Vetëm një ditë pas dorëheqjes së zëvendëskryeministrit Arben Fetai, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar rikonstruim të Qeverisë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski tha se ende është herët të thuhet nëse zëvendësimi i Fetait do të jetë ndryshimi i vetëm në kabinetin qeveritar, duke lënë të kuptohet se mund të ketë lëvizje më të gjera.

“Tani jam i përkushtuar ndaj ndryshimeve të brendshme partiake dhe ristrukturimit. Planifikojmë ta përfundojmë këtë deri në mesin e qershorit dhe më pas, në gjysmën e dytë të muajit, do të ulemi me partnerët qeveritarë për të diskutuar se si do të vazhdojmë. Mendoj se atëherë do të marrë formë”, deklaroi Mickoski.

Deklarata vjen në një moment kur në ekzekutiv është hapur një vend vakant pas dorëheqjes së Arben Fetait. Zëvendëskryeministri përgjegjës për qeverisje të mirë njoftoi largimin nga posti më 1 qershor përmes një letre publike, duke theksuar se po largohej “me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër”.

Fetai kishte munguar prej kohësh nga aktivitetet publike në funksionin që mbante. Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, daljet e tij të fundit publike si zëvendëskryeministër datonin që në muajin mars. Ai mungoi edhe në seancën parlamentare të pyetjeve të deputetëve më 18 maj, ndonëse më herët ishte paralajmëruar se do të merrte pjesë.