Qeveria, ankand sekret
bonosh, 10 mln euro

Qeveria, ankand sekret <br />bonosh, 10 mln euro
TIRANE- Mungojnë fondet, qeveria përdor masa emergjente. Në kushtet kur të ardhurat janë gati të pandryshuara me faktin e vjetshëm dhe, madje, më të ulta se parashikimi për një vit më parë, viti financiar parashikohet të mbyllet me një borxh emergjence, që do të merret nga bankat e nivelit të dytë në vend, pa dalë në tregjet e huaja, por duke marrë direkt valutë, për të përballuar shpenzime për interesa apo kredi që janë marrë apo paguhen në monedhën evropiane.

Sipas burimeve nga ministria e Financave, Banka qendrore nuk do të lejohet të hyjë në këtë financim, pasi edhe me ligj ajo ndalohet të financojë Ekzekutivin për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj. Në fakt, ky institucion e ka shkelur më se një herë këtë kërkesë, por kjo është një çështje tjetër. BSH qeveria e ka përdorur më se një herë në mënyra të ndryshme për të financuar gropat e buxhetit, siç ishte rasti i blerjes me detyrim të Hotel Dajtit, ndërkohë që BSH kishte shumë probleme të tjera më të rëndësishme për të zgjidhur.

Ndryshe nga herët e tjera, bonot do të jenë me afat 12-mujor. Kjo është hera e tretë që qeveria shqiptare del në treg me bono në euro, ndërkohë që me lekë ankandet e letrave me vlerë organizohen dy-tri herë në muaj. Ankandi i parë është zhvilluar më 28 qershor të vitit të kaluar dhe interesi në shkallë vjetore i 25 milionë euro bonove ka qenë 6.05 për qind. Por ky interes është rritur këtë vit, kur ministria e Financave ka dalë për herë të dytë, me shitjen e 20 milionë euro bonove të tillë. Këto u pranuan nga tregu me interesin e rritur në nivelin 6.39 për qind. Rritja e interesit ishte në masën afro gjashtë për qind.
Ende nuk dihet se sa do të jetë interesi i bonove të fundvitit, por vështirësitë e tregjeve ndërkombëtare imponojnë një kujdes më të madh për blerësit e letrave me vlerë të vendeve si Shqipëria, pavarësisht se pas tyre është një shtet. Sipas agjencive kryesore të vlerësimit të aftësive financiare të vendeve të botës, Shqipëria hyn në vendet me risk të lartë për të investuar. Kjo nuk do të thotë automatikisht që nuk do të blejë njeri bono, por çmimi i tyre është më i lartë për vendet që konsiderohen me rrezik.

Deri tani, drejtuesit e Financave publike kishin deklaruar se nuk do të merrnin më borxhe, në përpjekje për të ulur nivelin e borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, si dhe të deficitit buxhetor. Ky i fundit, sipas statistikave të sapopublikuara për 11 muajt e vitit 2011, ka tendencë të rritet vazhdimisht, me të ardhurat që rriten 0.7% krahasuar me vjet, në një kohë që shpenzimet buxhetore janë rritur me 3,5 për qind. Deficiti si 11-mujor është 60 për qind më i lartë se ai i një viti më parë në të njejtën periudhë.

Absurde duket në këtë mes deklarata e bërë nga kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë, sipas të cilit "ngushtimi i deficitit buxhetor dhe mbajtja e borxhit nën 60 për qind dhe ngushtimi drastik i deficitit buxhetor janë dy kushtet, të cilat do të parandalojnë në të ardhmen kriza të tilla".
Por, lidhur me kufirin e 60 përqindëshit, dyshime të reja kanë lindur pikërisht dje, pas miratimit të një akti normativ, i cili e rrit nivelin e borxhit edhe me 4.5 miliardë lekë të tjera, duke e çuar 8 miliardë lekë mbi 60 përqindëshin shifrën e borxhit në raport me PBB-në.

"Kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të borxhit të shtetit dhe atij të garantuar të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, për vitin 2011, është 84.690 milionë lekë", thuhet në dokument. Në ligjin për buxhetin e shtetit shifra ishte 79.288 milionë lekë. Diferenca është 4.5 miliardë lekë të reja. Kjo është e barabartë me shifrën, që Ekzekutivi ka vendosur dje të lejojë KESH-in të marrë borxh, me një VKM tjetër.

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

AMA: Pirateria sfidë serioze, bëhet në servera jashtë vendit! I kemi kërkuar AKEP mbylljen 128 faqeve online

AMA: Pirateria sfidë serioze, bëhet në servera jashtë vendit! I kemi kërkuar AKEP mbylljen 128 faqeve online