Qeveria ime

Qeveria ime

Qeveria ime do ketë prioritet largimin e budallenjve nga jeta publike. Arritjen e këtij objektivi madhor, qeveria ime nuk do ta bëjë si budallenjtë e meritojnë, me krematoriume hitleriane, furra gëlqereje, turrë drush, helmime, mbytje, por përmes reduktimit të rolit të budallenjve me metodën përça e sundo. Duke i ngatërruar pra budallenjtë me njëritjetrin. Çka nuk është fort e vështirë kur lënda e parë janë budallejtë. Për shembull duke sherrosur trutharët që janë të bindur se 1 edhe 1 bëjnë 2, me trushkulurit që nuk kanë asnjë dyshim se 2 edhe 2 bëjnë 4.
Tjetër prioritet, paksimin e hajdutllëkut, qeveria ime do ta realizojë duke u shkulur hajdutëve duart me mengenè. Nëse nuk zenë ment, do tu shkuli gjymtyrët një nga një, përfshirë bibilushin.
Qetësinë publike qeveria ime do ta vendosi duke zbatuar parimin se autorët e krimeve nuk janë shkak, janë pasojë. Shkaku i krimeve janë llapaqenat e çorbës mediatike. Që tash e tutje çorbaxhinjtë të mos mundin tu bien më qafë shqiptarëve, qeveria ime ka një plan konkret. Nuk do i vrasi. As do i theri. Do caktojë një fond për tua dhënë gjuhëgjatëve si rrogë mujore për të ndejtur në shtëpi dhe jo të dalin e të llapin posht e përpjetë.
Qeveria ime do ushtrojë dhunë. S`ka qeveri pa dhunë.
Dhuna e qeverisë time do ushtrohet mbi ata që brenda një viti nuk lexojnë të paktën pesë romane, nuk mësojnë përmendësh dhjetë poezi, nuk shkruajnë njëzet letra me zarf. Bastardat që nuk do plotësojnë këto kushte kaq të thjeshta, qeveria ime do t`i kapi për leckash do ti hedhi në Sazan pa ja bërë syri tërr. Po hodhën ickla, do i hedhi në det ose mes gjarpërinjve të helmatisur që në Sazan janë me mijëra.
Turizmi i qeverisë time do jetë ai i udhëtimit të detyrueshëm 1 mijë kilometra në vit për çdo shqiptar. Sedentarët e pa kurueshëm, ata që këtij detyrimi do ti bishtnojnë, do dërgohen të punojnë me kazëm e lopatë në veprat infrastrukturore të qeverisë time derisa  t`i kapi qefi për ndonjë udhëtim.
Një ministri e posaçme e qeverisë time, ajo që do quhet "Ministria e faqes së zezë" do mbajë në thep-shqekëz gomerët të cilëve u duket sikur kanë shpikur rrotën duke sharë ambasadorët. Për tja arritur këtij qëllimi ajo ministri ata gomerë do ti mbledhi si mbledh Bashkia hajvanët e braktisur anës rrugës për ti bërë vaj makinash duke i djegur.
Rrugët që do ndërtojë qeveria ime do jenë modeste. Nuk do jenë autostrada, nuk do kenë tunele gjigande, ura madhështore. Rrugët e qeverisë time, do jenë kryesisht rrugë rurale, tregëtare, turistike, të asfaltuara. Ato rrugë nuk do jenë fort të gjëra. Për të evituar gërmimet masive si dhe për të mos u bërë të mërzitëshme gjatë vozitjes, rrugët në fjalë do ndjekin relievin, pra do kenë shumë kthesa. Rrugët e tilla që do ndërtojë qeveria ime, disa prej të cilave do ndjekin shtigjet e vjetra, do jenë;
Labinot-Shëngjergj, Velçan-Kodovjat, Lenie-Qaf Plloçë, Qukës-Zavalinë, Vithkuq-Mulliri i Hambullës, Frashër-Ersekë, Çesma me Ballkon-Qafa e Kiçokut, Gramsh-Lapardha, Vrap-Peqin, Pezë-Rrogozhinë, Shpirag-Ballsh, Kroi i Kuq-Fush Studë, Vermosh-Theth, Kalaja e Dodës-Lurë.
Brenda përkujdesjes që qeveria ime do zbatojë për ruajtjen e pastërtisë së Gjuhës do ndalohet me Ligj përdorimi i fjalës ofenduese "Populli" që duket si top me mut, për ta zëvendësuar me fjalën elegante "Shqiptarët".
Qeveria ime do kujdeset për vdekjet, funeralet, varrosjet. Tani që precedenti nuk mungon, tani që përvojë pra ka, qeveria ime, jo vetëm do ndihmojë gjithkend që dëshiron të hidhet matanë, por do ti mundësojë cilitdo shqiptar ta vendosi vetë fatin e pasvdekjes. Duke nisur me llojin dhe vendin e funeralit ku t`ja dojë kokrra e qefit vdekëtarit. Në kazanin e plehrave nëse i vdekuri është mendjemadh. Në mes të zjarrit nëse është poet. Në mes të turmës nëse është shkrimtar. Brenda pusit nëse është historian. Në fund të detit po qe arkeolog.
Qeveria ime do përkujdeset për festat. 11 pridhi do shpallet "Dita e Kurvit". Gjatë ditës së kurvit shqiptarët do jetojnë si në kohën e dashnores së Dem Xhepës. Do vishen me lecka. Do mbathen me shapka. Do përdorin brekë të grisura. Do hanë bukë të zezë me spango dhe insekte brenda. Për mëngjez do pijnë një gotë çaj. Për drekë, fasule. Për darkë, përshesh me kos. Dieta spartane e një dite në vit nuk përbën rrezik se do tu bëhen gratë kurva. Po edhe po u bënë ska problem. Kemi dashnoret. Gruaja ime dashnorja jote. Gruaja jote dashnorja ime. Tërmetet, viruset, seksin, Zoti nuk i lë të livadhisin, i ekuilibron.
Tjetër festë që do caktojë Qeveria ime do  jetë "Dita e Spiunit". Gjatë Ditës së Spiunit, shqiptarët e etur për spiunim do kenë rastin dhe fatin ta spiunojnë njëritjetrin hapur, për qef, për sport, për shfryrjen e instinkteve primordiale shqiptareske pa pasur nevojë të hyjnë duke u dridhur në ndonjë zyrë, e as të përkulen si pikëpyetje para ndonjë sporteli, si dhe pa asnjë pseudonim, apo frikë se pseudonimin mund tua shpikin ata që hapjen e dosjeve e kanë bërë biznes.
Ditë feste do jetë gjithashtu dhe "Dita e Qenit", pra dita që qeveria ime do ja blatojë asaj që ndër shqiptarë nuk vdes kurrë; besnikërisë qënërore proverbiale me Mik, Besë, vrasje në mesnatë me hekur prapa kokës,  gjak, gjakmarrje, ngujim, etj.
Përdoruesve të shprehjeve "Unë si artist, "Unë si intelektual", "Për mendimin tim", "Personalisht jam i mendimit se", Unë këtu e këtje, un kështu e un ashtu, pra brroçkullarëve autoreferencialë, duke ua shqyer gojën deri te veshët si bënin kompraçikosët, qeveria ime ata mutër do i bëjë të gjithë Guimplenë.
Rrena e qeverisë time do të jetë se për zhdukjen nga faqja e dheut të patriotizmit folklorik shqiptaresk me shkaba, çifteli, lahuta, rapsodë të verbër me qen pranë, buçe rrugësh, mace kazanësh, do jetë shumë më e pamëshirshme se do ta shpalli.
Prralla e qeverisë time do jetë një përrallë e pafundme me shumë përralla brenda si të 1001 netëve në përputhje me humoret e miletit.
Ëndërra e qeverisë time do jetë Shqipëria ime me sa më tepër shqiptarë që lexojnë libra seriozë, hanë trahana Lunxhërie, pijnë dhallë, mësojnë vargje përmendësh, udhëtojnë nëpër katunde, i mahnit jodi i detit, i rrënqeth suferina e malit, i deh aroma e Blirit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Opozita jugkoreane me mocion për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së presidentit

Opozita jugkoreane me mocion për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së presidentit