Ky vendim, që bëhet dukëshëm, në prag të zgjedhjeve, për të rritur numrin e subjekteve që mund të marrin licensa, në fakt krijon një çoroditje të re në tregun e karburanteve në vend. Si dhe krijon mundësinë për luhatje më të theksuar të çmimeve.
Më parë, qeveria kishte vendosur të caktonte një kuotë depozitimi të lartë, me logjikën e ruajtjes së çmimit nga luhatjet e tregut ndërkombëtar, si dhe për krijimin e kushteve më të mira për mbojtjen nga incidentet. Ka qenë qeveria ‘Majko’ që, në vitin 1999 vendosi të jepeshin licensa për kompani private për tregtimin me shumicë të karburanteve (deri atëhere kjo tregti mbulohej nga shteti).
Me VKM të datës 18 mars 1999, u vendos që "Kapaciteti minimal i depozitave të shoqërive, që kërkojnë të pajisen me leje tregtimi të llojit A (diezel dhe benzinë) do të jetë 7.000 metra kub (7 milionë litra) dhe, kur leja jepet për më shumë se një kategori produktesh, do të jetë jo më pak se 3.000 metra kub (3 milionë litra) për çdo kategori produkti.
Kjo lejoi në treg një numër shumë të kufizuar subjektesh që plotësonin kushtet. Për të korrigjuar këtë, në prill 2002 një VKM e dytë uli kushtin e kapaciteteve depozituese, të cilat duhej të ishin jo më pak se 3.000 metra kub. Kjo ka mbetur në fuqi deri tani. Madje, qeveria ‘Berisha’ ka konfirmuar kapacitetin kusht prej 3 mijë metrash kub në një Vendim tjetër qeverie, të miratuar më 16 korrik të 2008-ës.
Në një editorial të posaçëm të portalit energjia.al, komentohet se “tashmë çdo (pseudo)kompani mund të aplikojë për marrjen e një license, vetëm duke pasur në pronësi (ose me qira) një depozitë prej 500 metrash katrorë.
Në pamje të parë, duket që ky lehtësim i kushteve të licensimit do të rritë konkurrencën, me përfitues final konsumatorin. Por, ky liberalizim i (pa)pastudjuar vetëm sa do ta dëmtojë përfundimisht këtë treg, duke i dhënë shkelmin final.
Tregu është tashmë i formuar, me operatorë të konsoliduar, të cilët kanë realizuar investime gjigande në të. Aktorët e tregut shpresonin që kushti të rritej në 10 mijë metra kub (siç është aktualisht për depozitat bregdetare) për të gjithë operatorët në të ardhmen e afërt, duke mbijetuar kështu vetëm kompanitë serioze dhe të shëndosha financiarisht”.
Sipas këtij opinioni, ky vendim është tërësisht në kundërshtim me praktikat më të mira evropiane, të cilat kërkojnë rregulla të forta për t'u zbatuar. I vetmi shpjegim për këtë vendim vlerësohet të jetë perfitimi afatshkurtër elektoral, duke shpresuar që të zhbëhet sa më shpejt.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.04.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)