Ambasadori Gjerman Hellmut Hoffmann dhe Drejtoresha Ekzekutive e Organizatës Joqeveritare Albanian Human Rights Group (AHRG), Elsa Ballauri nënshkruan sot një kontratë për mbështetjen financiare të Qeverisë Gjermane në vlerën e 25.000 eurove për këtë organizatë me qëllim përmbushjen e misionit të saj në mbështetje të pakicave në Shqipëri

Kjo shumë do të shkojë për hapjen e një akademie verore (Minority Rights Acad emy), ku pjesëmarrësit do të marrin leksione se si mund të mbështeten dhe zbatohen më mirë në Shqipëri të drejtat e pakicave dhe si mund të ndërtohet më tej një rrjet i efektshëm i shoqërisë civile.

"Gëzohem që Gjermania ndihmon një organizatë joqeveritare si AHRG në misionin e saj për të mbështetur pjesëtarët e pakicave në Shqipëri në zbatimin e të drejtave të tyre", deklaroi Ambasadori Hellmut Hoffmann.  Albanian Human Rights Group (AHRG)  u krijua në vitin 1996 si organizata e parë joqeveritare në Shqipëri.

Qysh atëherë ajo është angazhuar me shumë sukses për respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Që prej vitit 2012 kjo organizatë zhvillon çdo vit në Voskopojë një akademi verore rreth temës "Të drejtat e pakicave". Nëpërmjet kësaj synohet të forcohet bashkëpunimi i pakicave të ndryshme si me njëra-tjetrën, ashtu edhe me qeverinë qendrore dhe atë vendore por edhe të përmirësohet arsimimi i pjesëmarrësve në këtë akademi në fushën e të drejtave të njeriut./ATSH/