Kjo ishte pyetja që i bëhej lexuesit të gazetës Përlindja e Shqipëniës, organi zyrtar i qeverisë së përkohshme të Vlorës dhe përgjigja që i jepej për drejtimin e Shqipërisë pas Shpalljes së Pavarësisë.
Nëse orientimi perëndimor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare kishte shprehur dëshirën e elitave politike e intelektuale që kombi shqiptar të hynte në rrugën e përparimit evropian, Shpallja e Pavarësisë dhe ekzistenca e shtetit u ofroi atyre shansin për të zbatuar eksperimentin e modernizimit të Shqipërisë.
Ndonëse me legjitimitet të përkohshëm, qeveria e Vlorës, përqendroi vëmendjen në çështje thelbësore të qeverisjes, ku dallohej sendërtimi i sistemeve shekullare/laike të centralizuara, tipar ky i qeverisjeve perëndimore. Kjo përpjekje mund të konsiderohet si embrioni i një procesi të gjatë shtetformimi dhe deosmanizimi nëpër të cilin do të kalonin shqiptarët dhe shteti i tyre.
Përfundimi me sukses i tij nuk do të ishte gjë tjetër veçse zbatimi në terren i modelit të Rilindësve Shqiptare për orientimin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare: Larg Lindjes pranë Perëndimit. Zbatimi i këtij modeli shkonte në union edhe me vendimet e Koncertit Evropian në lidhje me organizimin e shtetit shqiptar, ku roli i evropianëve në kuadrin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit do të ishte thelbësor.
Sendërtimi i sistemeve shekullare të centralizuara vlerësohej si një nismë e rëndësishme për Shqipërinë e asaj kohe, që synonte shfuqizimin e heterogjenitetit dhe forcës së autoritetit fetar, si pushtet udhëheqës, organizues dhe fragmentar brenda shtetit të ri. Shqiptarët duhej ta perceptonin shtetin e tyre si shekullar/laik dhe, si i tillë ai nuk do të mund t’i përkiste ndonjë feje të veçantë, por të gjithëve, çka do t’i hapte rrugë krijimit dhe vendosjes së autoritetit të shtetit mbi të gjithë shoqërinë.
Në sajë të këtij procesi do të homogjenizohej marrëdhënia e shoqërisë me qeverisjen dhe do të universalizohej procesi i shtetformimit, me anë të një administrate kombëtare, një sistemi arsimor unik dhe një gjuhë, jo vetëm semantike, por edhe praktike. Në këtë mënyrë, ndërgjegjja e shqiptarëve si edhe institucionet e ndryshme sociale e fetare, do të formonin një kohezion me sistemin politik, përtej kufijve që Shqipërinë e mbanin ende të copëzuar së brendshmi.
Qeveria e Vlorës, së pari shekullarizimin e projektoi në sistemin e drejtësisë. Më 5 maj 1913 u miratua Kanunin e Jurisë, i cili ishte një ndërthurje e parimeve evropiane të së drejtës me Sheriatin Osman. U vendos bashkimi i çështjeve civile me ato penale, gjykimi i tyre jo më nga kadijtë por nga gjykatat shtetërore.
Për çështjet penale u krijua sistemi i jurisë. Gjyqet e Sherisë, me në krye myftiun, do të trajtonin vetëm çështjet me karakter fetar. Trajtimi i problemeve penale dhe civile nga gjykatat e reja, praktikisht, çonte drejt shkrirjes së gjykatave fetare, të trashëguara nga sistemi osman.
Shekullarizimi trokiti edhe në administratën e re shtetërore. Që prej 30 gushtit të 1913-ës zotërimi i shqipes u vendos nga qeveria e përkohshme, si kusht themelor për të gjithë nëpunësit ekzistues dhe ata rishtarë që dëshironin të punonin në institucionet shtetërore. Veprimtaria e administratës shtetërore u vendos mbi baza ligjore dhe shekullare, më 22 nëntor 1913, me shpalljen e “Kanunit të Përtashëm të Administratës Civile”.
Ky ligj u hartua mbi bazën e parimit të pushtetit të njësuar, duke lënë mënjanë idenë e kantonizimit, ndonëse ajo mbështetej nga kryetari i qeverisë së përkohshme, Ismail Qemal Vlora.
Në Kanunin e Përtashëm që nuk kishte karakterin e ligjit themeltar, ishin specifikuar disa nene edhe për komunitetet fetare, në funksion të qëllimit për të vendosur lidhje më të afërta dhe për të organizuar më mirë funksionimin e komuniteteve fetare në marrëdhënie me institucionet civile dhe administrative të shtetit.
Në këtë mënyrë, qeveria institucionalizonte funksionimin, kompetencat, detyrat dhe organizimin e komuniteteve fetare në bazë të legjislacionit shtetëror shqiptar. Ndarja e shtetit nga feja dhe përpjekjet për institucionalizimin e legjitimitetit të qeverisjes krijonin premisa për zhvillimin e mëtejshëm të komponentëve laikë, duke i bërë ato pjesë të organizimit dhe funksionimit institucional, kulturor, politik dhe publik brenda shoqërisë shqiptare.
Por, pavarësisht hartimit të “Kanunit të Përtashëm të Administratës Civile”, qeveria e përkohshme e Vlorës ishte ende larg hartimit dhe zbatimit të një legjislacioni të plotë shekullar, që do të zëvendësonte legjislacionit osman.
Qeveria e përkohshme shqiptare kërkoi ta shtrinte shekullarizimin edhe në fushën e arsimit, duke synuar krijimin e një sistemi arsimor kombëtar, jo fetar. Ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi u angazhua seriozisht në këtë proces. Në zbatim të kësaj politike, në gusht të vitit 1913, u vendos “që të çilet në çdo sundimtari nga një normale përgatitore ku nxënësit do të pranoheshin mbi bazën e disa kushteve”.
Kushtet caktoheshin në urdhrin e Ministrisë së Arsimit, të datës 31 gusht 1913, sipas të cilit, shkolla fillore ishte e detyrueshme për të gjithë nxënësit e Shqipërisë, kurse shkollat e veçanta do të funksiononin vetëm pasi të kishin plotësuar kriteret e përcaktuara në ligj. I gjithë sistemi arsimor duhej t’i nënshtrohej ligjeve të shtetit shqiptar. Shkollat duhej të merrnin leje zyrtare nga qeveria, të përdornin gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, të kishin programe dhe libra të njohura nga Ministria e Arsimit.
Ministria e Arsimit i kushtoi rëndësi edhe përgatitjes së terminologjisë shqipe për degët e administratës, të arsimit dhe të sferave të tjera të jetës së vendit. Për këtë u ngrit një komision, i cili në qershor 1913 përgatiti fjalët dhe termat e nevojshme në fushën e ushtrisë dhe të drejtësisë.
Në nëntor 1913, qeveria parashikoi ngritjen e një qendre shkencore për studimin e çështjeve të gjuhës amtare, të programeve dhe të teksteve shkollore. Në thelb ky ishte projekti për themelin e një Akademie Kombëtare për çështjen e gjuhës dhe të programeve shkollore.
Ndërkohë, diskursi publik i elitës së kohës mori përsipër misionin qytetërues ndaj shoqërisë, pakicave apo kategorive të caktuara periferike (fshatarë, malësorë, etj), perceptimi dhe mënyra e jetesës së të cilave nuk i përshtatej vizionit që elita, në këtë rast qeveria, kishte mbi shtetin dhe shoqërinë.
Bëhet fjalë për atë që studiuesi i qytetërimeve Ferdinand Braudel e konsideron si punë e vetes mbi veten. Përmes publicistikës, në faqet gazetës Përlindja e Shqipëniës, intelektualët shqiptarë morën përsipër rolin e emancipuesit të shoqërisë dhe të kombit gjatë procesit të shtetformimit dhe modernizimit.
Edhe pse një pjesë e mirë e intelektualëve shqiptarë të kohës ishin pjesë e kontekstit osman të reformimit të shtetit, vihet re një përpjekje ligjëruese e tyre për ti diferencuar sa më shumë shqiptarët nga turqit osmanë, pavarësisht se në shumicë ata i përkisnin të njëjtës fe, asaj myslimane. Pikërisht evidentimi qartazi i dallimit shqiptarturk dhe perceptimi i Shqipërisë si e kundërta e Perandorisë Osmane, pa asgjë të përbashkët me të përbën një tipar themelor të diskursit të tyre publik.
“Shqipëria nuk është Anadoll, as shqiptarët anadollakë”, ndërkohë që “ mira e Turqiës mund të jetë e liga e Shqipniës” theksohej në shkrimin e Kristo Floqit, më 3 shtator 1913. Për të shmangur fundin e keq, shqiptarët duhej “t’i hiqnin sytë nga Anadolli, nga Turqia”, të shkëputeshin plotësisht nga e kaluara osmane, të shikonin drejt së ardhmes dhe të përqafoni qytetërimin evropian, “rrojtja pas të cilit asht shpëtimi i përparimt të kombit”.
Trashëgimia institucionale osmane, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, në faqet e Përlindjes, shihej si pengesa kryesore që Shqipëria të barazohej me Perëndimin. Mungesa e një rrjeti të organizuar unik shkollor në gjuhën amtare konceptohej gjithashtu si një tjetër pengesë për projektin homogjenizues të elitës shqiptare.
Në mbështetje të politikës së qeverisë së përkohshme, rëndësi iu dha shekullarizimit në qeverisje. Shqiptarët duhet të përqafonin shtetin laik, si autoriteti suprem që lejonte pluralizmin fetar dhe krijonte kushte barazie për të gjitha komunitetet. “Qeveria duhet të vraponjë në organizmin e Shqipërisë duke i dhënë ngjyrën dhe frymën Evropiane e jo Asiatike që të mundim të rimë në rugë të qytetërimit”, u bënte thirrje shqiptarëve, Mihal Grameno.
Në shkrime nuk hezitohej të cilësoheshin si orientale, të liga, “të rrezikshme sa nuku nëmërohen dot as që mund të shkruen”, të gjitha ato kategori shoqërore, trajta të organizimit shoqëror, nënkultura apo mendësi, brenda shoqërisë shqiptare të trashëguara nga osmanët, të cilat konsideroheshin nga elitat si të papranueshme për kohën moderne. Theksi vihej tek niveli i ulët i nëpunësve të shtetit, dembelizmi dhe korrupsioni.
Ndërsa qeveria e përkohshme e Vlorës shpallte vendime për zbatimin e modelit perëndimor në qeverisje dhe zëdhënësja e saj Përlindja e Shqipëniës përpiqej të “bënte shqiptarët”, natyrshëm lind pyetja: A ishte e gatshme shoqëria shqiptare për ta pranuar ndryshimin?
Pavarësisht vullnetit të elementëve të spikatur të qeverisë së përkohshme të Vlorës, reforma shekullarizuese mbeti në letër dhe rezultoi e parakohshme.
Arsyet thelbësore të këtij rezultati duhet ta kërkojmë tek prapambetja e shoqërisë shqiptare, mungesa e një jete të organizuar mbi institucionet kombëtare, mungesa e kultivimit të shqipes si një gjuhë e shkruar, pamjaftueshmëria e infrastrukturës materiale dhe njerëzore. Ishte e vështirë që menjëherë pas shkëputjes nga Perandoria Osmane, shoqërisë shqiptare, duke përfshirë këtu edhe një pjesë të elitës, t’i imponoje një sistem modern laik dhe evropian, të ndryshëm nga ai osman. Aq më tepër, kur një pjesë e qenësishme e saj kishte reaguar negativisht edhe ndaj reformave që vetë shteti osman kishte ndërmarrë para vitit 1912.
Shoqëria shqiptare, si pjesë organike e asaj osmane, ishte dukshëm e shtresëzuar, tradicionale, e mbyllur, me tipare patriarkale e autoritare. Tradita dhe trashëgimia osmane e pranishme në botëkuptimin e shqiptarëve nuk mund të zhdukej vetëm me hartimin e kuadrit ligjor, sa hap e mbyll sytë.
Sipas profesorit F. Braudel, përgjithësisht një shoqëri e ka tmerr të përqafojë një të mirë kulturore që vë në pikëpyetje strukturat e saj më të thella. Shihet se për rrethe të ndryshme në terren kthesat ndjehen si përmbysje: “Ç’po bëhet e ç’do të bëhet?”. Ky nuk është një fenomen ekskluzivisht shqiptar, as ballkanik.
Është një problem që del në të gjitha kthesat e mëdha, shkruan Eric Hobsbaëm në librin e tij Kombet dhe nacionalizmi prej 1870. “Ne jemi otomanë”, u kujtonte Esat pashë Toptani mbështetësve të tij në Shqipërinë e Mesme, në qershor të 1913-ës. Sado që Shqipëria u nda, ju gjithë populli duhet të rini rehat si nënshtetas otomanë” - përfundonte ai.
Zhvillimet e mëtejshme historike dhe shoqërore në Shqipëri do të tregojnë se përshtatja e shqiptarëve me procesin e zëvendësimit apo ndryshimin e traditave, sistemit të kultit, organizimit ekleziastik dhe marrëdhënia që ata do të shfaqin në shtetin e tyre, do të rezultojë një proces i gjatë dhe i vështirë.
*)Instituti i Historisë
Akademia e Studimeve Albanologjike
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com