Disa pamje janë publikuar nga ambientet e një shkolle në fshatin Thanë, njësia administrative Fiershegan, Bashkia Lushnjë, ku kushtet higjieno-sanitare paraqiten në gjendje të mjerueshme dhe të rrezikshme për jetën e nxënësve. Video-denoncimi është bërë publik nga deputeti Saimir Korreshi, i cili ka nxjerrë në pah realitetin e vështirë me të cilin përballen fëmijët çdo ditë.
Në pamjet e publikuara shihen tualete jashtë çdo standardi: pa dyer dhe pa dritare, të degraduara dhe të papërdorshme në kushte normale. Situata bëhet edhe më alarmante nga fakti se në këto ambiente është konstatuar edhe prania e gjarpërinjve, duke e kthyer shkollën në një vatër rreziku për nxënësit.
Gjendja e oborrit të shkollës, i mbushur me mbeturina, e përkeqëson më tej panoramën e një institucioni të lënë në harresë. Në reagimin e tij, Korreshi ironizon me “reformat në arsim”, duke theksuar kontrastin mes deklaratave zyrtare dhe realitetit në terren.
Ky rast ngre shqetësime serioze dhe shërben si një kambanë alarmi për institucionet përgjegjëse, duke theksuar se shumë nxënës në zonat rurale vazhdojnë të mësojnë në kushte që cënojnë shëndetin, sigurinë dhe dinjitetin e tyre.
“Situata e banjove. Pa derë, pa penxhere. Kur thosha që kemi të bëjmë me qenefe, ju thonit, urdhëro se i keni. Kjo është sekuencë: qenef, banjo, ambient, gjarpërinj. Kjo është situata me të cilën përballen kalamajtë nëpër fshatra. Reforma e këtyre në arsim që na hoqën mendjen dhe që na i tregojnë. Urdhëro! Është ulëritëse, s'është ulëritëse?! Kur them që janë banjo pa... pa dyer, i heqin njerëzit, detyrohen, janë qenefe, hale. Hale, hale, e patë vet, hale. Urdhëro oborri i shkollës, na si e kemi, shiko. Shiko si ke plehrat me oborrin e shkollës. Ja dhe unë te kalamajtë. Shiko këtu mbrapa çfarë ke, domethënë çfarë tmerri. Faqe e zezë!”, thotë Korreshi.
Komente










