Qeveria diskuton rreth vazhdimit
të pagesës së të përndjekurve

Qeveria diskuton rreth vazhdimit<br />të pagesës së të përndjekurve<br>
Pak ditë pasi qeveria njoftoi se janë siguruar pagesat e dëmshpërblimit të parashikuar me ligj për të gjithë ish-të përndjekurit që janë gjallë (8 këste), një njoftim i ri ka të bëjë me vijimin e pagseave për katëgoritë e tjera të këtij grupi social.

Ideja që po debatohet nëpër ministri është se, pas shlyerjes së plotë të detyrimit financiar për ish të përndjekurit e kategorisë së parë, qeveria mund të heqë dorë nga kompensimi për trashëgimtarët që nuk i përkasin brezit të fëmijëve të personave të persekutuar që nuk jetojnë më. 

Në ligjin përkatës, nuk specifikohet se deri se në cilin brez mund të përfitojnë familjarët e tyre. Me pak fjalë, në rast se kanë vdekur edhe fëmijët e një ish të përndjekuri, në përputhje me ligjin, përfitimi do të shkonte tek trashëgimtarët e radhës, pra tek nipat dhe mbesat e tij, mjaft që trashëgimia të provohej me dokumenta.

Por duket se një gjë e tillë po krijon një barrë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit, që tanimë është ngarkuar edhe me detyrime të jashtëzakonshme, të tilla si vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Ka një këndvështrim të ri, që po diskutohet brenda qeverisë: do t’i shlyejmë të gjithë, brezin e dytë, brezin e tretë, brezin e katërt pa mbarim, apo do të kufizohemi?”, shtroi një pyetje retorike dje, në një takim me median, kreu i Financave dhe Ekonomisë, Arbën Ahmetaj.

Kjo flet për atë, që ekspertët e Financave pranë qeverisë kanë sugjeruar që të amendohet ligji, në mënyrë që të ulen në minimum shpenzimet për këtë kategori, duke u kufizuar tek brezi i parë i trashëgimtarëve.

Ndryshe nga e drejta e pronës, që konsiderohet si një e drejtë themelore e njeriut edhe nga shteti shqiptar dhe e cila trashëgohet pavarësisht nga niveli e afërsisë me personin që nuk jeton më, e drejta e shpërblimit për ata që kanë bërë burg apo internim të rëndë në epokën e komunizmit është një e drejtë që u është njohur me ligj trashëgimtarëve. Në rastin e fundit, është Kuvendi që mund të caktojë gradën e trashëgimtarëve, deri ku mund të përfitohet pagesë dëmshpërblimi, ndërkohë që një gjë e tillë nuk ka vlerë për ish-pronarët.

Aktualisht, buxheti i shtetit parashikon një shumë prej 2 miliardë lekësh apo 15 milionë eurosh për këtë vit në favor të ish-të përndjekurve. Duke qenë se të gjithë ata që kanë mbetur gjallë janë likuiduar, aktualisht po marrin fonde trashëgimtarët e tyre, këstin e dytë, nga tetë të tillë.

Kjo shifër ka qenë 1.97 miliardë lekë në vitin 2015, 1.98 miliardë në vitin 2016 dhe do të mbetet 2 miliardë lekë edhe këtë vit dhe vitin pasues. Vetëm për vitin 2020, në buxhetin afatmesëm të qeverisë, është parashikuar një rritje prej 10 përqindësh, duke e kaluar shifrën në nivelin e 2.2 miliardë lekëve.

Kjo deklaratë duket qartë që ka të bëjë me përpjekjet e Financave që të ulin sa më shumë shpenzimet buxhetore, por ajo mund të hasë edhe në kundërshtitë e opozitës politike apo përfaqësuesve të ish-të përndjekurve.

Rritja ekonomike
Arben Ahmetaj deklaroi se rritja ekonomike parashikohet të ketë qenë 3.9% për vitin 2017 dhe madje parashikohet 4.2% këtë vit. “Rritja e vitit 2017 mendohet si 12 mujor të arrijë rreth 3.9%, që patjetër është mbi nivelin e parashikuar, qoftë nga ne qoftë nga Banka e Shqipërisë apo institucionet financiare ndërkombëtare, si FMN, BB apo BERZH”, deklaroi Ahmetaj. “Tremujori i 3, për të cilin edhe të dhënat janë zyrtare është një tremujor shumë i mirë, por i goditur nga thatësira. Për këtë shkak energjia goditi me minus 34% industrinë . Nëse do të kishim një situatë normale mund të ishim më lart, mund të kishim synuar edhe rritjen ekonomike prej 4% që gjatë vitit 2017”, tha ai.

Sa u përket investimeve, ministri është treguar optimist. Ato llogariten të shkojnë në pothuaj të njëjtin nivel me vitin 2016, që ishin gati 1 miliard euro. “Në qoftë se do të ecim me të njëjtin term si tremujori i tretë dhe i katërt, atëherë do të kapim pothuajse të njëjtën shifër që kemi kapur në vitin 2016. Dua të theksojë që investimet e mëdha në dy vitet që vijnë janë në fazat e përfundimit dhe të hyrjes së operimit në ekonominë shqiptare të tyre, qoftë të Devollit, qoftë të TAP-it. Por patjetër këto dy investime të mëdha do të zëvendësohen nga investime serioze në turizëm, në ndërtim dhe në bujqësi, por në aspektin tjetër, duhet të mendoni që përfundimi i investimeve të huaja rrit produktivitetin e ekonomisë shqiptare”, shtoi ai.

Sipas ministrit parashikohen edhe investime strategjike, si ngritja e Aeroportit të Vlorës, apo disa projekte të rëndësishme në turizëm, që nga ana legale e proceduriale pritet të maturohen në 6 mujorin e parë dhe të fillojnë investimin gjatë fundit të 2018-s apo fillim të 2019-s. “Janë 1100 kompani të huaja, janë kompani me shifra më të ulëta që furnizojnë gjenerimin e rritjes organike të investimeve të huaja dhe ekonomisë dhe këto janë gjithmonë në rritje. Po ashtu, janë 304 projekte të mëdha që organikisht do të furnizojnë rritjen ekonomike dhe vlerën e investimeve të huaja”, bërit të ditur Ahmetaj.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Media gjermane “Blick”: Vizitoni Shqipërinë, vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore

Media gjermane “Blick”: Vizitoni Shqipërinë, vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore