/ATSH-B.Jashari/.-Qeveria e Republikës së Kosovës bën të ditur se e ka njoftuar zyrtarisht Bashkimin Evropian në lidhje me vazhdimin e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë dhe shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit për normalizim, me rastin e vendimit për vazhdimin e strukturave paralele në komunën e Shtërpcës duke emëruar kryetarin ilegal të komunës së Shtërpcës, i cili njëherësh është dhe kryetar i zgjedhur i kësaj komune.

Në shkresën që ministrja për Dialogun, Edita Tahiri ia ka drejtuar Bashkimit Evropian, përkatësisht Fernando Gentilinit, ajo ka kërkuar që BE-ja të ndërmarrë të gjitha masat për të ndalur Serbinë që të ndërhyjë me struktura paralele në Kosovë, duke potencuar se Serbia po vazhdon të shkelë Marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë me garancat e BE-së, duke krijuar trupa ilegale të Serbisë në Republikën e Kosovës. Me këtë rast, ministra Tahiri ka ritheksuar se Serbia ka vazhduar t'i mbajë strukturat paralele edhe në katër komunat veriore dhe për të cilat qeveria e Kosovës e ka njoftuar në vazhdimësi Bashkimin Evropian, përfshirë dhe në Raportin për gjendjen në implementimin e Marrëveshjeve të Brukselit të dërguar në BE në tetor 2014.

Në këtë shkresë, Tahiri përsëri ka përshkruar situatën destruktive në këto komuna, ku ndër të tjera ka thënë se "më parë, në vitin 2014 qeveria e Serbisë kishte miratuar vendimin sipas të cilit Aleksandar Spiric do të kryejë përkohësisht detyrën si kryetar i të ashtuquajturës 'trup i përkohshëm i Kuvendit Komunal të Mitrovicës' dhe anëtarë të këtij trupi janë emëruar: Dragisha Vlashkovic, Dragan Radisavljevic dhe Ninislav Gjeric. Për komunën e Zveçanit kryetar i këtij organi të paligjshëm është emëruar Vucina Jankovic (i cili është zgjedhur kryetari i komunës së Zveçanit në zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës më 3 nëntorit 2013) dhe anëtarë: Dragan Nedelkovic, Ivan Todosijevic, Sinisha Milosavljevi, Milivoje Galjak dhe Miodrag Aciç. Në vitin 2013 Qeveria e Serbisë e ka emëruar si kryetar të këtij organi ilegal për Komunën e Leposaviqit, Dragan Jablanovicin (i cili është zgjedhur kryetari i komunës së Leposaviçit në zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës më 3 nëntorit 2013) ndërsa për anëtarë kanë emëruar: Dobrivoj Gjurgjevic, Zoran Todic, Mark Kuzmanovic dhe Radosh Mihajlovic. Për Komunën e Zubin Potokut kryetar të këtij organi të paligjshëm është emëruar Stevan Vulovic (i cili është zgjedhur kryetari i komunës së Zubin Potokut në zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës më 3 nëntorit 2013) dhe anëtarë: Nemanja Jakshic, Dragisha Jovanovic, Bojan Perovic dhe Latinka Utvic".

Qeveria e Kosovës konsideron se këto veprime të Serbisë janë thelbësisht dekstruktive dhe të cilat kanë për qëllim përmbysjen e arritjeve të shumta nga procesi i dialogu të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe cenojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

"Ndërhyrjet ilegale të Serbisë në Kosovë përherë kanë qenë veprime negative dhe kanë krijuar tensionime dhe destabilizim. Këto veprime nuk janë në përputhje me frymën e BE-së për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal, përkundrazi janë akte dëshpërimi kur tentohet të pengohet legjitimiteti demokratik dhe puna e kryetarëve komunalë të zgjedhur në mënyrë të rregullt në bazë të Kushtetues dhe ligjeve të Republikës së Kosovës", theksohet në njoftimin e sapodërguar nga Qeveria kosovare