Qeveria, 10 mln Euro për
helikopterë, 1 VIP për Berishën

TIRANE - Një pagesë prej mëse 874 mijë eurosh është paguar nga thesari i Ministrisë së Financave në 9 mars 2012, për të mbuluar shpenzimet për pjesëmarrjen në një konferencë. Pagesa është bërë me urdhërin nr. 1310/1 dt 9.03.2012 për shumën 874. 773.18 euro, sipas kursit një euro 142.7 lekë dhe fatura mban numrin 3241200013 datë 17.01.2012 në adresë të dy bankave, brenda dhe jashtë vendit. Shuma totale në lekë është 125.016.087,4 lekë. Ministria e Arsimit mohoi dje që kjo shumë është dhënë për një pjesëmarrje në konferencë, siç argumentohet nga thesari i shtetit, duke thënë se ky fond është dhënë nga Komuniteti Europian për Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë. Por edhe nëse kjo është e vërtetë, ashtu siç dyshojnë ekspertët e thesarit të kontaktuar nga "Shqiptarja.com", rreth 900 mijë euro për konferenca janë shumë fonde, kur me 1 milion euro mund të bëhet një shkollë e mirë në Tiranë për nxënësit që mësojnë me turne.

MINISTRIA
900 mijë eurot e deklaruara te dega e thesarit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës si pagesa për pjesëmarrje në aktivitete, janë fonde të projekteve të kërkimit shkencor, FP7, të financuara nga Komisioni Evropian. Kështu deklarojnë burime zyrtare pranë dikasterit të arsimit. Ata na shpjegojnë se bëhet fjalë në fakt për një rimbursim fondesh nga Komisioni Evropian, për pagesat që ministria e Arsimit ka bërë për shkencëtarët e rinj, që kanë përfituar në kuadër të projekteve për kërkimin shkencor që mbështetet nga Komisioni Evropian. "Këto para nuk janë pagesa që i ka bërë ministria e Arsimit, por janë pagesa që janë bërë për Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Më konkretisht bëhet fjalë për FP7, një projekt për kërkimin shkencor dhe që mbështetet nga Komisioni Evropian. Në bazë të marrëveshjes, ministria e Arsimit ka paguar rreth 1 milionë euro për përfituesit e vitit 2011, nga ky projekt, dhe tani Komisioni Evropian, na ka rimbursuar 90 për qind të vlerës së paguar, që është rreth 900 mijë euro. Pra e theksoj edhe një herë që këto janë para që janë hedhur në degën e thesarit nga komisioni Europian dhe do t'i kalojnë Ministrisë së Arsimit. Kjo është një gjë lehtësisht e verifikueshme, pasi mund të kontaktoni edhe me zyrën e Komisionit Evropian", - shpjegon një zyrtar pranë dikasterit të arsimit, duke mohuar që kjo pagesë e majme të jetë bërë për pjesëmarrje në aktivitete.

15 MLD PER HELIKOPTERET
Ndërkohë, Qeveria shqiptare po vazhdon të paguajë fonde të konsiderueshme për të sjellë në vend helikopterë ushtarakë plus një helikopter VIP për kryeministrin. Brenda dy ditëve të shkuara, thesari i Ministrisë së Financave ka disbursuar tre herë nga 500 milionë lekë të reja, në total 1.5 miliardë lekë të reja, për t’iu paguar kompanisë "Eurocopter", me seli në Francë. Në datat 15 dhe 16 mars janë bërë tre çelje fondesh nga thesari i Ministrisë së Financave, seicila me vlerë 500 milionë lekë për të paguar furnitorin "Eurocopter".

Siç duket edhe nga dokumenti original i marrë nga Ministria e Financave, publikuar në numrin e sotëm të gazetës “Shqiptarja.com”, pardje dhe dje janë dhënë plot 10 milionë, 714 mijë e 285 euro, nëse e konvertojmë me kursin 140 lek një euro.

Blerja e helikopterëve është parashikuar në buxhet dhe kësti i fundit do të jepet në vitin 2014, kur normalisht do të jetë një cabinet tjetër qeveritar. Marrëveshja për këtë daton që në 2009, kur në 24 prill, dy muaj para zgjedhjeve parlamentare, kryeministri Berisha vizitoi Francën dhe deklaroi se mori mbështetjen e presidentit Nikolas Sarkozi për integrimin nee BE dhe NATO. Atë ditë revista franceze "L'Express" deklaroi se qëllimi i takimit Berisha-Sarkozi ishte kontrata e majme nga buxheti i shtetit shqiptar për të blerë helikopterë nga kompania europiane "Eurocopter" ku Franca ka shumicën e aksioneve.

Kontrata që është nënshkruar në dhjetor 2009 në Tiranë parashikon që Shqiperia tee paguaje 78 633 288 euro dhe ndër blerjet u shtua edhe helikopteri EC 145 VIP me vlerë mbi 5.3 milionë euro. Ajo hyri në fuqi në fund të gushtit 2011 dhe me 84 milionë euro parashikohet blerja e 5 helikopterëve ushtarake "Cougar" dhe një helikopteri VIP për kreret e shtetit.

(arr/im/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës