Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ditë më parë raportoi në Parlamentin e Serbisë, për planin franko-gjerman dhe bisedimet me Kosovën. Vuçiç, në përfundim të seancës së të enjtes tha se Serbinë e presin ditë shumë të vështira.
“Duhet të flasim, të kërkojmë zgjidhje, të gëlltisim, të heshtim, pa rrezikuar interesat jetike, por të jemi të hapur për kompromis”, tha ai.
![]()
Por, në një komunikatë të cilën Qeveria e Serbisë e ka publikuar në uebfaqen zyrtare, Kosovës i referohet Republika Kosovës, gjë e cila nuk ka ndodhur më herët nga zyrtarët serbë, apo nga vetë Qeveria.
“Pika 2: Këmbëngulja në formimin e Asociacionit, i cili duhet të jetë kornizë ligjore dhe fizike për të drejtat e popullit tonë dhe organizimin e tyre në Republikën e Kosovës, me mbështetjen e Serbisë, të cilën askush nuk duhet ta pengojë”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, të shtunën, kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiç, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia mund të ndodhë brenda këtij viti.

