundimisht e zgjidhur. Ajo nuk ka qenë kundër versionit, që maksimumi i përfitimeve territoriale që mund t’i jepeshin Greqisë, do të ishin territoret shqiptare përballë Korfuzit, duke përfshirë Delvinën, Sarandën dhe Konispolin. Qeveria britanike ka bërë dy deklarata zyrtare publike: atë të 17 dhjetorit 1942, përmes së cilës mbështeti pavarësinë e Shqipërisë, por e la të hapur për diskutim problemin e kufijve të saj; dhe e dyta më 20 korrik 1946, kur shpalli gatishmërinë  e vet për të dëgjuar  pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë dhe Bullgarisë.

c. Komunikime konfidenciale ndërmjet zyrtarëve të dy shteteve, nuk duket se kanë lënë shteg për të inkurajuar Greqinë në kërkesat e saj territoriale, por në mënyrë të nënkuptuar asaj nuk është mbyllur dera përfundimisht.

Politika amerikane e britanike për të paraqitur e dëgjuar pretendimet greke në forumet ndërkombëtare, nuk do të thoshte dakordësi për miratimin e tyre. Qeveritë e të dy vendeve do të kishin dashur që Greqia të merrej me problemet e brendshme dhe të hiqte dorë nga kërkesat territoriale, sepse gjendja e brendshme e Greqisë së përfshirë në luftën civile ishte e vështirë. Si Bevin ashtu edhe Byrnes ruanin një linjë të parakorduar zyrtarisht; ata do të donin t’i shihnin plotësisht të rëna pretendimet greke. Por, në FO gjykonin më me gjakftohtësi,se nëse refuzoheshin haptazi pretendimet greke nga dy fuqitë perëndimore, do të shkaktohej zemërim tek shumica e popullit grek. Kjo mund ta çonte Greqinë në prehrin e sovjetikëve. FO llogariste se, përderisa BS do të vendoste veton kundër pretendimeve territoriale greke ndaj Shqipërisë dhe Bullgarisë, kursi më i mençur i qeverive amerikane e britanike do të ishte ai, që do ti linte grekët të ngecnin në kundërshtimin e sovjetikëve. Si rezultat, fatura do të paguhej nga ata e jo nga fuqitë perëndimore. Kjo logjikë duket se eci në rastin e Greqisë, por loja e sofistikuar e tyre duket se bëri efekt të kundërt në Shqipëri. Ajo e vendosi qeverinë shqiptare nën trysninë e frikës së copëtimit të territoreve shqiptare, dhe në këtë pikë të gjithë shqiptarët ishin tejet të ndjeshëm. (Tiranë, 27 nëntor 2017) *)Kumtesë e mbajtur më 27 nëntor në konferencën e organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike me temë: “Rrugëtimi i shtetit të pavarur shqiptar – nga krijimi drejt integrimit evropian” organizuar me rastin e  105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

STALIN

STALIN

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë