Qeveria, gjysmë rroge nëpunësve
2 mijë lekë për pensionistët

Qeveria, gjysmë rroge nëpunësve<br />2 mijë lekë për pensionistët
TIRANE-Qeveria “Berisha” do të japë një shpërblim prej 2 mijë lekësh të reja për 550 mijë pensionistët në Shqipëri, në prag të vitit të ardhshëm elektoral. Por shifra është shumë më e ulët se shpërblimet e mëparshme prej 5 mijë lekësh të reja.

Ndërkohë që administrate, prej mëse 80 mijë nëpunësish ka nisur të marrë shpërblimin prej 10 mijë lekësh të reja. Por për ta ka një surprizë të hidhur: ata do të marrin vetëm gjysmëm e pagës së dhjetorit dhe pjesën tjetër do ta marrin në janar. Burime nga ministria e Financave bënë të ditur dje se, duke qenë një vit elektoral, qeveria synon të japë një shpërblim në lekë për 550 mijë pensionistët e fshatit e qytetit, para mbylljes së 2012-ës, por shifra që diskutohet është shumë më e ulët se "gjeli i detit" 5-mijë lekësh, i shpërndarë vitet e kaluara.

Që prej disa ditësh, Thesari po disburson për policët, mjekët dhe personelin e disa bashkive a komunave pa borxhe shpërblimin, që nuk ishte njoftuar më parë. Shpërblimi po jepet shumë herët, duke qenë se sivjet, ndryshe nga gjithë vitet e tjera, pagesat e thesarit do të mbyllen që nga data 17 dhjetor, për mungesë fondesh.

Dje është kryer edhe pagesa e punonjësve të aparatit të Kryeministrisë për pagat e muajit dhjetor, por është kaluar vetëm paga për 15 ditëshin e parë të muajit. Sipas burimeve nga administrata financiare, pagesa e gjysmës së dytë të muajit do të kryhet në fillim të 2013-ës. Në fakt, e gjithë administrata paguhet një herë në muaj, në fillim të muajit pasardhës, por nga ky rregull bën përjashtim vetëm aparati i Këshillit të Ministrave, pagesa e rrogave të punonjësve të të cilit kryhet para se të mbyllet muaji. Por, këtë herë, ata do të marrin vetëm gjysmën e pagës në këtë mënyrë.

Mësohet se në qeveri vijon debati lidhur me fondet që duhet për të mbuluar shpërblimin, i cili, në rastin e pensionistëve do të kalonte 7 milionë eurot. Problemi është se rezerva e qeverisë është konsumuar dhe Financat kanë vështirësi për të siguruar këtë fond, kështu që nuk është marrë ende vendim qeverie për shpërblimin. Nga kjo situatë, qeveria mund të shpëtojë vetëm në rast se arkëtohet pagesa e 20 përqindëshit të privatizimit të Albpetrolit, e cila, sipas kompanisë Vetro Energy, shpallur fituese në tenderin për blerjen e 100 për qind të aksioneve të saj, tashmë është disbursuar.

Kjo praktikë hyri në fuqi nga qeveria Nano, më 2004, ndërkohë që vitin e parë të pushtetit, qeveria Berisha nuk shpërndau shpërblim për pendionistët, duke ndërprerë edhe pagesën e pagës së 13-të për administratën. Më 2006, pensionistët morën 5 mijë lekë shpërblim fundviti, që u përsërit edhe ndonjë vit tjetër.
Këtë vit, të gjitha gjasat janë për një shpërblim në masën 2 mijë lekë të reja për pensionist, ndërkohë që duket se ka filluar të shpërndahet 9 mijë lekëshi i shpërblimit vjetor për administratën.

Pagesa e shpërblimit të fundvitit ka vënë vazhdimisht në vështirësi ministrinë e Financave, sidomos kohët e fundit, kur të ardhurat buxhetore kanë krijuar një "gropë" prej 170 milionë eurosh në krahasim me planifikimin fillestar.

Mbetet të shihet në se kjo sasi fondesh, që mund të përdoret për t'u dhënë një "shije" minimale mirëqenieje 550 mijë pensionistëve shqiptarë, do të ketë apo jo pasoja në rritjen e mëtejshme të borxhit publik dhe defiçitit buxhetor, që sapo u korrigjuan me ngritje në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, me anë të një Akti Normativ me fuqi ligji. Sëbashku me një shpërblim të fundvitit, në masën 9 mijë lekë për afro 85 mijë punonjës të administratës publike, sasia që do të disbursohej nga arka e shtetit i kalon të 12 milionë eurot, shifër, me të cilën mund të zgjidheshin shumë probleme të tjera të mprehta. Sërish, arkëtimi i një shifre shumë më të madhe se kaq nga privatizimi i ndërmarrjes më të madhe shtetërore do të ishte një bombol oksigjeni për Financat.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?