Qeveria greke është tërhequr nga vendimin se ata që do të hyjnë në territorin grek nga 19 dhjetori, përfshirë edhe shqiptarët, përveç certifikatës së vaksinimit duhet të kenë edhe një test negativ të koronavirusit i cili duhet të jetë realizuar brenda 48 orëve të fundit.

Ndryshe nga çfarë ishte njoftuar ditën e djeshme, ministria greke e shëndetësisë njoftoi se përveç testit negativ PCR, do të lejohen edhe udhëtarët e pajisur me rapid test.

Njoftimi është bërë nga ministri i shëndetësisë Thanos Plevris, i cili theksoi se udhëtarët mund të kryejnë rapid test, jo më herët se 24 orë përpara udhëtimit të tyre, ose test PCR jo më herët se 72 orë përpara hyrjes së tyre në Greqi.

Ky vendim është marrë për të mos “vrarë” ekonomikisht personat që kishin planifikuar të kalonin festat pranë familjes së tyre në Greqi. Kjo pasi rapid test varion nga 10-20 euro, ndërsa e testit PCR nga 50-70 euro, çka vlerësohet se është kosto shtesë për buxhetin e një familje të mesme.

Ministri qartësoi edhe faktin se në vend nuk do të ketë më mbyllje të kufijve, por masat e tjera anti-COVID do të zbatohen me përpikmëri.

Deri më tani në Greqi, kanë rezultuar pozitivë me variantin Omicron 10 persona, ndërsa siç kanë paralajmëruar edhe ekspertët ky numër pritet të rritet edhe për shkak të festave.