Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se Ligji i ri për Përfaqësim të Drejtë nuk do të bazohet më te përqindjet etnike apo ndarja e vendeve të punës sipas komuniteteve, por te cilësia dhe profesionalizmi i kandidatëve.
Deklarata u bë gjatë seancës së pyetjeve parlamentare në Kuvend, ku Mickoski tha hapur se nuk dëshiron që qytetarët të shihen “përmes prizmit të përqindjeve”, por përmes aftësive profesionale dhe kritereve objektive.
“Shumë shpejt do të keni mundësinë në Kuvend të votoni Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, ku përqindjet nuk janë të rëndësishme, por cilësia. Nuk dua t’i shoh njerëzit përmes përqindjeve, por përmes cilësisë dhe optikës objektive”, deklaroi Mickoski.
Në praktikë, kjo prek drejtpërdrejt mënyrën se si shqiptarët dhe komunitetet e tjera do të punësohen në administratën shtetërore. Deri tani, përfaqësimi etnik ishte i garantuar përmes mekanizmit të njohur si “Balancuesi”, i cili synonte që institucionet shtetërore të kishin numër proporcional të të punësuarve nga komunitetet, sidomos shqiptarëve, bazuar në përqindjen e popullsisë.
Por me ligjin e ri, fokusi duket se zhvendoset nga përfaqësimi proporcional drejt kritereve profesionale dhe vlerësimit të aftësive individuale. Kjo ka hapur debat të fortë politik në vend. Koalicioni shqiptar VLEN, që është pjesë e qeverisë, e mbështet projektligjin dhe thotë se ai do të sjellë përfaqësim më të mirë dhe më funksional në administratë.
Ndërkohë, opozitarja BDI kundërshton draftin, duke argumentuar se ligji nuk është i formuluar mirë dhe nuk përmban mekanizma ndëshkues për institucionet që nuk respektojnë përfaqësimin e komuniteteve. Sipas tyre, zbatimi mund të mbetet vetëm në nivel rekomandimi.
Edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka dorëzuar në Kuvend një tjetër draft për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Aktualisht, në procedurë parlamentare ndodhen dy versione të ligjit: ai i përgatitur nga Qeveria dhe drafti i propozuar nga Aleanca për Shqiptarët.
2 vjet pa zgjidhje ligjore për përfaqësimin e komuniteteve në institucione shtetërore
2 vjet më parë, pas nismës së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Gjykata Kushtetuese e RMV-së vendosi me shumicë votash të shfuqizojë “Balancues”-in, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore, duke argumentuar se mekanizmi ishte abuzuar gjatë proceseve të punësimit.
Që prej atëherë, në Maqedoninë e Veriut mungon një zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve në institucionet shtetërore, ndërsa frika më e madhe e partive shqiptare mbetet se heqja e kuotave mund të ulë ndjeshëm praninë e shqiptarëve në administratë.
Çfarë parashikon Ligji i ri për Përfaqësim të Drejtë?
Projektligji parashikon që deklarimi etnik të jetë vullnetar. Sipas nenit 6, çdo qytetar ka të drejtë të deklarohet lirshëm për përkatësinë ndaj një komuniteti, por edhe të mos deklarohet fare, pa pasoja për të drejtat apo pozitën e tij në shtet.
Drafti parashikon edhe masa për të shmangur abuzimet me deklarimin etnik. Në rastet kur dyshohet për deklarim arbitrar, institucionet mund të përdorin si kriter verifikimi dokumentet personale, si emri në letërnjoftim apo dokumente të tjera zyrtare.
Nëse konstatohet keqpërdorim, kandidatit mund t’i refuzohet aplikimi dhe ai nuk do të ketë të drejtë të aplikojë në konkurse për tre muaj. Ligji parashikon edhe të drejtën e ankesës apo padisë në gjykatë.
Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e një Trupi Koordinues pranë Qeverisë, i cili do të monitorojë zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në administratë.
Ky trup do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri dhe do të përfshijë ministra, drejtorin e Agjencisë për Administratë, Avokatin e Popullit, përfaqësues të Komisionit kundër diskriminimit, profesorë universitarë dhe sektorin civil.
Sipas draftit, Trupi Koordinues do të monitorojë përfaqësimin e komuniteteve në sektorin publik, marrëdhëniet ndëretnike dhe do të propozojë masa për përmirësimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes në administratë.
Ndërkohë, neni 14 parashikon që ligji të rivlerësohet pas pesë vitesh nga hyrja në fuqi. Pas këtij vlerësimi, Qeveria mund të propozojë ndryshime, kufizime apo edhe heqjen e masave të veçanta, nëse konsideron se objektivat janë arritur ose masat nuk janë më të nevojshme.
Komente







