Qeveria garanton se do t’i përmbushë 
kriteret evropiane në afat rekord

Qeveria garanton se do t’i përmbushë <br />kriteret evropiane në afat rekord
Qeveria e Kosovës garanton se do t’i përmbushë të gjitha detyrimet afatshkurta, por edhe ato afatgjata, të parapara me studimin e fizibilitetit të lëshuar sot nga Komisioni Evropian. 

Kryeministri Hashim Thaçi tha se studimi i fizibilitetit i hap Kosovës dritën jeshile për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në të ardhmen. Sipas tij, Brukseli është pajtuar që Kosova të jetë partnere e barabartë me të gjitha vendet tjera që aspirojnë integrimet, duke i hequr të gjitha pengesat që kanë mundur të ekzistojnë. 

“Fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit shënon hapin më të rëndësishëm në kuadër të avancimit të procesit integrues të shtetit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe të faktorizimit të Kosovës në pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, vlerësoi Thaçi, transmeton REL. 

Kryeministri Thaçi rikujtoi në vijim edhe katër fushat kryesore, në të cilat Komisioni Evropian kërkon nga Kosova për të arritur përparim konkret. Nisur nga këto sfida, kryeministri u ka kërkuar ministrave të kabinetit të tij që t’i rrisin angazhimet dhe punojnë në plotësimin e agjendës evropiane.
“Ato janë: sundimi i ligjit, reforma e administratës publike, trashëgimia kulturore dhe tregtia. Unë dua që ta bëj të qartë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se kriteret teknike të mbetura do të përmbushen në afatin rekord”, theksoi kryeministri Thaçi.
Kriteret e parashtruara për Kosovën në studimin e fizibilitetit janë të përballueshme dhe të zbatueshme, tha në anën tjetër ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.
Ajo e vlerësoi si shumë të rëndësishme ujdinë e Komisionit Evropian që pavarësisht mosnjohjes së saj nga pesë vende anëtare të BE-së, Kosova të mund të firmosë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit sapo të jetë gati. 

“Janë dy palë kriteresh, ato afatshkurta, të cilat ne duhet t’i përmbushim në mënyrë që edhe zyrtarisht të fillojë negocimi i MSA-së (Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim). Janë kritere të arritshme dhe shumë të matshme, të cilat ne mund t’i përmbushim brenda fare pak muajsh, për tre katër muaj të gjitha këto kritere mund të realizohen”, tha Çitaku.

Në janar të këtij viti nisën negociatat në lidhje me liberalizimin e vizave. Kurse në qershor Brukseli i ofroi Kosovës edhe udhërrëfyesin që do të çojë përfundimisht deri te heqja e vizave edhe për qytetarët e Kosovës në të ardhmen.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi